Takon pas 47 vitesh djalin/ Rrëfimi tronditës i gruas: Babai më mohoi kur mori vesh që isha shtatzënë!

Ndryshe nga herët e tjera në “Ka Një Mesazh Për Ty”, dërguesi i tij hyn në studio më vonë se sa marrësi. Hekria ka 47 vite që kërkon djalin e saj, Rudinin.

 

Ky i fundit ka mbërritur në “E diela shqiptare” në Tv Klan dhe rrëfeu anën e tij të historisë, momentin kur mori vesh që ishte i birësuar. Megjithatë, për Altinin, i cili është emri që i ka vendosur familja birësuese, nuk është e qartë rrethana pse jeta e tij pësoi këtë kthesë.

 

Hekria, e cila e kërkon prej vitesh, nuk e di që Rudini i saj, sepse ajo kështu e njeh, po e dëgjon nga ana tjetër e ekranit. Ajo fillon të tregojë të gjithë ngjarjen, edhe përpara lindjes së djalit të saj duke hedhur dritë mbi gjithë historinë.

 

Pas përfundimit të ciklit 8-vjeçar në Kavajë, Hekria u shpërngul në Durrës për të vazhduar studimet në shkollën mekanike. Në vitin e dytë atje, u njoh me një djalë, i cili ishte në të njëjtën klasë me të, por kishin 7 vite diferencë në moshë. Gjithsesi, morën vendimin të fejoheshin edhe pse babai i Hekries nuk e përkrahu këtë zgjedhje të së bijës. Kjo sigurisht e mërziti shumë, por më pas mes Hekries dhe djalit, nisi të krijohej një hendek.

 

Hekrie: Ne përpara se të merrnim diplomat e shkollës, na dërgonim në aksion. U shpërndanë dhe diplomat, shikoj një largësi, afrimitet fare.

 

Ardit Gjebrea: Nga djali?

 

Hekrie: Po

 

Ardit Gjebrea: Po pse?

 

Hekrie: Unë s’kam kuptuar asgjë Ardit.

 

Ardit Gjebrea: Po kur mbete shtatzënë me të?

 

Hekrie: Kur isha 17 vjeçe.

 

Ardit Gjebrea: Ai u shkëput në momentin që i the që je shtatzënë apo më përpara?

 

Hekrie: Pak më përpara, e shikoja që ishte shumë i largët, nuk më afrohe, thashë diçka ka, por s’kuptoja.

 

Ardit Gjebrea: E zbulove më vonë çfarë kishte apo jo?

 

Hekrie: Më pas e pashë largësinë edhe vjen mami im në oborrin e shkollës më thotë: “Diçka ke’. I thashë: “Çfarë?”, “kur të vish në shtëpi” më tha. Shkova në shtëpi, u ndamë, ai iku në shtëpinë e vet, unë në shtëpinë time edhe do vij, do vij…

 

Ardit Gjebrea: S’erdhi?

 

Hekrie: Jo.

 

Ardit Gjebrea: Ndërkohë e dinte që ti ishe shtatzënë?

 

Hekrie: Ai e dinte por unë nuk e dija. Unë nuk kam kuptuar asgjë.

 

Ardit Gjebrea: Po ai nga e dinte?

 

Hekrie: Se isha 5 muajshe e gjysmë. Mami më ka kuptuar. “Nuk të shikoj mirë, ti je kështu”.”Jo” i thashë unë. Se kush i tha babit tim. Më përzunë nga shtëpia.

 

Ardit Gjebrea: Ku vajte?

 

Hekrie: Erdhi daja im, në atë kohë ka qenë shef sigurimi në Ministrinë e Mbrojtjes, më mori, më dërgoi në Kukës. Ndenja në Kukës gati 3 muaj. Pas Kukësit më sjellin në Ishëm.

 

Ardit Gjebrea: Pse duhet ta lindje fëmijën në Ishëm?

 

Hekrie: Nuk lejohej, se kishin hallin e babit tim, se mos ndodhte diçka, se ai që kur e mori vesh tha “unë nuk kam më vajzë”.

