Çdo besimtar myslimanë ka filluar muajin e shenjtë të Ramazanit, por nuk duhet të harrojmë se jo çdo gjë mund të na shkojë mirë dhe duhet të mendojmë se mund të kemi ditë të cilat do na duhet ta prishim agjërimin, për arsye nga më të ndryshmet. Megjithatë ekziston mundësia që këto ditë të kompensohen.
Sipas imamëve plotësimi i ditëve të lënë pa agjëruar nga Ramazani është detyrim për të sëmurin, udhëtarin, gruan me menstruacione e lehonë dhe për shtatzënën e gji-dhënësen.
• Nëse një ditë nga Ramazani është lënë pa agjëruar, atëherë duhet të agjërohet vetëm një ditë për ta plotësuar atë dhe nuk ka ndonjë shtesë tjetër.
• Nëse dikush plotëson ditët e pa-agjëruara, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë duke agjëruar rresht.
• Kushdo që është i sëmurë apo në udhëtim dhe e prish agjërimin duhet të agjërojë të njëjtin numër ditësh pavarësisht nëse e bën këtë rresht apo me ndërprerje.
•Gruaja me menstruacione e kompenson agjërimin e lënë.
• Gruaja shtatzënë dhe gji-dhënësja, që nuk kanë agjëruar janë në të njëjtën gjendje sikurse i sëmuri, prandaj mjaftohet t’i kompensojnë ato ditë të lëna dhe nuk ka nevojë për ndonjë veprim tjetër shtesë.
Deri kur mund ti kompensojmë këto ditë të pa-agjëruara:
Të gjithë besimtarët myslimanë mund ti kompensojnë këto ditë deri një ditë para se të vij Ramazani i ardhshëm.
Personat e lartpërmendur, të cilët arsyetohen me mos-agjërimin e Ramazanit kërkohet prej tyre t’i kompensojnë ato ditë të pa-agjëruara pasi të kryhet muaji i Ramazanit dhe pasi të lirohen nga rrethanat, të cilat i kanë penguar për agjërimin, sikurse fjala vjen, i sëmuri të shërohet, udhëtari ta përfundojë udhëtimin etj.
Nuk është e detyruar që bërja e atyre ditëve të fillojë menjëherë, pasi koha për plotësimin e tyre është mjaft e gjerë dhe kjo shkon deri në Ramazanin e ardhshëm.