Fati i Sali Berishës në duart e Nard Ndokës për zgjedhjet e 6 marsit, aleatët i kthejnë kurrizin

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se do të hyjë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit nën logon e partisë së Nard Ndokës.

 

Të enjten në një studio televizive ish-kryeministri u shpreh se në kushtet kur gjykata ka njohur Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, Komisionit të Rithemelimit të PD i kanë mbetur dy mundësi që të regjistrohet në zgjedhjet e pjesshme.

 

Sipas Berishës, një mundësi është që kandidatët e tij të regjistrohen në logon e një partie ose koalicioni, ndërsa mundësia tjetër si të pavarur përmes mbledhjes së firmave. Por pavarësisht kësaj deklarata, gazeta ka mësuar se Berishës i janë mbyllur rrugët dhe mundësia e vetme që i ka mbetur është që të hyjë në zgjedhjet e 6 marsit i kamufluar nën siglën e Partisë Demokristiane të drejtuar nga Nard Ndoka.

 

Madje një sinjal të kësaj natyre e ka dhënë ditën e djeshme edhe vetë kreu i PDK, Nard Ndoka. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Sali Berishën. “Ne kemi dërguar kërkesën në KQZ dhe kjo do jetë një mundësi që duke qenë se pushteti është bërë njësh me Bashën dhe për sa kohë Basha do e ketë vulën në çorapen e tij, ne kemi bërë një hap para, pasi siç tha dhe Rama: PDK e ka vulën si Basha”, deklaroi Ndoka.

 

Berisha jo aleancë me Metën dhe aleatët e Bashës

Por teksa kryedemokristiani Nard Ndoka i lë derën e hapur ish-kryeministrit Sali Berisha, për të regjistruar kandidatët e propozuar nga Grupimi i Rithemelimit në Partinë Demokratike nën siglën e PDK-së, në horizont është shfaqur një krisje mes ish-liderit demokrat dhe aleatëve të Bashës, si dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

 

Kjo e fundit është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashkitë, ndërkohë që shihet qartë se Berisha nuk e dëshiron një aleancë me LSI, kjo edhe për shkak të mesazhit të keq të historisë së bllokut 700 mijë euro. Vetë presidenti Ilir Meta kohët e fundit ka folur me superlativa për ish-kryeministrin Berisha dhe madje ka zbuluar se e ka ftuar edhe për kafe e drekë, ftesa këto që ish-kreu i PD i ka refuzuar.

 

Mirëpo Berisha e ka shmangur Metën dhe partinë e Kryemadhit, pasi gazeta ka mësuar se demokratët nuk e duan një aleancë të tij me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kështu që i ndodhur përpara kësaj situate dhe pavarësisht lajkave që Meta i bën figurës së tij, Berisha e ka çuar në “Kalendat Greke” mundësinë e një bashkëpunimi me LSI-në. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe krerët e partive aleate pavarësisht se janë kritikë me Lulzim Bashën, e kanë refuzuar bashkëpunim me ish-kryeministrin Sali Berisha në zgjedhjet e 6 marsit. Bëhet fjalë për kreun e LZHK, Dashamir Shehi; kreun e PAA, Agron Duka; kreu i PR, Fatmir Mediu dhe kreu i FRD, Sali Shehu.

 

Pra duket qartë që i vetmi që i ka mbetur Berishës për ta shfrytëzuar logon e partisë së tij, në mënyrë që të regjistrojë kandidatët për zgjedhjet e pjesshme lokale është Nard Ndoka, i cili mësohet se ka dorëzuar kërkesën për t’u regjistruar në KQZ. Po ashtu, gazeta ka mësuar se deri më tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar për zgjedhjet e 6 marsit këto subjekte politike: PS, PD, LSI, Fryma e Re Demokratike, PKD e Dhimitër Muslisë dhe LRI e drejtuar nga Arian Galdini. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë skeme do të ndjekë ish-kryeministri Sali Berisha.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...