Rikard Ljarja, i përkori i skenës dhe penës, shpirti prej drite i fisnikut të filmit

Nga Albert Vataj

Nuk isha aq fatlum sa ta njihja personalisht, por ikja e Rikardit më la trazim, atë ligështim dhe dhimbje që e bën tragjik shuarja e njëpasnjëshme e gjithë atyre që patëm idol, atyre që shndritën kur shkrepën, atyre që dhanë me shpirt çfarë patën në zemër, atyre që ishin dhe mbeten shkëndija në etjen tonë të eshkur në terr. I përkori i artit, shpirti prej drite i fisnikut të filmit,

la pas realen e një ëndrre pasioni dhe përkushtimi, atë që do ta dëshironte çdokush të skalitur në epitafin e përjetësisë së kujtesës dhe nderimit. Rikard Ljarja pati një jetë, të cilën e shndërroi në vepër. U shua siç shuen gjithë zjarret duke lënë pas Feniksin e shpirtit që rilind, për të qenë në çdo kremte të besimit, altar dhe lutje.

Që prej 20 prillit 2020, ai do të mungojë në praninë e solemniteteve të artistit, krijuesit që pipëtin në heshtjen e ngulmeve të nënzëshme, të atyre përpjekjeve që nuk reshtën së blatuari orët e gjata të përkushtimit dhe pasionit, dy “përndjekësve” të kohës së lirë, tekatje, ku ai mëkonte shenjtërimin e të çdoditshmes, me shkulm eteri të shndërruar në vepër.

Plot 19 ditë pasi kishte mbushur 77 vjeç, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, Rikard Ljarja iu dha vdekjes si një martir kalvarit, për të ikur ashtu kryelartë, parë e larë prej dritës së bekimit të gjithçkaje që ai la. Iku, siç do ta meritonte çdo toksorë si ai, që në përpjekjet për të dhënë dhe bërë më të mirën, ceku qielloreve të vullnetet të lartë. Ndoshta ju desh të largohej pa e përfunduar krejtçka të veprës së tij të bujarshme, siç shpirti dhe hiri i tij dritëbardhë kungoi, por krejt ajo që mbanë mbi kopertinë emrin Rikard Ljarja, është e mbuluar me mirënjohje dhe vlerësim.

Derimsot askush nuk ka mundur të marrë kaq shumë përshpirtje, nderim dhe respekt në udhën pa kthim të jetës së pasosur. Mori çfarë meritonte asgjë më shumë. I kthyem çfarë ai na dha. Ndoshta në një kohë tjetër, në një solemnitet më të denjë për virtytet dhe vlerat që mishëroi.

Shkodra qau me qiellin e vet t’pikllushëm, atij 21 prilli, në ditën ndarjeje me një prej bijve më të mirë; dashuria, emri dhe vepra e të cilit, ishte ai trokth himnizues i “djepit të kulturës”, ku u përkund foshnja e sakrificave dhe krenarisë.

Jetoi dhe vdiq duke mbetur një zë kumbues i artit tonë skenik. Skaliti një imazh që u plazmua thellë në vetëdijen tonë kombëtare. Pati vend në çdo ëndje dhe zemër të atyre dëshirimeve që e pranuan si mirësi dhe gëzim, prehje dhe çlirim.

Njeriu i përkorë dhe vetëmohuesi i devotshëm ne besim të veprës dhe vlerave, ishte në simbiozë me modelin e fisnikut shkodran, atij shpirtëzimi, të cilit ai i dha gjithëçfarë do ta mbajnë të gjallë.

Refuzoi ndere dhe dalje publike edhe pse i meritoi si pakkush dhe kishte ç’të thoshte përtej mureve të heshtjes ku modestia e “burgosi”.

Besonte vetëm te puna me pasion dhe përkushtim, dhe arriti të krijonte një galeri ku dominonte aktori, por nuk qëndronte më në periferi të vlerësimeve edhe si regjisor, skenarist dhe shkrimtar… piktura dhe muzika gjithashtu, ku ai derdhi shpirtin e tij.

Lindi, jetoi, krijoi dhe vdiq si shkodranë fisnik, dhe këtë përkatësia ai kurrë nuk e përdori si akses dhe pedanë për t’u hedhur tej, por si një barrë të rëndë përgjegjësie që e mbajti dhe e trashëgoi .

Aq sa sot nuk ka studiues dhe kritik që do ta vinte në dyshim këtë.

Kinematografia shqiptare dhe arti skenik në përgjithësi gjeti te Rikard Ljarja mishërimin e gjithë atyre vlerave dhe cilësive, mbi idilin e të cilit ai ngriti karakteristikat dalluese unike dhe veprat konkurruese të filmit shqiptar.

Edhe pse ideologjia detyruese e realizmit socialist, e cila futi nën zgjedhën e rregullave të ngurta edhe artin skenik, rrekej ta zhbënte vezullimin e këtij ylli fame, ai mbeti i panjollosur, diti dhe mundi të ishte i mirë me të gjithë edhe kur kjo mbetej armiqësore. Dora e tij e ndihmës nuk kurseu asnjë pasion dhe përkushtim, qoftë edhe duke rrezikuar, sepse ai besonte se secili kishte një shpirt për të blatuar në themelet e artit.

Në këtë panteon, Rikard Ljarja do të ketë një vend të privilegjuar, jo përfitimi, por angazhimi dhe kontributi.

