Horoskopi i muajit prill, sipas astrologe Meri Shehut

Muaji prill për shenjat e horoskopit sipas Meri Shehut është i qetë.

 

Për “Rudina” në Tv Klan, astrologia shpjegon se gjërat do të nisin të marrin një rrjedhë më të qetë e të paqtë, por sigurisht do të ketë edhe probleme për të zgjidhur. Në renditjen e shenjave nga ajo më pak fatlumja, tek ajo që do shkëlqejë, ka një fije të hollë që i lidh të gjitha së bashku, energjia pozitive që presim në këtë muaj të dytë të pranverës.

 

“Muaji prill është komod, i këndshëm, sepse fillon me një Hënë të re në shenjën e Dashit dhe presupozon fillime të reja energjike dhe lidhet shumë me anën veriore në Gaforre. Kjo do të thotë, lajme të mira për ata që duan të ndërtojnë familje, që do fuqizohet në këtë periudhë lufte e krizash. Të gjithë që duan të gjejnë qetësinë, do të munden ta bëjnë pas datës 5 prill, me hyrjen e Afërditës në shenjën e Peshqve. Me këtë, do të marrim qetësi, romancë, do të ëndërrojmë më shumë, do lidhemi me natyrën dhe do duam të gjejmë ekuilibrin shpirtëror.

 

Ky moment do të thyhet disi nga Hëna e plotë në Peshore në datën 16 që do vendosë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me të tjerët, ku do hyjë dhe Plutoni. Çdo gjë duhet të jetë shumë thelbësore, ndaj marrëdhëniet që nuk kanë këtë raport, do kenë shkëputje. Shenjat e ndryshueshme Peshk, Virgjëreshë, Binjak dhe Shigjetar do të fuqizohen në mënyrën e të vepruarit,” -shprehet Meri Shehu.

 

Më poshtë, parashikimi i muajit për secilën shenjë të horoskopit.

 

12. Bricjapi

Plutoni në shenjën e Bricjapit do marrë pjesë në datën 16 në ekuilibrin e marrëdhënieve dhe çështjeve të rëndësishme me karrierën. Nëse nuk kanë arritur diçka thelbësore në punën e tyre, mund të kenë një shkëputje të konsiderueshme. Do kenë shumë shoqëri, aleanca, flirte, dalje dhe sherre, që do të përcaktojnë gjatë muajit jetën e tyre personale. Del në vëmendje çështja e ndryshimit të shtëpisë dhe një bashkëjetese.

 

11. Peshorja

Janë përballë marrëdhënieve dhe ndryshimeve të rëndësishme. Martesa, ndryshime, bashkëpunime, fillime të reja do të duken në ditët e para të muajit që do të jenë shumë intensive. Të kenë kujdes me çështjet ekonomike sepse do marrin, por do kenë edhe shumë shpenzime nga të cilat nuk do përmbahen. Mbi të gjitha, Hëna e plotë në shenjën e tyre në datën 16 ia plotëson një dëshirë, por edhe ia kufizon sepse në ato kërkesa që kanë do të duhet diçka shumë e rëndësishme që t’iu plotësohet. Do marrin një përgjigje përfundimtare, por gjërat nuk janë absolutisht të sigurta për shkak të katërkëndëshit të Plutonit nga shenja e Bricjapit.

 

10. Akrepi

Kanë një muaj shumë intensiv me lëvizje e kontakte për sa i përket punëve, nga të cilat do të kenë shumë për të bërë, do të jenë në ankth ose duan të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht. Nuk duhet të shpenzojnë shumë energji sepse kjo i kufizon shëndetin. Gjatë prillit do gjejnë ose do shijojnë një dashuri të bukur, romancë të rëndësishme. Afërdita në Peshk është shenja e dashurisë për ta, ndaj do të lulëzojnë në një shijim të mirë erotik.

 

9. Virgjëresha

Janë në këtë pozitë sepse do të kundërshtohen nga Marsi i cili hyn në shenjën e Peshqve. Kjo sjell kontradiktë me shenjën e tyre. Njerëzit që do të kenë Virgjëreshën përballë, do të jenë pak të fshehtë, misteriozë dhe nuk do të jenë të hapur në deklaratat e tyre. Pra, do mbajnë mistere dhe nuk do ta tregojnë të vërtetën përballë tyre, ndaj duhet të kenë kujdes me njerëzit që bashkëpunojnë. Këta të fundit nuk do të munden ose s’do të dëshirojnë të tregojnë qëllimet e tyre hapur dhe do të jenë disi të nëndhenshëm duke i penalizuar. Pavarësisht kësaj, mundësive apo hapësirave të të tjerëve për të vepruar, do të marrin dashuri e afrimitet.

 

8. Binjakët

Do shijojnë shumë deri në datën 16 jetën e tyre erotike, por Hëna e plotë në Peshore do t’i kompletojë në një marrëdhënie duke mbyllur një cikël në jetën e tyre erotike. Duhet të nisin të mendojnë diçka të re. Lidhur me karrierën do kenë publicitet, famë e emër, por dhe antagonizëm që do të fuqizohet shumë pas datës 15. Kjo do të lindë debate e sherre të konsiderueshme në lidhje me karrierën dhe njerëzit me pushtet.

