“Ku është floriri i vjedhur në Kërrabë?”, ish-deputeti nxjerr prapaskenat tronditëse, tregon skenarin që përdori Ilir Meta: Rast unikal në botë!

Ish-deputeti dhe gazetari Mitro Çela ka bërë një analizë të thelluar se si u vodh ndër vite floriri i Shqipërisë. Çela është ndalur kryesisht në vjedhjen e vitit 2001 ku u zhdukën miliona dollarë me flori, që nuk ka asnjë gjurmë deri më sot. Ku është floriri i vjedhur në Kërrabë? Sa të dalë e vërteta do mjaftohemi me postulatin e njohur:

 

Thesaruajtësit u kthyen në thesarvjedhës! Rast unikal në botë!”, shkruan gazetari.

 

Komenti i Mitro Çelës

VITI 2001

HUMBËSI I MADH-ARI

Për të “shtyrë” vapën e korrikut, nisa të shfletoj një nga buletinet e Bankës së Shqipërisë. Rastësisht qëndrova te titulli: “Ari dhe metale të çmuara.”

 

Ari është ndarë në dy pronarë. Së pari, pronë e qeverisë. Totali rreth 3,557 miliardë lekë.

Së dyti, pronë e Bankës së Shqipërisë. Totali, rreth 617 milionë lekë. Me një veprim të dhjetë aritmetike sasia e arit e konvertuar në dollarë del rreth 38 milionë dollarë…

 

Qenka katandisur ari sa “kokoshi” i plakës, mendova duke ndjekur lajmet në televizion… Ikën dritat… Në pritje të elektrikut nisa të dremis…

Në ekran m’u shfaq Lenini që nisi kuvendimin me mua:

“Debat” me Leninin

 

Ai: – Partia juaj e mëngjër që qeveris vendin i ka harruar direktivat e mia për floririn! Në vitin 1917 unë kam thënë: Do të vijë një ditë kur floriri nuk do të ketë më vlerë. Komunistët do të ngrenë në çdo kryeqytet të botës nevojtore publike prej ari. Aty do të urinojnë njerëzit… në shenjë hakmarrje për plagët e mëdha që i ka hapur proletariatit ari…

Unë: – Ke ndonjë informacion për arin që u vodh në Kërrabë?

 

Ai: – Për arin arnaut mund të thuhet i njëjti postulat si për tragjeditë e Eskilit: Ky humbës i madh! E them me kompetencë, sepse unë kam parë materialet e Traktatit të Londrës! Aty thuhet se Shqipëria është vendi më i pasur në Ballkan në monedha ari, sepse pjell djem me shumicë, për t’i çuar nizamë që paguhen me mexhite në Anadoll. Ky është fakti i parë. Së dyti, shqiptarët më shumë preferojnë të mbushin qypat me florinj sesa të investojnë!

…Ndërkohë erdhën dritat. Një shpërthim në Irak, më “largoi” Leninin nga ekrani. Më mbeti merak që m’u pre ëndrra në mes, sepse më pëlqeu debati për arin e vjedhur në Kërrabë.

Napoloni letër

 

Mbylla televizorin dhe hapa disa shënime private.

7 Prill 1939. Ushtria fashiste e kreu misionin: Shqipëria u pushtua! Një superbankier hodhi idenë e zbrazjes së qypave të shqiptarëve të mbushur me flori.

 

– Nuk është nevoja të përdorim forcën, – tha italiani finok! Do t’i bëjmë shqiptarët që të vijnë vetë si cjapi te kasapi!… Po si, do të thoni ju të nderuar ushtarakë?… Do të hedhim në qarkullim napolona floriri dhe napolona prej letre. Napoloni prej karte do të jetë më i shtrenjtë se napoloni prej vërteti…

 

Kështu u zbrazën një pjesë e qypave me florinj…

Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, ari i grabitur nga Gjermania përfundoi në Londër. Shkoi ta merrte Hysni Kapua me Behar Shtyllën, në fund të senesë ’46 siç thotë edhe një këngë! Kur anglezi po bëhej gati të hidhte firmën për kthimin e floririt, mbërriti haberi:

Minat e Enverit bënë proçkë në Kanalin e Otrantos! Një anije angleze u mbyt sepse deti ishte minuar nga qeveria komuniste me ndihmën e specialistëve jugosllavë!

