Bashkëpunime këtë verë kemi parë shumë, madje pak si shumë, por jemi të sigurtë që si ky që po vjen nuk keni dëgjuar këtë herë dhe s’e kemi fjalën vetëm për këtë sezon.
Një postim i fundit i Capital T ka zbuluar një bisedë Whatsapp-i në një grup ku është vetë reperi, këngëtarja Anxhela Peristeri, producenti Irkenc Hyka dhe Mandi Nishtulla.
Po e lexuat mirë, do të ketë një bashkëpunim mes këtyre artistëve, ndërsa në bisedën zanore që reperi ka publikuar, shihet Mandi që kërkon melodinë e këngës nga producenti dhe pyetjes së Anxhelës “Të pëlqen?” i përgjigjet me: “Këtë këngën e grij si kali”.
Nuk e dimë ekzaktësisht cfarë do të thotë, pak por e sigurtë që është duke thënë se e pëlqen dhe do ta realizojë si duhet. Capital T nga reagimi duket se po i pëlqen biseda.
Ndërkohë nga grupi i Whatsapp kemi zbuluar edhe emrin e projektit: Habibi. Një ide shumë e mirë marketingu, më e mirë se video-t “coming soon”, ndërsa sërish duam ta dimë si u bënë bashkë Capitali, Anxhela dhe Mandi.
Me siguri Irkenci mund të na e shuajë këtë kuriozitet. Përtej kësaj, kënga me shumë gjasë do jetë sukses, vetëm shpresojmë mos t’i shohim në të ardhmen të gjithë së bashku tek Eni Cobani.