Skandali i daljes së pagave, habit Rama: Tani t’i bëjmë publike vit për vit!

Shumëkush mban mend daljen e pagave mujore të rreth 600 mijë shqiptarëve dhe shtetasve të huaj, me detajet financiare për muajt janar dhe prill 2021, gjë që shkaktoi debat të madh publik dhe probleme sidomos në kompanitë private ku secili e negocion vetë pagën e tij.

 

 

Por tani, po kërkohet që pagat të bëhen publike çdo vit dhe ideja u shpreh sot nga kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me biznese dhe individë të përfshirë në procesin e punës së Njësisë Speciale Antiinformalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet.

 

Njësia speciale është një strukturë e ngritur në mbështetje të Urdhrit të Kryeministrit me qëllim rritjen e vetëdeklarimit të pagave reale nëpërmjet realizimit të analizave të duhura dhe kryqëzimit të informacioneve, si dhe bazuar në kritere risku evidentimin e planit sektorial të lidhur me evazionin në paga.

 

Në muajin Janar 2022 njësia u fokusua në analizën e reagimit të tatimpaguesve, ku në bazë të kritereve të riskut dhe kryqëzimit të informacioneve nga palë të treta, u përzgjodhën tatimpaguesit dhe individët për kontroll. Rama tha se ky zhvillim pati efekt pasi shumë biznese ndryshuan pagat e deklaruara të punonjësve të tyre.

 

“Mendojmë që është e udhës që në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar ne t’i pyesim shqiptarët: A mos është vallë më mirë që një herë në vit të gjitha pagat të bëhen publike? Sepse kjo eksperiencë na tregon që vendet që e bëjnë këtë punë, disa vende, jo shumë vende, por disa vende që e bëjnë dhe që thonë se kjo ka efektin më të madh vetërregullues brenda për brenda sistemit për shkak se krijon përmes transparencës presionin pozitiv të nevojshëm mbi gjithë komunitetin e biznesit,

 

ne mendojmë që kjo është shumë e vërtetë, se e shohim që impakti i kësaj ngjarje dhe i gjithë punës së bërë pas kësaj ngjarje, por jo vetëm i punës nga ana jonë, por dhe i pranueshmërisë së lartë që gjeti komunikimi ynë me biznesin, të cilit i kërkuam përmes letrash të dërguara të personalizuara që të rishikonin dhe të korrektonin pagat rezultoi shumë i suksesshëm në këtë fazë.

 

 

Kështu që, ideja që pagat mund të bëhen publike çdo vit, një herë në vit, është një ide që natyrisht nuk mendoj se ne duhet ta aplikojmë me të thënë e me të bërë, por të cilën ia vlen të konsultohet opinioni publik”, tha z.Rama duke kërkuar kështu të legalizojë rrjedhjen e pagave nga strukturat shtetërore dhjetorin e kaluar.

 

Fjala e plotë e Ramës

“Ky është një takim i hapur me një përfaqësi të biznesit përsa i përket çështjes së informalitetit dhe formalizimit të pagave. Ju të gjithë e keni parasysh siç besoj nuk e ka harruar askush se çfarë efekti pati dalja e pagave në publik, që përveç anës së vet negative kishte dhe një anë jo të vogël pozitive sepse i gjithë opinion publik u ballafaqua me një realitet, i cili pavarësisht rregullimeve në vite, ishte pasqyrë e një deformimi të madh për të cilën ne kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm.

 

E sikundër e bëmë dhe me dije, ne ngritëm Njësinë Speciale të Antiinformalitetit për të zhvilluar një proces kontrolli të detajuar dhe për të na dhënë një analizë të gjithë situatës. Një analizë shumë të detajuar, por ajo që është më e rëndësishme dhe që dua ta ndaj me ju si një reflektim konkret për ne, është që punën kryesore e bëri komunikimi intensiv i Agjencisë përkatëse së Tatimeve me kompanitë, me bizneset dhe faktikisht kërkesa e përsëritur që të gjithë bizneset të rishikojnë situatën me pjesën informale të pagave ka dhënë rezultate shumë domethënëse, të cilat nga një anë tregojnë se pasqyra formale zyrtare e shifrave të pagave që u bënë dhe publike nuk është pasqyra reale dhe se vetëm nga ky korrektim i bërë nën presionin e opinionit publik mbi të gjitha bizneset, por edhe si rezultat i një shtyse të fortë që ne u munduam t’i japim të gjithë komunitetit të bizneset kemi një rritje të pagës mesatare të Republikës së Shqipërisë. Dhe kemi mbi 25 % të të punësuarve në Republikën e Shqipërisë që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale në një nivel më të lartë, që do të thotë se ata nuk merrnin në fakt pagën minimale të deklaruar, por merrnin më shumë, të gjithë!

