Burri avokat pajtoi Nuredin Dumanin që ta “zhdukte”, çfarë dëshmonte Blerta Bengasi për “Stop” 2 vjet më parë

Një ndër emrat më të përfolur të momentit, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, në rrëfimin e tij, ka hedhur dritë mbi një ngjarje të denjë për skenarë filmash, të trajtuar në emisionin “Stop”.

Në 3 Nëntor 2020, Blerta Bengasi tregoi para kameras, se ish-bashkëshorti, avokati Alban Bengasi, e kishte dhunuar dhe nuk e lejonte të takonte fëmijët.

Blerta kishte urdhër mbrojtjeje, por ndihej tërësisht e pambrojtur përballë ish-bashkëshortit, që kishte vënë në lëvizje të gjitha levat e shtetit dhe botës së krimit, për t’i bërë keq nënës së fëmijëve të tij.

“Jam Blerta Bengasi nënë e dy djemve, njëri 18 dhe tjetri 7 vjeç. Pas 19 vitesh martesë unë dhe bashkëshorti im, Alban Bengasi, me profesion avokat vendosëm që të divorcoheshim pasi kjo martesë nuk funksiononte më. Në Mars 2020 unë dhe bashkëshorti Alban Bengasi u divorcuam me vendim gjykate.

Gjyqtarja Irena Plaku vendosi që dy djemtë të rrinë me të atin. Asnjëherë nuk i kam takuar fëmijët. Ish-bashkëshorti me profesion është avokat. Është i njohur. E shfrytëzon postin që ka dhe njohjet e tij. Dhuna ishte shkaku i divorcit. Pas divorcit, prapë dhunë.

Këtu më ndodhi dhe dhuna që u ushtrua mbi mua. Persona të paidentifikuar, nuk arrita t’i shikoja dot fytyrën. Si për çudi vetëm ajo ditë kamerat në atë zonë nuk funksiononin. Kanë qenë të fikura. Në datë 24.9.2020 mua më dogjën makinën. Sot do takoja fëmijët pas përfundimit të shkollës. Kur vij në shkollë ndodh e papritura. Ish-bashkëshorti im ishte i shoqëruar me 7 persona.

Nuk i njoh. Ishin brenda territorit të shkollës. Djalin nuk e takova, por u morëm me 7 horrat që kishte sjellë ish-bashkëshorti, dhe ai vetë kundra ligjit”, ka rrëfyer ajo më 3 Nëntor 2020.

Për këtë ngjarje të fundit, e dhunuara shprehej se edhe përmbaruesi ishte kërcënuar.

Përmbaruesi Klodian Petri: Më kanë kërcënuar “ do të mbushim barkun me plumba”, dhe më kanë pështyrë. Ka kamera, dua të bëj një denoncim!

Polici: Ok, dakord!

Përmbaruesi Klodian Petri: Atëherë, unë Klodian Petri, përmbarues gjyqësor pranë Zyrës së Përmbarimit Tiranë u paraqita sot në ambientet e shkollës, për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimit.

Pasi kontaktuam me palën kreditore, pala debitore Alban Bengasi është i shoqëruar me 4-5 veta, njëri prej të cilëve më është ofruar dhe më ka kërkuar, të largohem duke më kërcënuar me jetë! Më pas më janë afruar dhe ofenduar, duke dhe më pështyrë. E gjitha kjo ka ndodhur në oborrin e shkollës.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, Bengasi kishte ofruar para për dëmtimin fizik të gruas e më pas i kishte ofruar atij 120 mijë Euro për “eleminimin” e ish-gruas, pasi donte të hakmerrej, duke pretenduar për tradhti nga ana e saj.

Dumani ka treguar, se ai nuk e kishte marrë përsipër këtë punë, pasi nuk rrihte gra, duke ia kaluar atë Eljo Bitrit dhe një djali tjetër.

“Festimi donte patjetër që ti thyenim një këmbë ose një dorë. Eljo mbasi mbaroi punën më ka shkruar mesazh dhe më pas kemi pirë kafe duke më thënë që e kreva atë punë. Më tregoi që i kishte rënë me grushta fytyrës derisa e kishte parë që kishte qenë duke i dalë gjak nga fytyra.

Goditja ka ndodhur brenda në mjeti. Goditja ka ndodhur përballë byrektores. Unë e prisja gruan që kur dilte nga shtëpia nuk e mbaj mend orën, dhe e ndiqja deri tek byrektoret në fakt e ndiqja kudo që shkonte ajo, doja të dija me imtësi rrugët që bënte ku shkonte që ti jepja informacion të plotë çunave.

Shkova te Festimi i kërkova lekët por ai nuk ishte i kënaqur sepse nuk kishim thyer as këmbë as dorë por vetëm turinjtë. Festimi në atë moment kishte folur me avokatin. Avokati nuk ishte i kënaqur sepse nuk ishte arrit kërkesa e tij, ai donte që gruaja e tij të ishte sa më e dëmtuar.

Avokati pagesën ja dha Festimit dhe i kishte kërkuar Festimit që të bënim një takim të 3 të shkoja dhe unë që të diskutonim që ta eliminonim gruan e tij komplet pasi nuk donte që të ishte më gjallë. Mesa di unë avokati nuk donte që gruaja e vet të ishte gjallë pasi ajo e kishte tradhtuar me një shokun e vet të ngushtë”, thuhej në dëshminë e Nuredin Dumanit./tvklan.al

TE TJERA

spot_img