 

Në Hagë nisi një gjyq ndërkombëtar. U dënua qeveria shqiptare! Dhe ari u bllokua për 50 vjet rresht, derisa u kthye në Shqipëri disa vjet më parë, pasi qeveria demokratike pagoi dëmshpërblimin.

Kuptohet, kokoshi ishte kthyer në thelën e plakës! Minat e vëna në Otranto u paguan me florinj!

 

Qypat nuk u zbrazën, por u bënë copë e çikë

Kur arka e shtetit ishte “trokë” dikush i kujtoi shokut Enver idenë e bankierit italian…

 

-Nuk jemi për mënyra kapitaliste. Ne jemi revolucionarë! Erdhëm në pushtet me grykën e pushkës? Erdhëm. Po me pushkë do të grumbullojmë edhe floririn, sepse i takon popullit dhe do ta shpenzojmë për popullin!

 

Dhe e mbajti fjalën! U derdh gjak. U mbushën burgjet me borgjezë. Dhe direktiva u zbatua në mënyrë krijuese: Qypat nuk u zbrazën, por u bënë copë e çikë!

 

Një ditë erdhi një gazetar i huaj në Shqipëri. I mori një intervistë edhe shokut Enver. Pyeti gazetari edhe për arin:

 

-Ari nuk u zhduk, por u transformua në fabrika ku punon klasa punëtore. Në bunkerë ku mbrohet liria dhe pavarësia e Atdheut tonë socialist! Në koromane që të hanë kalamanët!

 

Shumë shënime për arin që u vodh në Kërrabë.

 

Lajthitje

Prokuroria e Përgjithshme me anë të një deklarate për shtyp, në të hyrë të prillit 2000, dha haberin e parë zyrtar: Në tunelet e Kërrabës janë vjedhur 1 milion dollarë.

 

Zëdhënësi i kryeministrit, po atë ditë e ngriti stekën në 2.7 milionë dollarë. Unë në fillim besova Prokurorinë: Ajo është e pavarur, siç kanë thënë liderët e pozitës… Por të hënën në darkë, pasi i shtoi familjes një djalë dhe hëngri një vezë të kuqe nga të pashkëve, kryeministri Meta mblodhi qeverinë dhe e ngriti më lart stekën: Në tunelet e Kërrabës janë vjedhur 2.8 milionë dollarë.

 

Prokuroria lëshoi një deklaratë të dytë. Nuk merret me vogëlsira: As e pranon, por as nuk e kundërshton shifrën e Kryeministrit!

 

Vjedhja, sipas prokurorëve na paska ndodhur që në mars të vitit 1997, kur President ishte Berisha. Sipas hetimeve, të gjitha veprimet kanë qenë të sinkronizuara, brenda një plani të detajuar dhe djallëzor të Berishës. Anëtarët e komisionit që trajtonin ligjërisht rregullat e ruajtjes së thesarit në epokën e socialistëve, janë po ata të kohës së Berishës.

 

Vazhdim i përrallës

Ec e ec, mes shënimeve të shumta, dhe mësojmë se prokuroria arrestoi një fshatar, që kishte vjedhur arin me një gomar. Pas shumë hetimesh, u bë një gjyq shembullor. Pati edhe dënime. Vetëm një gjë nuk u mor vesh:

 

Ku është floriri i vjedhur në Kërrabë? Sa të dalë e vërteta do mjaftohemi me postulatin e njohur:

 

Thesaruajtësit u kthyen në thesarvjedhës! Rast unikal në botë!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...