Seanca e sotme parlamentare ka vijuar me debate mes kryedemokratit Sali Berisha dhe ministres Elisa Spiropali.
Ministrja iu përgjigj Berishës, pasi tha në foltore se Shqipëria është në krizë të thellë, ndërsa qytetarët janë të vjedhur si në asnjë vend të Europës.
Spiropali e quajti Berishën “pensionistin më të shtrenjtë në Shqipëri”, ndërsa listoi ndihmat e qeverisë për qytetarët.
“Po shoh që ke bërë gati laptopin, po nuk e kuptoj ku të çon ajo mushkë. Ne kemi punët tona. Po merremi me pensionistët, do indeksojmë pensionistët. Ata presin nga ne, ju prisni nga këta doktor se as këta nuk i ke se kur u mblodh grupi parlamentar nuk e zgjodhe dot kryetarin. Je pensionisti më i shtrenjtë i Shqipërisë, por do të durojmë”, tha Spiropali.
Ndërkohë, Berisha denoncoi një rast privatizimi në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Ai tha se dhoma e zhveshjes për fëmijët që luanin futboll, ishte privatizuar dhe i ishte dhënë vjehrrit të Elisa Spiropalit me ndikimin e kësaj të fundit.
“Nëse do të njohësh inteligjencën e sundimtarit, shih ata që ka përreth. Por kam një problem të dytë. Meqë zonja u gozhdua te pensionistët, nuk mund të mohohet se ajo ka një dhembshuri patologjike për një pensionist të vetëm.
Kjo dhembshuria jote për pensionistët konkretizohet në mënyrë të mrekullueshme. I lë fëmijët të zhvishen në të ftohtë, ndërsa ndërtesa është dhënë me ndërhyrjen e zonjës Spiropali”, tha Berisha, teksa lexoi edhe mesazhin e një qytetari.