Në emisionin “Opinion” ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj edhe akuzave ndaj tij se kishte internuar mjekët Milto dhe Margarita Kostaqi për shkak se i shihte si kundërshtarë.
Ka qenë vetë mjekja Margarita Kostaqi që në vitin 2010 tregonte sesi Berisha në vitin 1982, në atë kohë sekretar partie, me veprimet e tij arriti t’i internojë 2 kardiologët e njohur. Video u publikua nga emisioni “Fiks Fare” dhe shkaktoi shumë reagime.
Ndërkohë, në emisionin e sotëm Berisha tha se të gjitha ato që thuhen janë gënjeshtra. Berisha u shpreh se këtë histori ia thoshte edhe Rama në Kuvend, por shtoi se vetë Margarita Kostaqi e kishte takuar në Hotel Rogner dhe e kishte përqafuar.
Ai tha se kishte dëshmitar edhe moderatorin Blendi Fevziu, sesi Margarita Kostaqi i kishte thënë se kishte dëshirë të dilte në tëlevizion dhe “t’ua nxinte fytyrën atyre gënjeshtarëve”.
“Përsa i përket shoqes, ma ka thënë edhe Edi Rama “ke persekutuar një shoqe”. Një ditë duke pirë kafe me Fevziun në Rogner më vjen shoqja ime dhe më përqafon. Më thotë “Sali, më nxirr në media t’jua marr fytyrën këtyre që shpifin”. Kjo ka qenë gruaja që më akuzonte. Margarita Kostaqi ka qenë një mjeke e nderuar dhe kam punuar me atë për shumë vite.
Ajo ishte bashkëshortja e mjekut personale të Mehmet Shehut. Kur kryeministri vrau veten, personelin e dëbojnë, internojnë ose burgosin. Oficerin Ali Çelo e burgosë, Milton dhe të shoqen i transferuan. Në atë kohë unë nuk kisha asnjë kompetencë. Kjo është historia”, tha Berisha.
Por historia e treguar nga Berisha është hedhur poshtë nga një mesazh i ardhur në telefonin e moderatorit Blendi Fevziu. Në mesazh tregohej se nuk kishte asnjë mundësi që zonja Margarita t’i kishte kërkuar Berishës që ta nxirrte në televizion dhe “t’i nxinte fytyrën” Ramës, pasi ajo kishte ndërruar jetë në vitin 2011, ndërsa Rama nuk ka qenë në Parlament deri në vitin 2013.
“Zonja Margarita ka vdekur në 2010-ën, por Rama nuk ka qenë deri në 2013 në Kuvend”, thuhej në mesazhin e ardhur në telefonin e moderatorit.