 

E ndërkohë, perceptimi negativ mbi ekonominë dhe mbi biznesin vetë për shkak të këtyre deformimeve ishte prezent shumë më tepër sesa ç’duhej ose sesa kishte lidhje me realitetin.

 

Unë nuk dua të zgjatem më shumë sepse këtu jam bashkë me Ministren dhe me Zëvendësministren, përveç edhe Drejtorit të Tatimeve që është këtu me ne, dhe dua t’i falënderoj për punën që kanë bërë në këtë drejtim, dhe do tua kaloj fjalën për të dhënë disa informacione shumë domethënëse sipas meje të kësaj pune të bërë. Ndërkohë që, unë them vetëm dy gjëra.

 

Së pari, ne duke parë këtë eksperiencë, e cila erdhi si rezultat i një ngjarjeje aspak të dëshiruar dhe aspak të mirëseardhur, dalja e pagave në publik, mendojmë që është e udhës që në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar ne t’i pyesim shqiptarët: A mos është vallë më mirë që një herë në vit të gjitha pagat të bëhen publike? Sepse kjo eksperience na tregon që vendet që e bëjnë këtë punë, disa vende, jo shumë vende, por disa vende që e bëjnë dhe që thonë se kjo ka efektin më të madh vetërregullues brenda për brenda sistemit për shkak se krijon përmes transparencës presionin pozitiv të nevojshëm mbi gjithë komunitetin e biznesit, ne mendojmë që kjo është shumë e vërtetë, se e shohim që impakti i kësaj ngjarje dhe i gjithë punës së bërë pas kësaj ngjarje, por jo vetëm i punës nga ana jonë, por dhe i pranueshmërisë së lartë që gjeti komunikimi ynë me biznesin, të cilit i kërkuam përmes letrash të dërguara të personalizuara që të rishikonin dhe të korrektonin pagat rezultoi shumë i suksesshëm në këtë fazë.

 

Kështu që, ideja që pagat mund të bëhen publike çdo vit, një herë në vit, është një ide që natyrisht nuk mendoj se ne duhet ta aplikojmë me të thënë e me të bërë, por të cilën ja vlen të konsultohet opinioni publik.

 

Ministrja do ndajë me ju dhe me publikun edhe ku jemi me punën e bërë për të vënë në jetë aspektet e Këshillimit Kombëtar që kanë të bëjnë me punësimin dhe me evazionin. Ndërkohë, po ja kaloj fjalën zëvendësministres, e cila e ka drejtuar njësinë speciale anti informalitet për t’ju prezantuar disa rezultate që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me sektorët në të cilët ju jeni të përfshirë, të aktivizuar, të angazhuar dhe pastaj ministrja për të bërë dhe disa nënvizime të tjera të rëndësishme.

 

* * *

Së pari, këto kontrolle të bëra nga njësia janë kontrolle që kanë synuar dhe faktikisht kanë nxjerrë në pah jo thjesht problematika të një kompanie apo dy kompanish të kontrolluara për çdo sektor, por të krejt sektorit sepse metodologjia është e tille që të jep informacion mbi sektorin jo thjesht mbi kompanitë dhe në kushtet e sotme, kur është një situatë që ju e keni shumë mirë parasysh, e ngarkuar në mënyrë të posaçme për shkak të pasojave që lufta në Ukrainë ka sjellë në gjithë zinxhirin tregtar të Evropës dhe të botës, patjetër dhe mbi çmimet, çka e kemi konstatuar të gjithë dhe çka është në të gjithë botën. Kjo është një kohë kur ata që kanë më shumë, duhet me patjetër të kontribuojnë më shumë në mënyrë që barra e kësaj ngarkese të posaçme të ndahet në sa më të drejtë.

