Berisha në vitin 2000: Meta ‘lavatriçe parash’, mori 200 mijë USD me një dorë! Përveç floririt, ka vjedhur dhjetëra arka me monedha

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkuar në një aleancë politike që pas miratimit të reformës në drejtësi në korrik të vitit 2016.

 

Gjatë periudhës 2000-2002 dhe 2013-2015, Sali Berisha ka artikuluar akuzat nga më të rëndat në adresë të Ilir Metës. Mes akuzave përfshihen trafik droge, trafikim të vajzave të mitura, vrasje, zhdukje njerëzisht, pastrim parash, vjedhje votash, vrasje masive, implikim në skandalin CEZ-DIA, plan për vrasje deputetësh etj.

 

Shqiptarja.com sjell për herë të parë një tjetër akuzë të Sali Berishës, sipas të cili Ilir Meta është lavatriçe e parave të pista në Shqipëri. Pasditen e 5 majit të vitit 2000, Berisha akuzonte Metën se i kishte marrë Dhimitraq Raftit 200 mijë USD nga një shumë pre 900 mijë USD që kishin ardhur nga një Bankë e Pireut në Athinë. Rafti ka qenë drejtori i përgjithshëm i “Albtelekom”-it dhe më pas zv/ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit.

 

Hetimi i lobimit rus të Bashës në SHBA dhe pse janë trembur Meta e Berisha!

 

“Për ndonjë këtu, si Jupe, që iu kanë tharë trutë, po prapë xhepat s’i ka mbushur, më duhet të lexoj edhe këto para jush, i keni nga Kontrolli i Shtetit: “Dhimitraq Rafti i dha Fatos Nanos, Gaz Demit, Anastas Angjelit, nëpërmjet nipit të Gaz Demit, Enos Dojka, 900 mijë dollarë.” (Reagim) Dëgjoni pak se ç’bëri Meta juaj… Jo, jo, s’shkoj në miting, unë jam këtu. (Të qeshura) Juve në miting ju vënë drurin, s’ju pranon kush në mitingje.

 

S’e keni marrë vesh këtë? Z. Dokle, më falni. Zotërinjtë, po të mos duan të më dëgjojnë, Jupe është i interesuar, të tjerët le të dalin. (Të qeshura) Çfarë ndodhi me dollarët pas denoncimit? Ju nuk e dini. Ka ndodhur e njëjta gjë si me floririn. Dhimitraq Rafti ka kthyer paratë nga Banka e Pireut të Greqisë dhe “lavatriçja Meta” ia ka pranuar ato, pasi i ka marrë nja 200 mijë”, shprehej Berisha.

 

Po atë pasdite Berisha shprehej se Ilir Meta jo vetëm ka dorë në vjedhjen e floririt të shtetit në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë, por edhe në grabitjen e arkave me monedha. Berisha akuzonte Metën për implikim në vjedhjen e dhjetëra arkave me monedha.

 

“Thesari i shtetit nuk është vjedhur ashtu siç thonë tellallët e Ilir Metës, i cili, së bashku me Rakipin dhe Klosin, para dy ditësh ranë dakord të mashtrojnë shqiptarët, për t’i përgënjeshtruar dje Poçi. Gëllçi i zi u deklaroi shqiptarëve se janë vjedhur 2,8 milionë shufra. Unë po ju garantoj juve se janë vjedhur dhjetëra arka me monedha. Secila arkë ka pasur 4 mijë monedha. (Reagim në sallë) Dëgjoni, zotërinj, dëgjoni kusarë, dëgjoni, se keni nevojë. (Të qeshura) Ju lutem.

