Samir Mane bëhet dhe pronar mediash, zbulohet se cili është televizioni i njohur shqiptar që ka blerë

Grupi Balfin (Balkan Finance Investment Group SHPK), po hyn dhe në tregun mediatik.

 

Grupi ka njoftuar pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë SCAN SHA, me veprimtari radiotelevizive, të fokusuar për ekonominë.

 

Kjo është hyrja e parë e grupit Balfin në tregun mediatik në vend. Më herët, aksioneri i Balfin, Samir Mane, kishte pasur aksione (2.97% të kuotave) në operatorin televiziv me pagesë Digit-Alb, por që i ka shitur në fillim të vitit 2021, sipas veprimeve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

 

“Grupi BALFIN ka vendosur të blejë aksionet e TV Scan në fillim të këtij viti. Ashtu si edhe për investimet e tjera të grupit, pritshmëritë janë të mëdha. Televizioni do të vijojë që të mbajë të njëjtin profil, duke e parë dhe duke e trajtuar informacionin nga këndvështrimi i ekonomisë, por tashmë do të ketë më shumë mundësi për ta kryer më mirë funksionin e tij në të mirë të publikut”, tha Agim Fjolla, drejtor komunikimi i Grupit Balfin.

 

“Ambicia e Grupit BALFIN është ndërtimi i një medie që të trajtojë çështje ekonomike dhe të lidhura me biznesin duke ofruar informacion të plotë, profesional dhe të pa-anshëm nga Shqipëria dhe rajoni. Nga ana e Grupit BALFIN janë nënkontraktuar ekspertë të huaj, që do të bëjnë riorganizimin e televizionit për t’ju përgjigjur sa më mirë pritshmërive të një televizioni rajonal kushtuar çështjeve të ekonomisë dhe të biznesit”, shtoi ai.

 

Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madh në vend sipas qarkullimit vjetor. Të ardhurat e kompanive kryesore të grupit në Shqipëri, ishin 36.7 miliardë lekë në vitin 2020. Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, grupi e ka jashtë vendit. Gjeografikisht, Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Holandë.

 

SCAN SHA është një shoqëri aksionare, ka objekt aktiviteti: veprimtari radiotelevizive dhe përgjithësisht çdo operacion financiar, tregtar, industrial me pasuri të paluajtshme, që mund të lidhet drejtpërsëdrejti ose tërthorazi me ushtrimin e veprimtarisë radiotelevizive.

 

Scan është themeluar në vitin 2001, sipas ekstraktit të QKB-së dhe fillimisht ishte me emrin Mediasat. Në 2009-n filloi aktivitetin si radiotelevizion ekonomik, me emrin Scan. Televizioni kishte të ardhura prej 136 milionë lekësh në vitin 2020 dhe një fitim prej 550 mijë lekësh, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në QKB.

 

Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës dhe fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

 

/Monitor.al/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...