Helmohen pesë turistë në Vlorë. Ata kanë përfunduar në spital me bark e të vjella shenja tipike te një helmimi menjëherë pasi kanë konsumuar vaktin e drekës.
Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por do të mbahen në monitorim e do t’u nënshtrohen analizave për të parë më me detaje se nga se u është shkaktuar helmimi.
Vetë turistët kanë treguar para bluzave të bardha se kanë drekuar në një restorant në Radhimë. Pikërisht në këtë restorant pritet që të ushtrohet kontroll në lidhje me cilësinë e ushqimit që është ofruar.
Dyshime ka edhe mbi ujin e zonës që është bërë shpesh shkak i helmimeve të tilla. Kështu ende pa nisur mirë sezoni, shfaqen probleme me turizmin në Shqipëri.Cmimet në jug janë shumë të kripura, por ama kur vjen puna te cilësia ajo lë për të dëshiruar, ndaj dhe ndodhin raste të tilla si ky i sotmi.
Edhe pse organet kompetente thonë gjithmonë në fillim të sezonit që kemi marrë masat, do bëjmë kontrolle të shpeshta, do ketë ndëshkime, këto mbeten thjesht në letër.