Blendi Fevziu bën rrëfimin e rrallë: Vajta me Shkullakun në Romë me 50 dollarë dhe konserva peshku me vete

Moderatori Blendi Fevziu ka folur për disa nga momentet e rëndësishme të jetës së tij.

 

Fevziu tregoi edhe herën e parë që ka dalë jashtë vendit me gazetarin Armand Shkullaku, pas rënies së diktaturësm duke përshkruar një skenë në Romë, ku përpiqeshin të hapnin konservat e peshku që kishin marrë me vete dhe njerëzit i shihnin me habi.

 

Gazetari tha se Shqipëria ka bërë hapa të stërmëdha përpara, duke e krahasuar me vitet 90′.

 

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: Ne kemi jetuar në dy kohë, në komunizëm dhe në sistemin e ri. Është një jetesë e çuditshme, ku njeriu është përballë një vështirësie të madhe. Ndoshta kemi mundur të mbijetojmë dhe kemi bërë mjaftueshëm, jo vetëm nga ne të dy, por nga njerëzit e këtij vendi?

 

Blendi Fevziu: Transformimi i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm. Për të kuptuar transformimin e Shqipërisë edhe vetë ne nuk e llogarisim dot sepse edhe kujtesa të lë në baltë.U krijua qeveria e stabilitetit në maj të vitit 1991. Ramiz Alia thirri ministrat për betimin dhe pas betimit morën nga një gotë verë. Ai u tha ministrave, tani duhet të gjeni një vend që të na mbajë me lek. Si i thanë këta? Po tha, kështu jemi mbatjur. Na mbajti Italia, jugosllavët, rusët , kinezët. Kur u prishëm me kinezët e hëngrëm. Pra, duhet të gjeni një vend që të na mbajë. Pra, filozofia e një vendi me 80 vjet histori ishte gjeni dikë të na mbajë.

 

Sot, me aq këllqe sa kemi, përpiqemi të mbahemi vetë.

 

Vijmë nga një kohë absurde. Dalja ime e parë jashtë ishte shokuese. Vajta në Romë me Armand Shkullakun. Morëm vizat, morëm lek borxh për të paguar biletat. Familja më thirri dhe më tha kam gjithë kursimet e jetës 50 dollarë. Shkullaku kishte 50 dollarë dhe 10 mijë lireta. Kishte punuar kamarier dy jave.

 

Fluturuam në Romë, na doli para Mesila Doda në aeroport që kishte ikur para me anije.

 

Na takoi. Të nesërmen dolëm nuk kishim ku të shkonim. Shkuam në Shën Pjetër ndejtëm gjithë ditën, kishim marrë disa konserva me vete. Shkuam të pyesnim për ushqim, ishte shumë i shtrenjtë. 50 dollarët mbaruan me një drekë. Morëm konserva të peshkut të kohës së Vlorës. Shkullaku kishte një thikë që ia kishte bërë babai në uzinën Partizani. E kishte marrë me vete, por nuk kishim gur ti binim thikës për të çarë konservën.

 

Pasi gjetëm një gur, kur po hapnim konservën, ngritëm kokën kishte mbi 200 turistë, sepse mendonin se po bënim ndonjë truk. Kur u hap konserva ne morëm peshkun e hëngrëm dhe u larguan të gjithë. Pastaj nuk gjenim ujë.

 

Kur u hapën dyert automatike në një hotel ikëm me vrap. Nuk dinim si përdorej ashensori… Kur kam parë dyqanin e parë të çokollatave…

 

Italianët nuk e kuptonin dot se çfarë populli ishte ky, kishin parë anije me 30 mijë vetë dhe njerëz që hidheshin nga anija, fëmijë, gra shtatëzënë, që të gjithë thoshin na mbani ju.

 

Pra kur nisesh nga kjo situatë, ecja që ne kemi bërë është e stërmadhe.

TE TJERA