E bujshme/ Edi Rama shkarkon nga detyra zv/Kryeministrin?!

Kryeministri Edi Rama pritet të shkarkojë nga detyra numrin 2 të Qeverisë, Arben Ahmetaj.

Burime për Voxnews.al nga mazhoranca bëjnë me dije se midis Ramës dhe Ahmetaj është ndërprerë komunikimi prej disa kohësh dhe kryeministri ia ka “hequr shikimin” zëvendësit të tij, një term ky që përdoret në Kryeministri kur Rama nuk të ka më planet e tij.

Shkak për këtë lëvizje ka qenë intriga e krijuar për shkak të çështjes së inceneratorëve nga Arben Ahmetaj, i cili mendohet se ka furnizuar gjatë gjithë kohës me informacion LSI-në, duke krijuar kështu goditje poshtë brezit për Ramën dhe kabinetin e tij qeveritar. Nëse i referohemi deklaratave të Monika Kryemadhit, në akuzat që ka bërë për inceneratorët ka vënë në dukje se vetëm Ahmetaj është i pastër nga kjo histori, pasi sipas saj ka refuzuar të firmosë për koncesionin.

Kjo ka lënë dyshimet e forta se Ahmetaj ishte personi kyç i dhënies dhe keqpërdorimit të informacioneve për çështjen e inceneratorëve.

Por, përplasja mes Ramës dhe Ahmetajt kulmoi javën e shkuar, teksa kryeministri ndodhej në Dubai dhe në Tiranë duhej të mblidheshin ministrat për Mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës.

Burimet saktësojnë se me një shpërthim të paprecedent, Ahmetaj u tha ministrave se nuk ishte dakord të bënte mbledhje qeverie pasi aty kishte vendime abuzive dhe me përgjegjësi për t’u firmosur dhe me këtë argument ka refuzuar të drejtojë mbledhjen si numri 2 i Qeverisë.

Edi Rama & Arben Ahmetaj
Kjo duket se i ka vënë kapakun edhe karrierës së “Tigrit” (siç e thërrasin zëvendëskryeministrin) në kabinetin qeveritar dhe me gjasa do të mbyllet në fund të muajit në Kongresin e radhës së Partisë Socialiste.

Prej disa kohësh Rama ka shmangur daljet me Ahmetajn, madje kur shkoi në Komisionin Hetimor për inceneratorët, ai as emrin nuk i përmendi, por iu tha deputetëve “këtu e kishit, ta kishit pyetur”.

Edhe në rastin e Paketës së Rezistencës Sociale, Rama e ka shmangur totalisht Ahmetjan duke dalë me ministret Delina Ibrahimaj dhe Belinda Balluku, ndërsa më parë kryeministri e ka pasur “Tigrin” si “As-in nën mëngë” në raste emergjencash siç ishte rasti i rindërtimit nga tërmeti apo dhe masat për Covid-in.

Ky është rasti i dytë që Rama largon Ahmetajn nga qeveria. Para tre vitesh e largoi atë nga Ministria e Financave për shkak të intrigave që ai kishte krijuar në qeveri.

Burimet bëjnë me dije se Rama po mendon edhe lëvizje të tjera në kabinet për të mos krijuar idenë e një shkarkimi për Ahmetajn.

Kështu pritet të ketë prurje nga grupi parlamentar, por dhe rotacion brenda qeverisë.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img