Qytetarët të pabindur të ligjit vijojnë që të mos respektojnë perimetrin e sigurisë në plazhe, edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë nga ngjarja e rëndë në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar skafin përplasi pranë bregut të detit një vajzë 7 vjeçe.
Këto pamje janë regjistruar në plazhin e Livadhit në Himarë, ku siç shihet një skaf bën manovra të rrezikshme pranë pushuesve. Vetëm pak metra larg skafit që bën lëvizje të rrezikshme, shihet dhe një qytetar që është duke notuar.
Pamjet tregojnë qartë që skafi është pranë bregut të detit, duke shkelur në këtë mënyrë çdo ligj apo masë e vendosur nga autoritetet.
Edhe pse Policia e Shteti ka deklaruar se ka marrë masa të forta për të mos lejuar qytetarët të përdorin mjete lundruese jashtë perimetrit të sigurisë, në video nuk shihet asnjë polic apo përfaqësues i autoriteteve ligjzbatuese që ta ndalojë mjetin lundrues.
Pas ngjarjes së rëndë në Himarë, vet Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano ka zbritur në terren për të monitoruar masat e marra për mjetet lundruese. Nga raportimet e bëra së fundmi nga Policia, shumica e mjeteve lundruese, janë ndaluar vetëm për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm. Por, edhe në këto raste, policia ka aplikuar vetëm gjoba.