Profesor Shpëtim Dajçi, kërkon para për orët e mësimit që do zhvillojë në Shkollën Shtetërore të Baletit, përkatësisht në vitin e katërt. Tarifa e tij prej 1 mijë lekësh të vjetra në ditë do mblidhet nga një nxënës i klasës për dy muaj me radhë. Këtë gjë që është në kundërshtim me ligjin, profesori e kërkon në orën e mësimit.
Emisioni Fiks Fare solli një historik të shkurtër të Shkollës së Baletit, e cila është e vetmja shkollë shtetërore koreografike në Shqipëri.
Kurset e para të së cilës nisën që në vitin 1957 dhe zhvilloheshin nga profesorë të shkolluar në Rusi. Por jo vetëm kaq historiku i Shkollës së Baletit është i pasuruar me emra balerinësh të cilët kanë bërë emër në skenat botërore, dhe kanë dalë pikërisht nga dyert e kësaj shkolle.
Ilir Kerni, Ilir Shaqiri, Ambeta Toromani, Kleidi Kadiu, Oriada Islami, Marlon Dino, Aris Golemi janë vetëm disa nga emrat e balerinëve shqiptar në skenat botërore. Por sot në këtë shkollë ka dhe nga ata profesorë që kërkojnë para për zhvillimin e orëve mësimore. Fiksi solli rastin e profesor Shpëtim Dajçit i cili në orën e baletit u kërkon para nxënësve të vitit të katërt për orën e mësimit.
Sipas tij nuk e paguan shteti për këtë gjë dhe se 1 mijë lekë të vjetra që ai kërkon në ditë nuk janë asgjë krahasuar me çmimet e mësimit në privat. Edhe pse nga dy nxënës kundërshtohet pagesa, profesori thotë unë lodhem në këtë punë, ndaj nxënësit duhet të paguajnë por pa e konsultuar këtë gjë me mësuesit e tjerë.
Të ndodhur përpara këtyre fakteve emisioni Fiks Fare mori një përgjigje dhe në Zyrën Vendore Arsimore Tiranë e cila thotë se të gjithë mësuesit e kësaj shkolle shkojnë aty nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, në rastin konkret zgjidhja është gjetur me mësues të shkollës të cilët do paguhen për orët shtesë.
Sipas këtij institucioni , nxënësit nuk duhet të paguajnë në asnjë lloj rrethane për zhvillimin e mësimit në ambientet e shkollave publike. Profesori kërkon 1 mijë lekë të vjetra në ditë, 25 mijë lekë në muaj.