Bojken Lako dhe Semi Jaupaj kanë qenë mbrëmjen e djeshme të dy në ‘Sunny Hill Festival’. Vetëm se kantautori ka qenë me të dashurën e re, kurse Semi me Bora Zemanin dhe menaxherin e saj.
Bojken ka nisur një lidhje të re prej muajsh dhe ka lënë pas historinë me këngëtaren. Ndonëse ai nuk e ka zbuluar se kush është vajza që ia ka marrë zemrën ai nuk fshihet më dhe shfaqet me të publikisht. Mbrëmjen e djeshme çifti janë fotografuar në momente intime dhe duke shkëmbyer puthje në buzë.
E dashura e artistit është e panjohur për publikun por kjo nuk e ka penguar çiftin të shfaqte dashurinë në publik. Madje edhe në një ambient ku ndodhet ish- e dashura e tij. Semi ka postuar në rrjetet sociale një foto me moderatoren dhe menaxherin ndërsa të gjithë janë kuriozë të dinë se çfarë mendimi ka ajo për lidhjen e re të Bojken.
Dyshimet mbi lidhjen e re u ngritën pasi Bojkeni postoi një foto në rrjetin social Instagram ku shfaqej duke mbajtur dorën e një vajze. Edhe pse artisti nuk ka qenë ndonjëherë i hapur për ta bërë publike jetën e tij private, kësaj here ai ka vendosur të na thotë se është duke jetuar një lidhje dashurie. Disa muaj më parë gjatë një interviste në “Wake Up” i pyetur për foton që publikoi, Bojken fillimisht ironizoi se e bëri për të “promovuar festivalin”, pra për vëmendje ose marketing.
Më tej ai shprehu se fakti që ai e ka postuar atë foto në faqen e tij personale do të thotë që “është diçka e mirë”. “Po shiko tani desha të promovoj festivalin. Nuk kam dëshirë të flas shumë sepse kështu është si të thush maja e shpërndarjes së thashethemit dhe të lajmit. Deri sa kam vënë diçka në faqen time personale normalisht ka diçka shumë të mirë që ndihem mirë edhe…”- tha ai duke mos dhënë shumë detaje.
Nga ana tjetër, Semi është përfolur gjatë muajve të fundit për një romancë me këngëtarin Ron Zaiti. Ata sollën një bashkëpunim me titullin “All Your Lovin”, që ndezi dyshime se mes dyshes mund të ketë lindur një romancë. Teksa dy protagonistët zgjodhën të heshtin, “Prive” konfirmoi që marrëdhënia e ndërtuar “blic” ka përfunduar me kaq dhe dyshja kanë zgjedhur të mbeten vetëm shokë.
Pavarësisht të gjithave Semi dhe Bojken ruajnë një marrëdhënie të mirë shoqërore. Këtë gjë e ka konfirmuar përsëri vetë Semi, e cila disa muaj më parë postoi në rrjetet sociale një video, ku shihej nën shoqërinë e ish-partnerit të saj.
“Shoku im më i mirë i jetës”– shkruante Semi krahas videos.
Romanca mes ish-çiftit nisi në vitin 2011, vetëm tre muaj pas ndarjes së kantautorit nga ish-bashkëshortja e tij, Olesia. Kur nisën të dilnin bashkë, Semi ishte vetëm 19 vjeç, ndërsa Bojkeni 36 vjeç. Të dy ishin të apasionuar pas rokut dhe kanë punuar bashkë për një periudhë të caktuar kohore kur Semi ishte vokalistja e grupit “Bojken Lako dhe Brezat”.