Pas rritjeve të çmimit në shumë produkte dhe shërbim, shtrenjtohet sërish nga fermerët qumështi për fabrikat e përpunimit. Pas 15 korrikut qumështi i lopës është rritur 7,5%, qumështi i dhisë 15% dhe qumështi i deles 8%.
Për shkak të shtrenjtimit të qumështit operatorët paralajmërojnë rritje tjetër të produkteve të bulmetit që do të nisë nga 5%. Kompanitë përpunuese janë në vështirësi për gjetjen e qumështit në vend, pasi prodhimi është me rënie. Mungesa e qumështit është krijuar nga shtrenjtimi i lëndëve ushqyese për kafshët.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 115 mijë tonë. Sipas llojit, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës është rreth 94 mijë tonë, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është 13 mijë tonë dhe sasia e grumbulluar e qumështit të dhisë është rreth 8 mijë tonë.
Krahasuar me vitin 2020, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4%, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%.