Nuk kishte ndodhur kurrë më parë/ Çmimi i vajit të lulediellit arrin rekordin, ja sa shitet një litër sot

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

 

Arrin nivele të frikshme në tregun e huaj çmimi i shitjes me shumicë të vajit ushqimor të lulediellit. Në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, sipas importuesve, çmimi i shitjes së vajit me shumicë arriti 430 lekë për litër nga 380 lekë për litër që ishte çmimi i furnizimeve 10 ditë më parë.

 

Përveç shtrenjtimit të lartë të çmimit që parashikohet të arrijë deri 500 lekë për litër, importuesit e vajit paralajmërojnë se nga muaji qershor, në tregun shqiptar do të ketë mungesë të produktit.

 

Për të zbutur rritjen e çmimeve për konsumatorin, importuesit e vajit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë me masa fiskale, duke hequr çmimet e referencës për zhdoganimin e vajit të përpunuar dhe uljen e TVSH-së për mallrat e shportës.

 

Në tregun e shitjes me pakicë, vaji i lulediellit ka shënuar rritjen më të lartë të çmimit në produktet e shportës ushqimore.

 

Nga qershori, në treg nis mungesa e vajit të lulediellit

 

Importuesit pohojnë se në këtë situatë krize nuk përbën më shqetësim çmimi i vajit të lulediellit, por mungesa e gjetjes të produktit.

 

Nga muaji qershor dhe gjatë gjithë stinës së verës në treg do të ketë mungesë të produktit.

 

Shtrenjtohet 10% edhe vaji i ullirit për sallatë

 

Vaji i ullirit të sallatës është shtrenjtuar 10%. Në dyqanet e tregtimit të produkteve ushqimore, vaj i ullirit për sallatë po tregtohet 320 lekë për litër nga 290 lekë për litër që ishte në muajin shkurt.

 

Prodhuesit kryesorë të vajit të ullirit në vend pohojnë se rritja për këtë produkt është ndikuar nga shtrenjtimi i vajit të lulediellit që është pjesë e formulës për vajin e ullirit të sallatës. Rritja e çmimit gjithashtu është ndikuar nga shtrenjtimi i materialit plastik të ambalazhimit në tregjet e huaja, tapave dhe energjisë elektrike.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img