Një sezon i ngjeshur ka qenë për politikanët tanë, që pushimet e tyre i alternuan me punët që kanë pasur këtë periudhë.
Një ndër ato që ka punuar dhe ka pushuar njëkohësisht ka qenë edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro. Ndonëse këtë verë, ashtu si ajo u shpreh e kaloi e maskuar duke inspektuar plazhet, vite më parë ajo ishte si gjithë pushuesit e tjerë.
Paparaci ynë ka mundur t’i shkëpusë disa shkrepje, nga pushimet e ministres 2 vite më parë. Ashtu si shihet, krejt e relaksuar përkrah bashkëshortit të saj, Kumbaro zgjidhte edhe atë herë jugun e vendit për të kaluar pushimet vjetore.
Megjithatë, në atë periudhë nuk kishte nevojë për t’u maskuar, pasi mbarëvajtja e turizmit nuk ishte detyra e saj. Deklarata e bërë pak ditë më parë nga ministrja e Turizmit, bëri menjëherë xhiron e rrjetit.
E ftuar në emisionin “Wake Up” në “Top Channel”, Kumbaro tha se ka parë nga afër situatën në Dhërmi, duke u maskuar me syze dhe kapele.
“Në mes të Dhërmiut, mes dy plazheve private unë kam bërë inspektime në terren gjatë gjithë sezonit, e fshehur nën syze dhe kapele, anonime. Nuk më ka njohur askush dhe kam lëvizur nëpër territor sa herë që kishte reagime në “Facebook”, shkoja vetë dhe e verifikoja e maskuar.
Kam parë plazhe në Dhërmi, mes dy plazheve private, plazh publik që ishte përgjysmë bosh, ndërkohë që dy plazhet anash ishin plot. Kjo mania për të shkuar në mëngjes apo për të gjetur një moment që ca shezlongë janë bosh, nuk ia vlen që të zgjatemi”, u shpreh Kumbaro.
Si një personazh që shpesh flet edhe për jetën e saj, larg karrierës politike, Kumbaro nuk i ka pasur të rralla rastet kur ka folur edhe për angazhimin e saj si nënë dhe si grua.
“E vërteta është se që kur kam marrë detyrën, u kam mbetur larg formateve gjysmë private ku më shumë flitet për profilin personal sesa për punën.
E para e kam qasje, e dyta mendoj që pjesa më e rëndësishme e një politikani apo një ministri është puna që bën, ndërsa pjesa private është ajo që e ka ndërtuar në aq vite jetë sa ka dhe në raport me përgjegjësinë që kemi ndaj publikut besoj që duhet ta kemi për atë që ai na ka vënë në atë karrige sesa për çka unë bëj në jetën private.
Nuk besoj se ka interes shumë të madh, megjithatë jeta personale ose mënyra se si ndërtohet personaliteti i njeriut, kontribuon në bërjen mirë apo sa më mirë të jetë e mundur, të punës. Mbase duhet zbuluar edhe kjo.
Çdo njeri ka një stekë, të cilën e vendos brenda vetes, një standard, e atë nuk e arrin asnjëherë, të paktën unë nuk e kam arritur e nuk besoj se do ta arrij ndonjëherë, sepse sapo e arrin një gjë ajo stekë ngrihet gjithmonë e më e më lart. Pastaj gjërat janë relative dhe kur e krahasoj me çfarë gjetëm dhe çfarë kemi ndërtuar. Kur bëjmë ndonjë bilanc, ndonjëherë them “Vërtet arritëm t’i bëjmë këto në kaq pak kohë?”
Do thoni ju “4 vite”, por katër vite janë shumë pak. E para njëherë sepse viti i parë ishte një vit ku për fat të keq Ministria e Kulturës ka qenë gjithmonë ministria më e neglizhuar. Sikur t’ju them që në vitet e dy mandateve qeverisjes Berisha, para meje, në 8 vjet ka pas 6 ministra, edhe sikur të kenë vullnet të mirë, të kenë pasur dëshirën, është e pamundur që ti të bësh një punë të mirë në 6 muaj apo në një vit e gjysmë ministër”, shprehej Kumbaro në intervistat e saj.