Legjenda e Zojës së Shkodrës

Historia imazhit, zë fill më 25 prill 1467, kur vepra (një fragment afresku i prerë dhe i hequr) u zhvendos nga një mur i kishës së vjetër agostiniane ‘Shën Maria” në Shkodër dhe u vendos në Santuarin e Maddona del Buon Consiglio në Genazzano, pranë Romës.

 

 

Legjenda thotë, se në vitin 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën në rrethim, e kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik, për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.

 

Ndërsa në blogun e saj, Elena Kocaqi e përcjell kështu legjendën e mrekullueshme: Gjergji e Shkjau e lanë Shkodrën pas vdekjes së mbretit të madh të shqiptarëve, Skënderbeut, pas 17 janarit të vitit 1467, kur turqit, që tani nuk kishte kush t’i pengonte, po vinin drejt tokave të arbërve. Shumë prej kalave kishte rënë në duart e tyre e Shkodra priste shpejt edhe ajo atë fat të tmerrshëm.

Si shumë të tjerë edhe Gjergji e Shkjau menduan se duhej të iknin prej vendit të tyre, po nuk donin të humbisnin atë që për ta ishte gjëja më e çmuar në botë: fuguren e shenjtë të Zojës së Shkodrës. Ulur në gjunjë duke u lutur para Zojës së Këshillit të Mirë, ata patën një frymëzim mbinatyror, që i këshilloi si të vepronin.

 

Të bindur se ajo këshillë vinte prej vetë buzëve të Virgjëreshës së Shenjtë, Gjergji e Shkjau u kthyen të ngushëlluar në shtëpitë e tyre për t’u çlodhur. Në mëngjes, kur u takuan mësuan se të dy kishin parë të njëjtën ëndërr: Shën Maria u kishte thënë të përgatiteshin të linin vendin e tyre fatkeq e të mos shpresonin se do ktheheshin më. Madje edhe ajo vetë do ta linte Shkodrën, që tashmë nuk po e nderonte atë si më parë dhe i ftoi besimtarët e saj Gjergjin e Shkjaun, të ndiqnin rrugën e fugures, kudo t’i shpinte ajo.

 

Ata u përgatitën për rrugë dhe vajtën të përshëndeten me kishën e tyre e të gjunjëzohen për herë të fundit, para shenjtores. Nuk ishin gjunjëzuar ende mirë, kur fugurja u shkëput prej nikes ku rrinte që prej dyqind vitesh dhe e mbështjellë me një re të bardhë, doli nga kisha dhe nisi rrugën në drejtim të detit.

Dy pelegrinët ecën pas resë që mbështillte fuguren. (A ishte “reja e bardhë” pluhuri që u ngrit prej shkëputjes së afreskut nga muri?) Reja lëvizi pa u nxituar e pa u ndalur edhe mbi det, e ata pas saj, sepse valët iu bindën vullnetit të Nënës së Shenjtë të Birit të Zotit e u bënë të forta si toka për ta. Pa asnjë pengesë, ata arritën në brigjet e Italisë. Në errësirën e natës ua ndriçonin rrugën rrezet e ndritshme të resë. Po kur arritën në tokën italiane, dy pelegrinët e humbën nga sytë renë me fuguren. Gjergji e Shkjau shkuan në Romë, duke menduar se fugurja do kishte shkuar atje në Qytetin e Shenjtë të papëve.

 

Tre muaj pas largimit prej Shkodrës, rreth fundit të muajit prill, ata dëgjuan për fuguren e mrekullueshme të Zojës dhe Birit të saj, që kishte zbritur në Xhenacano. Të dy pelegrinët nxituan për atje, e lëshuan klithma gëzimi dhe falënderimi kur panë se e gjetën përsëri Zojën e tyre, u gjunjëzuan dhe u betuan se nuk do të largoheshin më prej fugures, deri sa të vdisnin.

 

Pse fugurja e Zojës së Shkodrës ndaloi në Xhenacano dhe u vendos në kishën e Madonës së Këshillit të Mirë, atje?

 

Xhenacano ishte një prej qyteteve të parë italianë, që përqafuan krishtërimin. Madje thuhet se prej lartësisë së malit të tij Shën Pjetri hodhi vështrimin e parë mbi Romën.

 

Pamja që e rrethon Xhenacanon është e mrekullueshme nga të katër anët e horizontit. Që në lashtësi atje kishin vilat e tyre patricët romakë. Vila Kaludia e familjes me të njëjtin emër ishte ndër më të bukurat. Vila ndërroi shumë pronarë, po festat në nder të perëndeshës Venus, vesi e tepërimet e shoqëruan jetën në këtë vilë gjatë gjithë periudhës së perandorëve paganë. Kur perandoria e Cezarëve kaloi në duar te perandorit të parë kristian Kostantinit, edhe vila Klaudia u bë pronë e tij.

Shën Marku vendosi rregullat e Zotit të kristianëve në ato rrethina dhe në vendin ku dikur ngrihej tempulli i perëndeshës së paturp Venus, ai ngriti kishën e parë kushtuar nënës së shenjtë të Jezusit, nën emrin Madona e Këshillit të Mirë. Kështu ai besonte se do të pastrohej vendi nga shthurrjet e neveritëshme pagane dhe popullsia do t’i përkushtohej vetëm Zotit të vërtetë, që ishte një. Fshati i vogël i quajtur Genazzano/ Xhenacano u zgjerua shpejt rreth kishës, që ngriti shenjti.

 

Adhurimi për Madonën e Këshillit të Mirë u ruajt në Xhenacano, po kisha e saj e vogël, me kalimin e kohës dhe lënies pas dore shkoi drejt shkatërrimit. Kisha më të mëdha ndërtoheshin rreth saj, megjithatë çdo 25 prill popullsia e Xhenacanos mblidhej rreth kishës së vogël të Madonës për ta nderuar shenjtoren, ashtu si e kishte vendosur shenjti Mark.

