Investon me vëllanë, pronare del kunata

Dy vëllezër nga Kosova, Mentori dhe Fatmiri ndodhen sot përballë njëri-tjetrin në “Shihemi në Gjyq” për shkak të një investimi të kryer në vitin 1996 në një pronë në Malin e Robit.

Fatmiri, si një nacionalist i flaktë, kishte këmbëngulur për kryerjen e këtij investimi në Shqipëri dhe i kërkoi vëllait një shumë të madhe parash. Për këtë projekt ra dakord edhe një kompani gjermane, u hartua një masterplan, por gjithçka ka mbetur e pandërtuar.

Akt marrëveshja e fundit, e kryer në vitin 2010, rezulton që njeh si blerëse bashkëshorten e Fatmirit, me të cilën është në prag divorci. Mentori i kërkon vëllait të dijë se ç’do bëhet me investimin, ndërkohë që asnjë prej palëve dakordësuese nuk ndodhet në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Fatmir: Kur unë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1996 nuk kam pasur të drejtë ta vendos në emrin tim. Unë e vendosa te noteri, pastaj doli problemi që s’mund ta vija mbi vete.

Mentor: Po emri im ku është?

Fatmir: Vëlla, nuk kam mundur ta vendos.

Mentor: Te noteri, që edhe ky është bashkëpronar?

Eni Çobani: Të lutem, ke një akt marrëveshje këtu, se duhet të jemi korrektë. Unë e kuptoj emocionin tuaj që ju vjen keq që jemi në këtë ditë, por duhet t’i themi gjërat të vërteta. Pra, ti ke bërë një akt marrëveshje për shitje toke trual në bashkëpronësi në vitin 2008, e njeh këtë dokument apo jo?

Fatmir: Po.

Eni Çobani: Shumë bukur, tani më thuaj, ku je ti në këtë dokument?

Fatmir: Unë s’jam fare.

Eni Çobani: Pikërisht. Këtu është Hekuran Kaja dhe besoj që njeh këtë, edhe Emanuela Muçolli, ndjesë, nuk e njoh. Kush është Emanuela?

Fatmir: Emanuela është gruaja ime. Për momentin kemi probleme dhe jemi në prag divorci për shkak të kësaj pune.

Eni Çobani: Pra është bërë një akt marrëveshje, janë hedhur para pafund dhe në këtë dokument është vetëm shitësi që njihet që është Hekuran Kaja dhe blerësi është bashkëshortja e zotërisë, ku sot me këtë bashkëshorte jemi në prag të divorcit pikërisht për këtë rast. Është viti 2022. Fatmir, të lutem se duhet të jeni shumë korrektë kur flisni, ju keni jetuar shumë herët në Europë, kuptoni rëndësinë e dokumentacionit, e noterit. I ke marrë para këtij vëllait dhe këtë vëllain s’e ke fare, po vëllai s’e di që s’je as ti. Këtu është Emanuela Muçolli.

Fatmir: Ajo është e gatshme të shkruajë.

Eni Çobani: Atë s’e kemi, ti je duke u ndarë me të.

Fatmir: Unë kam kaluar depresion të madh në 2009 dhe kam humbur edhe punën në Gjermani, edhe jetën e kam humbur.

Mentor: Vëlla, kjo është arsyeja që gjithmonë je nisur me zemrën tënde. Nuk i besohet çdo njeriu. Nuk i besohet kujtdo që takon, “të kam vëlla”. S’kam askënd vëlla para vetes./tvklan.al

TE TJERA

spot_img