Ditë të errëta në horizont për familjet shqiptare, qeveria gati të pranojë rihapjen e basteve sportive

Katër vite pasi u mbyllen me ligj, qeveria po mendon rikthimin e basteve online. Tv Klan mëson se të mërkurën Kryeministri do të nisë konsultimin publik për lotaritë sportive online.

 

Propozimi ka ardhur nga Federata Olimpike Shqiptare për të formalizuar një treg, për të cilin thotë se pas hyrjes në fuqi në 1 Janar të 2019 të ligjit që i ndalonte, ka lulëzuar si treg informal.

 

Madje sipas propozuesve të kësaj nisme, formalizimi i basteve online do të mund t’i kanalizonte taksat e këtyre sipërmarrjeve për investime në sport.

 

Në Tetor të 2018 kur qeveria vendosi t’i drejtohet Parlamentit për të ndryshuar ligjin për mbylljen e të gjitha pikave të basteve përfshirë dhe ato online, Kryeministri argumentoi se po mbyllte një plagë sociale të shkaktuar nga bixhozi në përgjithësi, por dhe bastet online.

 

Një tjetër arsye ishte dhe për t’i vendosur fre pastrimit të parave përmes kësaj industrie nga organizatat kriminale.

 

Por nismëtarët e rikthimit të basteve online mendojnë se ka ndodhur e kundërta, pasi duke qenë krejtësisht informale, nuk ka qenë e mundur të kryhej asnjë kontroll për rastet e pastrimit të parave.

 

Një tjetër fenomen që është parë gjatë kësaj periudhe sipas propozuesve është dhe përfshirja në bastet online e të miturve. Nëse nga konsultimi publik do të rezultojë se do të mbështetet kjo iniciativë propozuesit thonë se kanë në shqyrtim disa modele që aplikohen në vende të zhvilluara europiane.

 

Në 2019 qeveria përpara vendimit drastik të mbylljes së të gjitha basteve shqyrtoi mundësinë për krijimin e një kompanie shtetërore bastesh duke ju referuar modelit të vendeve skandinave, në të cilat lejohen vetëm kompanitë publike të ushtrojnë aktivitet të tillë.

TE TJERA