 

Prandaj ju duhet Kodi. Pardje Gëllçi i zi do t’u deklaronte shqiptarëve se ato janë vjedhur në mars të vitit 1997. Mirëpo ju, që jeni të mençur në vjedhje, në kusari, pse nuk pyetët: Pse mungonte Poçi në atë takim? Si ka mundësi që Kryeministri thirri Klosin e Rakipin dhe jo Poçin? Sepse Poçi kishte këto dokumente (i tregon para deputetëve), ku thuhet se “pavarësisht sa thamë më lart, theksojmë se vlerat e “Çelikut” mbeten të pacenuara, pasi dyert e hyrjes së objektit janë të sigurta si ndaj sulmeve fizike dhe sekretit të hapjes”. Kurse sot Rakipi boton në gazetën e Klosit, “Shekulli”, njoftimin se kanë hyrë

 

nga frëngjitë. Dera është gjetur e hapur, o të nderuar. Doni t’i shihni? Ah, shiko, administrata s’është e kusarëve, administrata është e atyre njerëzve të ndershëm që e kanë ruajtur thesarin vite e dhjetëra vite. Jeni gabim ju. Pra, ata që kanë bërë kontrollin, na i kanë prurë dokumentet. Shkoni merrni dosjen e prokurorit Hysi, i kërkoni atij fotografinë e do të shikoni se si hyrja e ka derën të hapur një metër. Unë po ju them këto sot, nesër do t’ju them të tjera, derisa fytyra juaj të bëhet më e zezë se e atyre që vunë dorë mbi floririn shqiptar”, deklaronte Berisha.

 

Sipas Berishës, Meta ka festuar vitin e ri 1999 me thesarin e vjedhur të shtetit.

 

“Ai e mori si çdo qeveri tjetër pasurinë për të vazhduar luftën, kurse ju vodhët thesarin, jo në vitin 1941, jo më 1939, por vodhët thesarin më 1999. Në dhjetor të vitit 1999 ju festuat Vitin e Ri duke u vjedhur thesarin shqiptarëve. Kjo është arsyeja që ju i ktheheni Kongresit të Përmetit sot, pasi keni firmuar një herë referendumin. Ju akuzoni mbretin se mbreti vrau, dhe unë atëherë them ta gjykojë historia, por më shumë se ju nuk ka vrarë asnjeri. Ju, nuk u marr për trashëgiminë, që është më e zeza që mund të jetë, por vetëm në këta tre vjet edhe këtë Parlament e përgjakët: vratë përpara selisë së Partisë Demokratike, vratë kundërshtarë politikë kudo”.

 

Sali Berisha ndërpreu akuzat ndaj Ilir Metës që në mars të vitit 2015, kur akuzonte Metën se kishte porositur vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Në seancën e datës 5 mars 2015, Berisha dhe Meta u përballën në Parlament, duke akuzuar njëri-tjetrin për vrasje. Por, teksa Berisha vijoi akuzat, Ilir Meta i përmendi për herë të parë Berishës një video të Shkëlzen Berishës. Meta zbuloi edhe një sekret, teksa tha se Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit, video e cila ishte parë nga Berisha.

 

Video me protagonist Shkëlzenit kishte rënë në duart e Spartak Brahos, në atë kohë shumë pranë Metës. Video ishte zbuluar nga ekspertët gjatë kontrollit të lap-topit, ku ishte video Meta-Prifti. Ndërsa Berisha nuk po tërhiqej, Meta e kërcënoi për herë të parë Berishën, se do të publikonte videon. “Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato…”, tha Meta.

 

Pas këtij mesazhi shantazhues, Sali Berisha nuk artikuloi më asnjë akuzë në adresë të Ilir Metës. Nga akuzat e rënda për vrasje në mars të 2015, Berisha mori pjesë në një miting të organizuar nga Meta në 2 mars 2020, para Presidencës, tashmë për të rrëzuar qeverinë ‘Rama’. Dy vite më vonë, Ilir Meta, pas largimit nga Presidenca, organizoi një tjetër protestë, këtë herë tek inceneratori i Tiranë, por Sali Berisha nuk mori pjesë.

 

Nga ana tjetër, Sali Berisha përjashtoi Ilir Metën në mënyrë të moderuar dhe me mesazhe të tërthorta nga mundësia për të kandiduar në emrin e opozitës për Bashkinë e Tiranës. Në rrethet politike dhe mediatike qarkullon një version sikur Ilir Meta po e tërheq Sali Berishën pas vetes, pikërisht për shkak të shantazhimit me videon e Shkëlzenit.

TE TJERA