E bujshme!! Ja me cilën parti do hyjë në koalicion Berisha në zgjedhjet vendore në Shqipëri

Vendimi i presidentit për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të pjesshme lokale, duket se ka qenë një strategji e mirëmenduar e dyshes Meta-Berisha.

Teksa ideja për të mbajtur zgjedhje të pjesshme vendore në një kohë që opozita është e përçarë u pa si një lëvizje për të nxjerrë jashtë loje dhe humbës Lulzim Bashën, dekreti i presidentit pritet të përdoret nga Sali Berisha për të krijuar një aleancë të re.

Gazeta ka mësuar se ish-kryeministri Berisha ka plan që të hyjë në këto zgjedhje me kandidatë të pavarur, ose parti të re, ndërkohë që mësohet se ai ka nisur negociatat në prapavijë, me qëllim afrimin dhe grupimin në një koalicion me aleatët e PD që janë të zhgënjyer nga Basha.

Sipas informacioneve, mësohet se Berisha po të tenton që të fusë në koalicion PAA-në dhe PDK, ndërsa mësohet se pjesë e këtij bashkimi do jetë edhe LSI-ja, subjekt politik që Berisha ka bashkëpunuar edhe më herët dhe për shkak të afrimitetin që ka me Metën, një gjë e tillë është e mundur.

Ndërkaq, mësohet se Berisha me kreun e PAA, Agron Duka pritet të bashkëpunojnë në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Durrësit, ndërsa me kreun e PDK, Nard Ndoka bashkëpunimi do të jetë në Bashkinë e Shkodrës.

Ndërkohë lajmin se ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur negociatat me aleatët e PD për t’u grupuar në një koalicion e ka dhënë dje edhe kreu i PAA, Agron Duka. Duke folur në një prononcimi për mediat, zoti Duka zbuloi se Berisha po planifikon krijimin e një koalicioni me aleatët e zhgënjyer të Bashës dhe për të propozuar nga një kandidat.

“Ne do marrim mendimin e bashkëpunëtorëve dhe kam lënë një takim, mundësitë janë të ndryshme, kemi një sinjal nga grupi i Berishës, nga vetë ai për një farë bashkëpunimi që të nxjerrim kandidaturë të një koalicioni, deri këtu jemi”, deklaroi Duka.

Pollo: Do bëjmë koalicion të gjerë opozitar përfshirë LSI

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Genc Pollo foli dje për mediat, ndërsa paralajmëroi dje një koalicion të gjerë opozitar në zgjedhjet e pjesshme lokale, përfshirë këtu dhe LSI. “Çështja e kandidatit tonë do të zgjidhet me shpalljen e marrëveshjes pas 2-3 ditësh me një front më të gjerë opozitar.

Ne kemi një zgjedhje që është mazhoritare dhe që edhe 5 vota po të heqin rrezikon mandatin e kryetarit të bashkisë. Cila është zgjidhja që të mos ketë përçarje votash? E para është një koalicion i gjerë që përfshin edhe aleatët tradicionalë edhe LSI që janë të gjitha partitë relevante në opozitë”, deklaroi Pollo.

Berisha konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore

Por lajmin se Berisha dhe mbështetësit e tij do të jenë pjesë e zgjedhjeve të pjesshme vendore me kandidatët e tyre e ka konfirmuar mbrëmjen e djeshme Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Komisioni i Rithemelimit, i ngritur nga Sali Berisha bën me dije se ata do të futen në këto zgjedhje nën logon e PD-së. “Duke ndjekur situatën politike për zgjedhjet e pjesshme, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike deklaron se do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve për tu dhënë Shqiptarëve mundësinë për t’u përfaqësuar në qeverisjen vendore me kapacitetet me të mira të vendit.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi sot hapjen e procesit të primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave me të mira për secilën nga bashkitë në garë. Nga sot, ne të gjitha bashkitë ku do të hapet gara Partia Demokratike fillon punën për evidentimin e kandidatëve. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet me datë 30 Janar 2022 sipas parimit “te Primareve””, thuhet në njoftim.

Më tej Komisioni i Rithemelimit bën me dije se afati për kandidaturat do jetë i hapur deri në 24 janar. Por sipas ekspertëve KQZ nuk e njeh këtë komision dhe sinjalet janë që ose Berisha të mbështesë kandidatët e LSI në zgjedhje duke mos hyrë drejtpërdrejt ose të krijojë një formacion politik dhe të krijojë koalicion me LSI dhe Dukën.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img