Mjekët zbardhin abuzimet me Covid-19: Qeveria u tregua e paaftë dhe shfrytëzoi politikisht pandeminë, korrupsioni lulëzoi

Janë bërë 2 vite që vendi ndodhet në pandemi.

Në mars të vitit 2020 në vendin tonë u diagnostikuan dy rastet e para me koronavirus, duke zyrtarizuar prezencën e virusit Covid-19. Pas dy vitesh prezencë, duket se Covid-19 po shkon drejt zhdukjes, ndërsa mjeku Erion Dasho ka analizuar situatën nga Covid. Ai u shpreh, se qeveria u tregua e paaftë në menaxhimin e pandemisë. Ai theksoi, se edhe në Komitetin e Ekspertëve mungonin profesionistët.

“Kur deklarova në mars 2020 se në Shqipëri numri i vdekjeve nga Covid-i në rastin më të keq të mundshëm mund të shkonte mbi 12 mijë, shumë komentues e quajtën këtë shifër ndjellëse paniku. Cilat ishin gabimet që bënë qeveria shqiptare dhe ministria e Shëndetësisë në këto dy vjet? Qeveria dhe ministria treguan një paaftësi totale në drejtim dhe organizim.

Pavarësisht se e kishin parë se çfarë ndodhi në Wuhan dhe Lombardi, autoritetet shqiptare as nuk mobilizuan burimet spitalore (spitalet rajonalë u lanë të patrajnuar dhe u futën shumë vonë në lojë), as edhe mundësi teknologjike siç ishte Programi i Telemjeksisë i cili funksionon në Shqipëri prej vitit 2009. Paaftësia për të krijuar qoftë edhe një panel ekspertësh.

Komiteti famëkeq i të paaftëve drejtohet nga një mjeke e nderuar në profesionin e vet, por e paaftë si politikë bërëse dhe komplet jashtë fushës së vet të kompetencës. Ndërkohë në komitet mungonin specialistë si virologë, imunologë dhe epidemiologu, aq i nevojshëm, u shtua vetëm pasi vala më e rëndë e pandemisë kishte kaluar”, tha ai. Ndër të tjera, mjeku Erion Dasho theksoi, se po ashtu qeveria e shfrytëzojë politikisht pandeminë.

Ai tha, se kryeministri Rama ishte ai që mori rolin e babit të kombit. “Shfrytëzimi politik i pandemisë. Nisi me kryeministrin që u përpoq të merrte rolin e babait të kombit gjatë karantinës dhe arriti kulmin me fushatën e vaksinimit që u përdor 100% në funksion të fushatës elektorale të partisë në pushtet”, tha ai.

Përhapja e korrupsionit ndaj bluzave të bardha

Ndërkohë, mjeku u shpreh se gjatë pandemisë u përhap gjerësisht edhe korrupsioni ndaj bluzave të bardha. Dasho theksoi, se rasti që u bë publik ishte ai i Tires që ishte sanitare.“Gjatë pandemisë u ekspozua frikshëm makutëria dhe ai që duhet korrupsion i bluzave të bardha. Tirja ishte vetëm maja e ajsbergut. Fatkeqësisht, kolegë të cilët nuk e meritojnë të quhen “mjekë” arritën deri sa të merrnin 2 apo 3 mijë euro ryshfet për pacientët që referonin për trajtime jashtë vendit. Por përsëri, makutëria e mjekëve nuk ishte asgjë në krahasim me makutërinë dhe kusarinë e qeveritarëve”, tha ai.

Sipas mjekut, sistemi shëndetësor doli zbuluar. Ai tha, se doli në pah edhe paaftësia e mjekëve.“Gjatë pandemisë sistemi shëndetësor doli zbuluar. Mjekët terciarë nuk arritën të krijonin kaskadën trajnuese për të aftësuar kolegët në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore. Madje edhe ata nxorën zbuluar edhe paaftësinë e vet profesionale. Shkalla e vdekshmërisë reanimatore ishte e frikshme, kurse nga personat e intubuar pothuajse askush nuk doli i gjallë prej spitaleve të “rilindur”, tha ai.

TE TJERA

spot_img