“ZA FEST” MOLLË SHERRI MES BASHKISË DHE KRYEMINISTRIT RAMA

Nga Nereida Vitoja

 

Festivali “Za Fest” që prej gjashtë vitesh zhvillohet në bashkinë Shkodër, në edicionin e tij të gjashtë u kthye në një mollë sherri mes pushtetit lokal dhe qeverisë.

 

Jehona e këtij festivali mori vëmendjen edhe të kryeministrit Edi Rama, I cili përmes një statusi në “Facebook” ndërsa I dha merita organizatorit Vlashent Sata përgëzoi Ministrinë e Kulturës dhe deputeten Edona Bilali për këmbënguljen për të mundësuar zhvillimin e këtij festivali, pa përmendur bashkisë Shkodër, një institucion që ka dhënë kontributin e tij që në fillimet e “Za Fest”. Pas këtij postimi të kryeministrit ka reaguar nën kryetari I bashkisë Shkodër Ardit Qylybyli, I cili e quajti postimin e kreut të shtetit si dezinformim me interesa politike.

 

“Za Fest në Shkodër nuk lindi dje dhe as nuk erdhi nga hiçi. Për ata që sot duan ta shesin sikur ky festival po vjen prej tyre, e duke ja veshur individëve të caktuar meritën e organizimit, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse ndjekin rrugën e zakonshme të dezinformimit për interesa politike. Që në hapat e parë kur ky projekt lindi dhe u prezantua, në dyert e bashkisë Shkoder gjeti mbështetjen maksimale dhe pa asnjë rezervë.

 

Sepse erdhi nga një bir i këtij qyteti dhe me dëshirën e mirë për ti dhënë diçka të bukur Shkodres së të parëve të tij. E padiskutim që Bashkia Shkodër e përqafoi dhe i dha të gjithë mbështetjen institucionale. Këtë gjë e bëri edhe sivjet kur kemi arritur në edicionin e gjashtë të tij dhe “Za Fest” është konsoliduar e ka krijuar traditën e tij të bukur.

 

Jo vetëm financiarisht, por me çdo instrument të mundshëm që ka në duar bashkia Shkodër, është investuar për ta mbështetur këtë event, prandaj jo më kot pas Delegacionit të Bashkimit Europian, jemi institucioni i dytë për nga suporti. E bëjmë këtë gjë me një vizion të qartë për ti dhënë më të mirën Shkodres, shtëpisë tonë ku kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen. Fakti që kryeministri i vendit eviton ta përmend Bashkinë Shkodër, është dëshmia më e mirë e asaj politike që në këto 9 vite ai ka ndjekur ndaj këtij rajoni.

 

Në fakt një kryeministër i përgjegjshëm do të duhej së paku të mos luante rolin e një nihilisti për interesa meskine, sepse sikur asgjë tjetër, mjaftojnë dokumentat zyrtare për të dëshmuar rolin dhe mbështetjen që çdo institucion ka dhënë.

 

Duke përgëzuar organizatorët që edhe këtë edicion na dhanë një produkt të bukur që i dha za Shkodrës, i garantojmë se do të jemi mbështetje e vazhdueshme për të mbajtur të fortë e me risi dhe surpriza këtë “patentë” të qytetit tonë.- përfundon reagimi I nënkryetarit të bashkisë Shkodër Ardit Qylybyli.

 

TE TJERA