 

Në 1436 Petrucia, një besimtare e devotshme pesëdhjetëvjeçare, trashëgoi nga i shoqi gjithë pasurinë e tij, që vendosi ta përdorë për të mos e lënë kishën e vogël të shkatërrohej plotësisht. Nën shpotitë e banorëve, që e quanin të marrë, nën trysninë e fisit i cili e donte për vete atë pasuri, gjatë tridhjetë viteve të mëpasme të jetës së saj ajo pagoi për të mbajtur në këmbë muret, që kisha të mos zhdukej fare.

Deri atë të shtunën e 25 prillit të vitit 1467, kur rreth orës katër e gjysmë pas dite ndodhi mrekullia: turma e mbledhur për të nderuar Madonën rreth kishës ende të papërfunduar, pa mbi kokat e saj një re të bardhë e të bukur dhe engjëj që mbanin fuguren e Zojës me Krishtin e vogël, dora e djathtë e të cilit përqafonte nënën plot dhembshuri. Fugurja u ul e zuri vend në murin e kishës ende të pambaruar, atje ku është edhe sot.

 

Pas kësaj u mblodhën fondet e duhura e kisha u rindërtua. Duke mos e ditur nga vinte kjo ikonë, të gjithë besuan se vinte prej Parajsës. Lajmi i mrekullisë u përhap me shpejtësi, bashkë me lajmet e mrekullive të tjera, që u ndodhën besimtarëve e pelegrinëve, të cilët nisin të vinin nga të gjitha anët në kishën e Xhenacanos. Ashtu si vajti Gjergji e Shkjau. Banorët e Xhenacanos i pyetën dy të huajt dhe dëgjuan nga dy pelegrinët se ishin banorë të Shkodrës, një qytet në anën tjetër të Adratikut. Historinë që ua treguan banorëve të habitur të Xhenacanos tanimë e dimë.

 

Riprodhimet

Për shkak të simbolikës që përcolli, ky imazh pati një jehonë të madhe dhe gjatë shekujve të mëvonshëm, nga artistë të ndryshëm, u krijuan shumë riprodhime. Këto riprodhime të Figurës së Zojës së Shkodrës u interpretuan zakonisht në pikturën e telajos kryesisht në Itali dhe vendet e tjera evropiane, por edhe në Shqipëri. Në shekullin XVII, në familjen e paraardhësve të Pashko Vasës thuhet se ka patur një riprodhim të Zojës së Shkodrës. Kolë Idromeno i kushtoi një tablo me titull “Të ikunit e Zojës së Shkodrës në Gjenacan”, ndërsa një vepër tjetër Zojës e Shkodrës i është kushtuar në Itali dhe nga piktori shkodran me origjinë nga Dukagjini, Ndoc Martini e titulluar “T’ikunit e Figurës s’Zojës s’Shkodrës”. Një ndër këto riprodhime është dhe tabloja “Zoja e Shkodrës” me autor anonim realizuar në shekullin XIX, që ndodhet në famullinë e Shën Shtjefnit në Shkodër.

 

Piktura në telajo “Zoja e Shkodrës”

Nuk ka të dhëna për vendin e origjinës të pikturës dhe as për autorin, apo periudhën kur u interpretua. Mendohet se është një pikturë e interpretuar në shek. XIX. Nga të dhënat e deritanishme (jo të dokumentuara) rezulton se vepra i është dhuruar Katedrales. Informacioni i vetëm deri tani është se piktura ka qenë e vendosur në altarin e Katedrales së “Shën Shtjefnit” në Shkodër. Në periudhën kur u ndalua besimi fetar dhe institucionet fetare u mbyllën nga shteti (1967), Katedralja e “Shën Shtjefnit” u transformua në pallat sporti. “Zoja e Shkodrës” u transferua bashkë me objekte të tjera liturgjike në muzeun e ateizmit që ndodhet gjithashtu në Shkodër. Në këtë muze, vepra qëndroi për shumë vite e më pas, në vitet ’90 u kthye përsëri në Katedralen e “Shën Shtjefnit”, për t’u ekspozuar në famullinë e saj. Vepra ndodhet në Famullinë e Katedrales së “Shën Shtjefnit”, Shkodër nën kujdesin e Dom Artur Jakut, që është Administrator Famullitar në këtë Katedrale.

 

Përshkrimi artistik

“Zoja e Shkodrës” paraqet një imazh të njohur të Shën Marisë me Krishtin fëmijë. Kompozimi paraqet një figurë të saj nga mesi e lart, ku Maria mban fëmijën me krahun e saj të majtë në një atmosferë të ngrohtë afrimiteti. Portretet janë trajtuar me delikatesë dhe profesionalizëm. Portreti i Virgjëreshës mban vështrimin poshtë dhe prek pak Krishtin me sytë blu, që njërën dorë e mbështet në gjoksin e Marisë ndërsa dora tjetër përfundon butësisht në qafën e saj.

 

Të dyja figurat paraqiten në një hapësirë të thjeshtë, me një sfond të errët, ku dallojnë dy aureola të ndryshme mbi kokat e tyre si dhe një ylber shumëngjyrësh që përshkon sfondin. Piktura është ekzekutuar me ngjyra vaji mbi një shtrat përgatitor shumë të hollë, në një kanavacë të thurur dendur.

 

Gjatë vitit 2015, specialistët e IMK kryen një ndërhyrje prekonsoliduese që konsistoi në ndalimin e degradimit të veprës. Në tetor 2016 vepra shkoi për restaurim në laboratorin e restaurimit të Palazzo Spinelli, Firenze–Itali.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img