Gentian Zenelaj tregon për herë të parë pse nuk pranoi Luanën në…

Rreth dy vite më parë i riu Luan Myrtollari bëri daljen e tij të parë publike si transgjinore në ekranet shqiptare.

Ai tha se e quan veten Luana, e në të njëjtën mënyrë pret që ta quajnë edhe të tjerët pasi ndihet femër.

Prej asaj kohe transgjinorja Luana është shumë aktive në media e jo vetëm teksa po ashtu ka qenë pjesë e disa shfaqjeve teatrale dhe së fundmi në filmin ‘Dashuri dhe Turbulenca’ me skenar të Gentian Zenelajt.

Ky i fundit tregoi sot në “Ditë e re” në RTV ORA se Luana kishte shkuar në audicion për të bërë rolin e një vajze por ai nuk kishte pranuar pasi kishte thënë se nuk do që të gënjejë publikun. Gentiani tregoi se fillimisht Luana e keqkuptoi por shtoi se nuk ka asnjë lloj paragjykimi. Më pas ajo mori një rol në film ku luan rolin e një transgjinoreje.

“Kur më erdhi në audicion ndodhi një incident i lezetshëm. Hapet dera dhe futet Luana. E kuptova menjëherë. Tha “Kam ardhur të marr rolin e amerikanes”. I thashë: “Nuk ta jap dot sepse duhet të jem i sinqertë me publikun, nuk të shes dot gjini femërore. Ti mund të jesh drejt asaj rruge por nuk të shes dot.

Nëse historia do ishte që djali ka dy të dashura dhe një transgjinore jam shumë dakord.” E mori pak personale dhe diskriminuese. Por nuk është e tillë. Unë e respektoj. Ne bëmë një temë për disa njerëz që dhunonin apo ngacmonin seksualisht qytetarë të ndryshëm te Kodrat e Liqenit. Dhe nuk e di pse pati një sulm sikur i paragjykuam.

Unë nuk paragjykoj askënd, por dua që në këtë shtet gjithsecili të respektojë ligjin. Mund të jesh transgjinor, homoseksual, por mbi të gjithë është ligji. Nëse një djalë heteroseksual do ngacmonte një vajzë do shkonte në burg. Pse u dashka që për njerëzit që i përkasin një komuniteti tjetër të ngrihen shoqata për të mbrojtur? Për çfarë?”- deklaroi Gentiani.

Pak muaj më parë Luana foli rreth kësaj teme, duke deklaruar se e kanë paragjykuar ndonëse nuk përmendi emra. Ajo u shpreh se personazhet publike në kafe e biseda janë të sjellshëm por në punë e bashkëpunim nuk i pranojnë.

“Edhe të tjerë kur unë u ofrova për të qenë aktore nuk donin për shkak të paragjykimeve. Kur je në shoqëri dhe del për kafe me gjithë këta personazhet e njohur sillen shumë mirë por kur vjen puna për gjëra të tjera nuk të hapin derën. E bëjnë sepse këto tema janë të parrahura dhe mendojnë se kjo është transgjinore dhe pale çfarë ndodh.”– deklaroi ajo asokohe.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img