Një anticiklon pritet të zgjerohet. Moti bën kthesën e madhe, ja ditët në vijim…

Temperaturat kulmuan dje në Gadishullin Ballkanik dhe ajo më e larta u shënua në Bosnjë dhe Hercegovinë 28 gradë Celsius që do të thotë se ishte një ditë e vërtetë verore. Edhe në Kosovë ishte mjaft nxehtë dhe temperatura verore u shënua në Gjakovë 26 gradë Celsius.

 

Ditëve të ardhshme pritet të jemi nën ndikimin e masave të ndryshme ajrore. Një anticiklon pritet të zgjerohet drejt Skandinavisë duke mundësuar drejtimin e ajrit të ftohtë direkt nga rajoni ynë. Edhe sot (e shtunë) pritet të jemi pjesërisht nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore, por fronti i ftohtë po përparon me shpejtësi dhe ky front pritet të arrijë pasdite dhe në mbrëmje duke kushtëzuar ulje të ndjeshme të temperaturave. Në anën tjetër një ciklon do të zhvendoset diku në Greqi duke mundësuar reshje lokale atmosferike.

 

Reshje lokale shiu priten në mbrëmje, ndërsa në viset malore edhe reshje bore. Gjatë ditës së diel reshje pak më intensive priten në pjesët jugore dhe lindore të Kosovës si dhe në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe juglindjen e Shqipërisë. Në viset malore priten reshje bore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që reshje të përziera me borë të ketë edhe në disa vise pak më të ulëta mbidetare.

 

Ajri i ftohtë me origjinë polare pritet të qëndrojë deri në mesjavë ku herë pas here priten reshje shiu, shqote, bore e breshëri të imët. Reshjet nuk do të zgjasin shumë, ngase priten edhe intervale kohore me diell herë pas here.

 

Nga mesi i javës së re në Mesdheun qendror pritet të kemi ardhjen e një cikloni dhe ky ciklon do të aktivizojë rrymimet ajrore nga jugu në drejtim të rajonit tonë duke mundësuar rritjen e temperaturave, por moti do të vazhdojë të jetë i paqëndrueshëm me reshje të herëpashershme shiu./MeteoBallkan

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img