 

Ardit Gjebrea: Të mohoi?

 

Hekrie: “Vajza ime ka vdekur që sot” tha.

 

Hekria nuk mundi të zgjidhte dot babain e duhur për djalin e saj, i cili e braktisi të birin ende pa lindur, por ajo zgjodhi të ishte një nënë e vetme në një kohë të vështirë. E re, e vetme dhe me një djalë që u detyrua ta linte në një jetimore në Durrës vetëm për të mundur të bënte diçka për të, ajo shkonte dhe e takonte Rudinin e saj çdo dy javë. Në kthimin e saj pas në kohë, merr pjesë edhe Rudini ose siç e njeh veten ai sot, Altini, i cili ndodhet pas ekranit të “Ka Një Mesazh Për Ty” duke dëgjuar nënën e tij biologjike, të humbur prej kohësh.

 

Takimet e tyre, deri kur Rudini ishte 4 vjeç, Hekria i kujton me duart e të birit që i rrethonin fort belin dhe fjalë lutëse për të mos u larguar. Kjo, deri në takimin e tyre të fundit, përpara se ajo ta humbte atë për shumë vite dhe të vihej në kërkim të tij, i cili e shpuri në “E diela shqiptare” në Tv Klan.

 

Hekria: Kur kam shkuar për herë të fundit që do bënte 4 vjetët, roja i portës më tha “po pse ke ardhur?”, i thashë “të takoj Rudinin”. “Nuk është Rudini, Rudini ndërroi jetë”, tha. Nuk e dija se ku isha… që unë për atë Rudin jetoja. Edhe pse më tha kështu, mua sikur më ngrohej këtu, një zë më thoshte që “jo”. I thashë “më jep ndonjë dokument, të shikoj ku është djali”, tha “jo, ik e mos hajde më”. Ika.

 

Ky është një nga momentet rrënqethëse të historisë së Hekries, teksa Altini apo Rudini i saj po dëgjon se si rrethanat dhe kthesat e forta të jetës e kanë ndarë nga gjiri i nënës së tij. Por lutjeve të saj iu përgjigj një i njohur, i cili i zbuloi një takim krejt të rastësishëm.

 

Gjatë kësaj kohe, kalojnë vitet, u futa dhe në punë, më rrinte mendja te Rudini. Plasi eksodi i ‘90’s, kam pasur një komshi afër në Kavajë. ’90-’93 ka qenë kur vjen pas 3 vjetësh ky komshiu e më thotë “hajde të të them një fjalë të mirë. A e di se unë kam udhëtuar me Rudinin në një anije, me djalin tënd?”, i thashë ‘’çfarë thua”? , tha “kam udhëtuar me djalin tënd deri në Gjermani, ai ka ikur në Lion të Francës dhe unë ndenja në Gjermani’, kujton nëna momentin tronditës kur mësoi se i biri ishte gjallë.

 

Ardit Gjebrea: Kujt i ngjan?

 

Hekria: Lorenci i dytë. Unë nuk e di, po shoh ëndërr, nuk më besohet. E gjeti Hekria Rudinin, nuk e di. Kam vuajtur shumë. Do bëjmë muhabet bashkë do t’i tregoj të gjitha, çfarë ka hequr kjo nënë vetëm të kërkoj Rudinin. Si e ka, Altin?

 

Ardit Gjebrea: Altin.

 

Hekria: Ta gëzojë, ia ka vënë nëna e vet, e falenderoj me shpirt, që ka rritur djalin tim dhe djalin e vet, që nuk është vetëm i imi. Unë e linda, ajo nënë është nëna me e dashur për të që e ka rritur, sepse jam nënë vetë. E falenderoj me shpirt dhe bravo i qoftë. Altin, Rudin dy emra unë nuk mund t’i harroj kurrë. Altin i mamit tënd që të rriti dhe Rudini im që të linda. Shpirti im! Rudini im ti! Zemra ime ti! E kam ëndërr, është ëndërr! Shpirti im ti, të kam pritur 47 vjet!

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img