 

7. Luani

Janë në një vend të respektueshëm, në lidhje me punën do të kenë ecuri dhe marrëdhënie të mira. Do marrin kënaqësi, njohje, intensitet pune, investime, shpenzime dhe shumë prapaskena që duhet t’i kenë kujdes. Disa prej tyre do të jenë aksidentale, por nuk duhet të nxitohen shumë sepse mund të hyjnë në një rivalitet që mund të sjellë aksidente. Hëna e re në datën 1-2 prill i fut në një rrugë të re të jetës së tyre, me hapësira e mundësi të reja që i thërret shumë energji pozitive për ta. Nuk do mungojnë as udhëtimet jashtë shtetit apo kontaktet me jashtë.

 

6. Peshqit

Do të merren shumë me çështjet ekonomike që do të nisin në fillim të muajit dhe përfundojnë shpejt rreth datës 16. Duhet të kenë kujdes që të mos përfundojë e paplotësuar siç duhet ose t’i japin një afat më të gjatë. Nëse nuk do kenë kujdes, do jetë diçka afatshkurtër që nuk do zgjasë në kohë. Pas datës 5, Afërdita hyn në shenjën e tyre dhe u zbukuron jetën me erotizma, flirte, dalje dhe qetësi shpirtërore. Por hyrja e Marsit do të bëjë që mos të jenë të drejtpërdrejtë, jo të qartë dhe të mos deklarojnë ndjenjat hapur siç duhet. Do duhet shumë imagjinatë, punë e ndikim që dikush t’i kuptojë se çfarë duan.

 

5. Ujori

Famën e marrin nga Hëna e re në shenjën e Dashit dhe më pas Hëna e plotë në Peshore që i nxjerr jashtë – udhëtime, komunikime, studime dhe hapësira të reja. Datat 1 dhe 2 u hap perspektiva, mesazhe, mundësi të reja e takime duke eliminuar bllokimin në jetën e tyre. Pas datës 5, futja e planetëve në Peshk u jep përparësi në çështjet ekonomike, megjithëse do kenë edhe shumë shpenzime.

 

4. Demi

Falë Afërditës dhe Marsit në shenjën e Peshqve do të kenë vrull, energji e ritëm, por fillimi i muajit nuk do të jetë kaq i mirë. Të tregojnë kujdes deri në datën 5, sepse prapaskenat e punës dhe shëndetit mund të jenë aty dhe t’i bëjnë pak pasivë. Pas datës 5, jeta e tyre merr një drejtim më pozitiv, i bën të ndihen më të kënaqur dhe me Hënën e plotë në Peshore në datën 16 do të marrin qetësim dhe lajme të mira ekonomike që do i mirëpresin. Do finalizojnë edhe një punë me sukses, por të kenë kujdes në fillim të muajit me shëndetin.

 

3. Shigjetari

Shenja më erotike e këtij muaji, sepse Hëna e re në fillim u jep energjinë që të hidhen në sulm e të shigjetojnë ku të duan në këtë aspekt dhe në një fushë krijimtarie. Kjo do t’u japë mundësinë të ecin përpara. Do gëzojnë edhe në çështje familjare, ekonomike, trashëgimore që do të marrin përmasa të mira pas datës 15. Më pas hyjnë disa konflikte që duhet t’i shohin me kujdes. Hëna e plotë në datën 16 është mbrojtje për ta sepse u jep shoqëri, dalje, flirte dhe kontakte me jashtë.

 

2. Dashi

E meritojnë këtë pozicion, sepse Hëna e Dielli janë në shenjën e tyre ndaj do të kenë sukses në punë, ekonomi e dashuri. Ajo nga e cila duhet të kenë kujdes janë lidhjet dhe pasionet e fshehta, që do të mbeten të tilla. Do luftojnë, do shpenzojnë, investojnë për punë e njerëz që duan, por nuk mund t’i deklarojnë dot. Do të duken shumë të lumtur, por nuk do munden ta bërtasin arsyen e lumturisë së tyre.

 

1. Gaforrja

Shkëlqimin e planetëve e reflektojnë me Hënën e re në Dash në fillim të muajit, si edhe planetët e tjerë në Peshk janë të rëndësishëm e komodë për ta. Udhëtimet jashtë, njohjet, flirtet, bashkëpunimet, investimet do të jenë shumë të rëndësishme dhe do të kenë një mbrojtje të çuditshme. Punët dhe bizneset lidhur me turizmin, artin do t’u japin vëmendje e do t’i rigjenerojnë. Rreth datës 16 të kenë kujdes një çështje lidhur me shtëpinë. Një marrëdhënie që nuk ka raportin e duhur apo është mbajtur me zor destinohet për t’u prishur.

TE TJERA

spot_img