Qeveria akordon shtesë prej 100 euro, ja si duhet të aplikoni dhe kushti që duhet të plotësoni për t’i marrë

Para rreth një jave, Qeveria e Kosovës vendosi që të ndajë nga 100 euro për muajin prill.

 

Kategoritë që përfitojnë nga kjo masë janë studentët, punëtorët e sektorit privat, atij publik dhe pensionistët. Për mënyrën se si mund të aplikoni për t’i marrë këto para dhe kushtin që duhet ta plotësoni, ka dhënë detaje Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

 

Punëtorët e sektorit privat që duan të marrin shtesat prej 100 euro, mund të aplikojnë që nga sot.

 

Këtë mund ta bëjnë në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale, që është publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës.

 

Por, për të përfituar nga kjo masë, ata duhet ta plotësojnë një kusht. Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.

 

Paratë do t’ju dalin edhe atyre që janë të deklaruar nga punëdhënësi në periudhën mars 2022, por më vonë, si dhe pasi punëdhënësi t’i ketë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj.

 

“Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟐. Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, ka njoftuar Ministria.

 

Ky institucion ka apeluar te qytetarët edhe që të kenë kujdes gjatë plotësimit të formularit, meqenëse nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, s’do të mund t’i marrin shtesat.

 

“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta, dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi”, thuhet në njoftim.

 

Punëtorët e sektorit privat kanë kohë të aplikojnë për këto shtesa deri më 20 maj, derisa s’është dhënë ndonjë afat se kur mund t’i marrin mjetet.

 

E për dallim prej tyre, punëtorët e sektorit public s’kanë fare nevojë që të aplikojnë. Atyre do t’iu dalin 100 eurot bashkë me pagën e muajit prill.

 

“Të punësuarit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit nuk kanë nevojë të aplikojnë sepse subvencionin do ta marrin me pagën e muajit prill”, ka bërë me dije Ministria.

 

Për aplikim s’kanë pasur nevojë as pensionistët. Edhe atyre u kanë dalë shtesat me pensionin e muajit prill.

 

Ndërkohë, për studentët nuk është hapur ende aplikimi, por që pritet të bëhet përmes portalit e-Kosova.

 

Një person s’mund të përfitojë dy herë
Secili person do të mund të përfitojë vetëm një herë nga mbështetja e qeverisë prej 100 milionë euro për punëtorët, studentët e pensionerat.

 

Ministri Hekuran Murati ka deklaruar se një punëtor, nëse është edhe student, nuk mund të aplikojë dy herë për të marrë nga 100 euro

 

“Normalisht se do të ketë kritere dhe kufizime sa i përket kualifikimeve dhe përfitimeve nga këto. Si ministër i financave më delegohet nga qeveria që unë të jem ai që i përcakton kriteret. Vitin e kaluar kur e kemi bërë këtë për pensionistë, përfituesit ishin të gjithë nga një herë. Nuk mund pra një person të përfitojë dy herë nga skema të ndryshe. Do të përfitojnë vetëm ata që e kanë rrogën nën 1000 euro”, ka thënë ai në ATV.

 

“E tash, kufizimi do të jetë që nga të gjitha këto masa do të përfitohet vetëm një herë. Me atë që shkon i pari përfiton. E kemi listën. Do të shkojmë me numra të verifikimit. Nëse del që një person ka përfituar nga sektori publik ose privat, pastaj tenton të përfitojë si student, atëherë do të refuzohet”, shtoi ai.

 

Po ashtu, ai tha se të gjithë studentët do të përfitojnë pavarësisht a studiojnë në universitete private apo publike.

 

“Të gjithë studentët e të gjitha universiteteve. Edhe sektorit publik, por edhe privat”, përfundoi ai.

 

Kritikat e opozitës për 100 eurot
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ‘populizëm që varfëron’ vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen nga 100 euro për një kategori qytetarësh.

 

Sipas tij, shtesat prej 100 euro janë lëmoshë.

 

“Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë. Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsejtë janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blen paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, ka shkruar Abdixhiku.

 

Abdixhiku ka thënë për shefin e Qeverisë se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim dhe se këtë e dëshmoi sot përfundimisht, duke shtuar se ai Kurti beson se me intervenim njëmujor, mund ta bëjë të harrohet kriza e përballueshmërisë.

 

“Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euros s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, thuhet në postimin e tij.

 

Edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për vendimin e Kurtit për 100 eurot shtesë.

 

Ai e ka quajtur si shumë të vogël shtesën prej 100 euro, derisa ia ka drejtuar disa kërkesa Kurtit.

 

Ai ka dal me një propozim të ri për pagën minimale. Sipas tij, paga minimale neto duhet të jetë 370 euro.

 

Haradinaj ka thënë edhe se Qeveria duhet urgjentisht ta kalojë Ligjin e Pagave, të rris pagën minimale menjëherë, ta zbresë në zero TVSH’në për të gjithë artikujt ushqimor, t’a heq taksën në pagat nën 300 euro, si dhe të mundësojë që qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e së paku 15 përqind të kursimeve nga Trusti.

 

“Ne propozojmë që paga minimale neto të jetë 370 euro. Pagat nuk kanë lëvizur nga vendi me vite e çmimet janë rritur në mënyrë enorme. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë Ligjin e Pagave. Duhet që menjëherë ta rris pagën minimale, e cila sot nuk është as pagë. Si masë e dytë duhet ta zbresë në zero TVSH-në për të gjithë artikujt ushqimorë. T’a heq taksën në pagat nën 300 euro. Duhet që qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit, të paktën 15 për qind të shumës”, ka deklaruar Haradinaj.

 

“Menjëherë dhe pa vonesë duhet tua kthej ndryshimin që kanë paguar qytetarët me rritjen e cmimit të energjisë elektrike, të cilën e kanë faturuar qysh ne mars. (kjo sipas vendimit të Gjykatës Themelore) Qeveria duhet të veproj si shtet e jo si shoqatë humanitare. Qyetarët kanë nevoje edhe për një euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masa që zgjasin veç një muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 eurosh që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje afatmesme të krizës financiare të qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img