I ftuar në “ABC-në e mëngjesit”, Blendi Fevziu,
ndër të tjera foli edhe pak për marrëdhënien me dy vajzat e tij, Alis dhe Mishel. Kur u pyet nëse “e sheh si mungesë faktin se nuk ka një djalë”, gazetari dhe moderatori u shpreh kështu:
“Nuk e kam patur aspak këtë shqetësim. Madje edhe herën e dytë kur mora vesh që ishte vajzë, në fakt isha dhe më i gëzuar, sepse mendova që vajza e madhe do të kishte një shoqe”.
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në atë që ka thënë Fevziu, por, në një shoqëri ku ende i urojmë gratë shtatzëna me “me një çun” apo u themi fjalë si “mos u mërzit se i dyti do jetë çun” – këto deklarata na bëjnë mirë t’i dëgjojmë herë pas here.
Ndër të tjera, Fevziu ka thënë se më herët ka marrë një ofertë nga miku i tij, Ben Blushi për të drejtuar Top Channel, por që e refuzoi. Tashmë, ai ka theksuar se e gjen veten vetëm në TV Klan.
“Ka qenë një ide e imja që të lëvizja në Top Channel, që lidhej me drejtimin e Top Channel nga një prej miqve të mi të fëmijërisë dhe të shkollës që ishte Blushi. Por që nuk kam ndërmend të ndryshojë dhe nuk besoj që të ndryshojë më.
Besoj që e kam lidhur karrierën time me Klanin tani. Unë nuk jam njeri që kam lëvizur shumë, gjithë karrierën time kam ndërruar dy vende pune.
Kam gjithmonë bindjen që njeriu investohet në një vend dhe sa më shumë të qendrojë në një vend aq më shumë e krijon raportin”, tha Fevziu.