 

Për më tepër, është një kohë kur patjetër të gjithë bizneset duhet të hedhin një hap më tutje për të formalizuar marrëdhëniet me punëmarrësit e tyre, për të formalizuar pagat e tyre dhe për të mos ngrënë pensionin e tyre.

 

Si mund të hahet pensioni i tjetrit?

Ne do të bëjmë një punë shumë intensive lidhur me kontratat, punë që ministrja e ka nisur me disa raste specifike dhe për të cilën ne po punojmë për të mbështetur punëmarrësit por edhe për të ndihmuar punëdhënësit që të ketë kontrata që garantojnë të dyja palët. Nuk mund të kemi situata kontraktuale nga ato që kemi verifikuar, në rastet e kontrollit.

 

Ashtu sikundër është shumë domethënëse që në gjithë sektorët me risk, janë 52 %, janë më shumë se gjysma, janë mbi 50 mijë të punësuar që kanë kaluar mbi pagën minimale si rezultat i këtij korrektimi ashtu skundër është shumë domethënëse që janë 20 e kusur përqind e të punësuarve totalë që janë rritur në pagë si pasojë e këtij korrektimi dhe që sot me marsin kemi një pagë mesatare të rritur me mbi 100 mijë lekë të vjetra. Që të jemi të qartë, 10 mijë e ca, 100 mijë e ca të vjetra, janë të gjitha shumë domethënëse.

 

E fundit që kam është që në do të shkojmë më tutje në ballafaqimin e pagave të deklaruara me stilin e jetesës. Kjo vlen sidomos për ata që marrin paga të larta dhe që i shmangen deklarimeve në mënyra të ndryshme. Ka dhe një axhustim për të bërë për të cilin do flasë ministrja lidhur me mbylljen e asaj hapësire ku luhet nga individët për tu shfaqur si subjekte fizike apo ku di unë se çfarë, po përtej kësaj ne do të ecim me kontrollet që do të synojnë gjetjen e boshllëqeve midis deklarimit të të ardhurave dhe stilit të jetës. Mund të deklarosh të ardhura X dhe të kesh shtëpia edhe vetura që nuk bëhen kurrë me ato të ardhura.

 

Në Këshillimin Kombëtar që ne e bëmë, mbështetja për fuqizimin e masave, për forcimin e masave antievazion, ishte mbi 65%, ashtu sikundër ishte 70% mbështetja për ata që dëmtohen nga punëdhënësit, që dëmtohen me paga fiktive dhe që dëmtohen me gjendjen e informalitetit në një ndërmarrje dhe një mbështetje që ne do ta kthejmë në masa ligjore për të cilat do të flasë ministrja përveç të tjerave.

 

* * *

Natyrisht që, këto që ministrja tha ne do t’i konsultojmë me komunitetin, nuk diskutohet qoftë ndërhyrjen me ligj për profesionet e lira, qoftë këto ndërhyrjet e tjera për shtrëngimin e masave kundër informalitetit dhe për mbrojtjen më të fortë të punëmarrësve të cënuar nga punëdhënësi.

 

Do t’i konsultojmë me ju, me komunitetin e biznesit, do t’i konsultojmë me profesionistët e lirë për të kuptuar ekzaktësisht ku janë pikat e takimit. Natyrisht që një pjesë e tyre janë arsyeja që ne po ndërhyjmë, jo të gjithë dhe në anën tjetër, ne duhet të kemi një djalog dhe një konsultim sa më gjithëpërfshirës.

 

Elementi tjetër është që së shpejti do të avancojmë në një politikë tjetër përsa i përket punësimit të personave që janë me ndihmë ekonomike dhe që gëzojnë të gjitha kapacitetet fizike për punë dhe edhe këtu një politikë, e cila do të jetë shumë e lidhur me komunitetin e biznesit dhe do të bazohet shumë në partneritetin me biznesit.

 

Pra, ne nuk do të tërhiqemi nga dhënia e kontributeve për këta persona, por ne besojmë që duke dhënë ne kontributin dhe duke shtuar dhe biznesi diçka me marrjen në punë të këtyre personave, ne mund të integrojmë një tjetër masë të rëndësishme njerëzish në punë përmes një politike që nxjerr nga situata e papunësisë dhe e gjendjes të vazhdueshme nën përkujdesje sociale njerëz që janë të aftë për punë.

