Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta duke vijuar denoncimin e kësaj force për Ujësjellësin e Memaliaj, tha se përgjigjet e Ramës do jenë para ligjit me firmat e tij.
Ai lexoi Kodin Penal se sa vite burg rrezikon sipas tij, në këtë rast, ku punimet për ujësjellësin e Memaliajt janë inauguruar 3 muaj para se të lidhej kontrata.
“Është shumë e qartë se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë, do pasqyrojmë raste të tjera dhe më flagrante në të ardhmen.
Pra, në shtetin e këtyre banditëve që nuk ka asnjë lidhje me kushtetutën tonë, me detyrimet e stabilizim asocimit, gjithçka bëhet fakt i kryer, të gjitha pazaret bëhen më përpara. Demonstrohen dhe në publik si në rastin konkret, ky kryeministri dhe ministri dalin së bashku me kompaninë për qëllime elektorale dhe jo vetëm, ndërkohë që ky objekt është zyrtarisht formalisht ende në tenderim. Fituesi është shpallur me kohë, pazaret janë bërë me kohë, tenderi është formal. Edhe kontrata lidhet pas 3 muajsh.
Përgjigjet e Ramës do jenë para ligjit, me firmat e tij dhe ligjet e tij dhe ne nuk do falsifikojmë asgjë përkundrazi. Neni i kodit penal e bën të qartë se kryerja apo mos kryerja me dashje e mosveprimeve nëse nuk përbën vepër tjetër penale, minimumi dënohet me burgim deri në 7 vjet.
Neni 258 , shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dënohet me burgim nga 1-5 vjet. U bënë 12 vite burg për një rast. Shkeljet gjithashtu në kodin zgjedhor se jemi para zgjedhjeve, ku me të drejtë raporti i OSBE/ODIHR tha se u shkrinë partia dhe shteti në një”, tha Meta.