Rikard Ljarja nuk është më, ashtu siç mungojnë dhjetëra e dhjetëra, kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij. Vdekja nuk toleron, por mirënjohja dhe kujtesa do të marrë prej nesh gjithë atë dashuri dhe adhurim që mëkun tek ne përmes shpirtjes së tyre krijuese, për të lejuar që mbretërimi i tyre të kurorëzojë lavdi.

Rolet që jetësoi Rikard Ljarja, personazhet që pavdekësoi me shpirtje amshimi, episodet dhe ngjarjet, mëkimet e sheshxhirimeve dhe kumtimet e energjisë shprehëse artistike, ishin një përvojë e gjatë sprovash të vështira dhe ngulmesh shpërblyese, në të cilat ai la gjurmë eteri.

Aktori, erdhi përmes tij mishërim i gjallë i një vullneti ngjizës, i një ligjësie krijuese, të denjë për çdo akt sublim që ai i dha frymën e gjalljes.

Ai do të mbamendet në kujtesën e çdonjërit më shumë se si Rikard Ljarja, si Dritan Shkaba në “Komisari i dritës”,-(1966); si Skënderi në filmin “Duel i heshtur”,- (1967);

Perlati në “Ngadhnjim mbi vdekjen”- (1967); Naimi në “Plagë të vjetra”, – (1968); Komisari te “Kur zbardhi një ditë”- (1971); xhandari italian në “Yjet e netëve të gjata” – (1972); Fitimi, te filmi “Ndërgjegja”- (1972); Inxhinier Iliri te, “Shpërthimi”- (1974), fillrojtësi Deda te “Rrugë të bardha”-(1974); Gaqo Tipografi te “Rrugicat që kërkonin diell”- (1975).

Rikard Ljarja nuk është më, megjithatë filmat e linçuar transmetohen, duke lënë koka mënjanë, cingëritje nervash dhe zemërata të atyre që kërkojnë te filmi shpagën e plagëve të diktaturës, që përndoqi lirinë e tyre. Ai ishte dhe iku pa asnjë mëkat, askush nuk tregoi gishtin nga ai, edhe pse pothuaj e gjithë karriera e tij ishte e kohështrirë në periudhën e diktaturës dhe përbënte aliazhin e një propagande, mund ta çlirojmë nga kjo molepsje për ta trajtuar, ai mbetet një aktor, regjisor dhe skenarist që e ruajti të pacenuar integritetin e tij.

Së paku në kujtesën e nostalgjisë, me të cilën ushqehemi ende, ai mbetet përsëri ai; I deleguari i qarkorit në filmin, “Në fillim të verës” – (1975); Tosti në “Ilegalët”- (1976);

Luka në “Në pyjet me borë ka jetë”- (1978); komandanti të “Radiostacioni”- (1979), Andrea në filmin “Skëterrë ’43”- (1980), Xha Teli te “Pranverë e hidhur”- (1985); Andrea te “Në prag të jetës”- (1985),

Mjeku te “Rrethi i kujtesës”- (1987), Vasili në “Pesha e kohës”- (1988); Shoku Emir te “Fletë të bardha”- (1990), e shumë e shumë emra të roleve të tij në teatër që i bashkëngjiti vetes, deri te Gjoni në “Shën Gjon Kryepremi” të Stefan Çapalikut. Ai u dha këtyre pesonazheve, shumica e të cilëve pozitivë, pjesën e tij më të mirë, atë dlirësi dhe dritje, zërin e tij prej kumti, shprehinë e ëmbëltuar në një shpirt ambrozi, virtuozitetin mëtues, të cilat i nguliti thellë brenda nesh, duke e kthyer emrin e tij në sinonim të emrit të roleve, tek të cilat ai u mishërua artistikisht.

Gjithë këtë kolanë rolesh, personazhesh dhe karakteresh, Rikard Ljarja e mishëroi në mirësinë dhe dlirësinë që e karakterizoi, në çiltërsinë dhe zhdërvjelltësinë, sinqeritetin dhe përkorjen që mbeten deri në fund lënda përbërëse e shtatores së tij prej vlerash.

Ai zgjodhi të largohej në pamundësi për të sfiduar ligjin e përkohësisë tokësore, por pa mundur të merrte me vete në rrugën pa kthim gjithëçfarë ka frymën e tij. Iku pa mundur të kishte një lamtumirë të bujshme, siç nuk e tumiri kurrë, as kur ishte në kulmin e lavdisë.

Iku për të lënë familjen, të afërmit, miqtë, me sy të përlotur; kolegët dhe kujtimet e tyre që bëhen si kambanat e përvajshme, dhe admiruesit e artit të tij që mundën të ndahen me të për tu ritakuar në endjen nostalgjike të filmit shqiptar, dashuri e cila mbetet e pashlyerm ngase u mëkua atëherë kur ndjenjat tona temperoheshin përmes artit skenik.

Rikard Ljarja në udhën e përjetësisë shkoi kaluar rrezeve që ngjizi, atij vërshimi drite që i ngre lart ato prehje që gjetën përshpirtje në çdo zë e zemër. Shkoi duke lënë pas edhe pak, fare pak, emra dhe veprimtarë që bashkërrugëtuan shtigjeve të zorshme të ngjizjes së shpirtit në ato vlera që mbeten të vërteta edhe pse të përgojuara nga zelltarët e gjuhëve të helmatisura që ngjyu shpirti i bjerrur prej së keqes.

Kujtesa do ti përkundë këto emra dhe personazhe, kandje në ëndjen për t’i rigjetur brenda nostalgjive, tek të cilat takohemi jo vetëm me ta por edhe me kohën që la gjurmë në ne përmes grishjes së artit të tyre.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...