Biznesmeni Gjergj Luca, mik i Kryeministrin Edi Rama, bën surprizën e radhës. Ai ka blerë një anije shkencore të flotë norvegjeze dhe pretendon që me anë të mjetit lundrues do të ‘zhdukë’ kufijtë e Ballkanit.
Në një video-postim të shpërndarë nga vetë Luca në Facebook, biznesmeni shprehet se kjo anije është bekuar me emrin ‘Open Balkna’ dhe se do tu vijë në ndihmë të gjithë të rinjve ballkanas, edhe atyre vendi i të cilëve nuk laget nga deti, që të bëjnë studime nën ujë.
Sipas tij, një mjet i tillë, që e quan ‘dallëndyshe’ do të bashkojë popujt e do të bëjë që shkencëtarët ballkanas të bëhen bashkë, duke nënkuptuar këtu dhe Serbinë që nuk ka det. Luca propozon gjithashtu që datën 1 shtator, ditë kur dhe do të mbahet panairi i Beogradit, liderët e Ballkanit ta kthejnë në një ditë bashkimi e paqeje.
“Përshëndetje miq, sot ngremë flamurin shqiptar në Norvegji, jemi me kapitenin e Portit të Durrësit, jemi me Faten. Një nga kapitenët më të mirë shqiptar që ka mbaruar studimet në Genova të Italisë dhe më Aurelin, një nga gioiellët e elektronikës, për shumë të huaj që mbeten rrugës, Aureli niset dhe është në shërbim të kujtdo në rruzullin tokësor. Të ngrihet një flamur mbi një anije do të thotë që kjo anije është në një territor shqiptar.
Dhe nuk është ngritur në një anije dosido, kjo anije është e shtetit norvegjez që ka studiuar me të gjithë shkencëtarët e botës, më në fund Shqipëria jonë, por edhe të gjithë detet që lagen nga Mesdheu do të kjetë një anije studimesh, që bën me dhjetëra operacione që merr kampione nga 2500 metër thellësi, kontrollon detin deri në 5 km, vrojton të gjitha speciet për rreth 15 km. ka shumë gjëra të tjera që unë do t’ju lë kapitenin bashkë me Aurelin që t’jua shpejgojë. E rëndësishmja është që kjo anije, ne kemi një surprizë, i kemi vënë një emër siç e meriton sepse ka bërë bashkë të gjithë shkencëtarët, ne duam ta bekojmë me një emër që na bashkon të gjithëve.
I kemi vënë emrin Open Balkna, le të jetë kjo anije, e para që do të bëjë bashkë studentët, të gjithë shekncëtarët e Ballkanit, edhe në vendet që nuk ka det, për tu dhënë mundësi që deti që nuk ka kufi të bëhet një nismë për të gjitha gardhiqet që ne kemi në qytetet tona, në mendësinë tonë, le të thyhen këto kufi, le të jetë kjo dallëndyshja e parë, u bëj thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit që datën 1 shtator ta kthejmë në një ditë bashkimi në një ditë paqeje, nga një ditë ultimatum. Të bashkohemi të gjithë në panairin e Beogradit me pjesën më të mirë, më të fortë, që Lufton nëpërmjet bashkimit. Faleminderit miq,”- thotë Luca.
Gjergj Luca është biznesmeni dhe pronari i kompanisë më të madhe në vend për përpunimin dhe eksport-importin e Peshkut. “I preferuari” i Ramës, më 30 shtator 2020, ka marrë me koncesion liqenin “Xarrë-Bufi” në Butrint, me atë që quhet “kontrata e plotë vetëm 1 Euro”. Bashkë me firmën “Kleris B” sh.p.k, ai do mbajë me 10 vite Liqenin e Bufit dhe Pritën e Rrëzës, në Sarandë.
Më 11 qershor një VKM i dha të drejtën Lucës që të marrë në administrim rreth 5 mijë metra katrorë, truall, por edhe ndërtesën e Kombinatit të sheqerit në Maliq për një periudhë 20-vjeçare me vlerën 1 euro.