 

Natyrisht nuk bëhet fjalë për persona që janë me aftësi të kufizuara ose që janë invalidë. S’jemi duke folur për këtë pjesë dhe e përsëris objektivi është që bashkërisht të punojmë për të rritur dinjitetin, respektin për dinjitetin e njerëzve që bëjnë një punë dhe që meritojnë të marrin atë që ju takon për sot dhe për nesër. Pra, të marrin pagën sot dhe të marrin kontributet e nevojshme e merituara për pensionin e nesërm dhe për kujdesin shëndetësor kur të kenë nevojë sepse kjo është arsyeja pse ne jemi bashkë, pse ne jemi partnerë: Qeveria dhe biznesi.

 

Arsyeja themelore është për t’i dhënë dinjitet punës, njerëzve të punës. Askush nuk ka të drejtë që t’u hyjë në hak njerëzve që punojnë për të dhe tjetra për më tepër në kushtet e sotme që janë kushte jo të lehta për të gjithë botë, për gjithë Europën, për gjithë rajonin dhe s’ka si të jenë të lehta për ne ku barra duhet ndarë në mënyrë të arsyeshme dhe kush ka shpatulla më të forta duhet të mbajë më shumë pjesë të kësaj barre aq më shumë në një vend si i yni që kemi taksat më të ulëta.

 

Nuk ka asnjë vend në Europë, nuk diskutohet, s’bëhet fjalë, por as në rajon me një taksë zero për biznesin e vogël. Nuk ka! Ashtu sikundër me TVSH zero për biznesin e vogël siç e kemi ne, nuk ka!

 

Nga ana tjetër, taksa për biznesin e madh është më e larta në rajon. E kemi rritur ne dhe kemi qenë shumë të vetëdijshëm që është gjëja e duhur që duhet bërë, por nuk është një taksë e lartë 15%, është një taksë e arsyeshme dhe ne e kemi thënë në krye të erës dhe po e mbajmë që nuk do të rrisim asnjë taksë, por kjo prezumon që të gjithë të marrin përsipër pjesën e tyre sepse ndryshe nuk funksionon.

 

Për ta mbyllur, është një moment shumë inkurajues ndarja me ju dhe publikun e këtyre rezultateve që kemi arritur bashkërisht sepse nuk është një rritje pagash që ka ardhur si rezultat i një pagese nga ana juaj më shumë sesa paguani, por është një rritje pagash që ka ardhur si rezultat i daljes nga errësira në dritë dhe që u jep mundësi atyre njerëzve që të kenë kontribute pensionesh dhe shëndeti më të plota.

 

Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Këtu ka ndikuar siç ne e kemi pritur, çuarja lart në 400 mijë lekë, në 40 mijë lekë të reja që hyn në fuqi së shpejti dhe që vetvetiu e bën të lehtë, ose pak më të lehtë për ju sepse nuk ka më asnjë taksë. Pra për çdo pagë deri më 400 mijë lekë të vjetra, është zero taksa, për çdo pagë deri më 500 mijë lekë të vjetra është gjysma e asaj që ka qenë dhe që është dhe tani, do të rrisim dhe pagat në sektorin publik për ushtarakët, për punonjësit e policisë që janë jashtë vendbanimit, për mësuesit, për mjekët, për infermierët dhe besoj që është një frymëmarrje e rëndësishme në këto kushte që jemi.

 

Nga ana ime ju falënderoj, nëse dikush ka diçka për të thënë është i mirëseardhur dhe i mirëpritur ta thotë. Ne e pamë të rëndësishme që këtë komunikim ta bëjmë në prani të përfaqësuesve të atyre sektorëve që janë audituar për t’i ndarë drejtpërdrejt rezultatet më domethënëse se ka dhe shumë detaje që nuk janë të rëndësishme.

 

Përsëri, drejtoria e tatimeve do komunikojë me të gjithë tatimpaguesit për t’ju bërë të ditura këto rezultate kryesore dhe për të vazhduar t’ju kërkojë të vetërregullohen dhe të mos presin të vijë kontrolli dhe të ndëshkohen. Rruga më e mirë është kjo!”

TE TJERA

spot_img