“Jemi thjesht duhanpirës” 12 policë në Shkodër pozitivë në testin e drogës, paralajmërojnë padi

12 policë të drejtorisë vendore të policisë në Shkodër kanë rezultuar pozitivë si përdorues të drogës.

Rezultatet kanë dalë nga testi i bërë për përdorimin e lëndëve narkotike nga Policia e Shtetit me anë të klinikës “Intermedicus”.

Procesi për të parë se nëse ka përdorues droge në rradhët e efektivëve ka nisur prej disa ditësh.

Gjithashtu priten edhe përjashtime në rast se ata do të rezultojnë pozitivë.

Për policinë vendore të Shkodrës që përfshin gjithë qarkun, janë testuar, sipas burimeve, 80 punonjës policie, për të cilët ka dyshime ose indicie se mund të kenë konsumuar lëndë narkotike. Nga këta 80 të testuar, 12 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Pas këtij testi, sipas burimeve, mësohet se një pjesë e atyre që kanë dalë pozitivë në testin e drogës kanë një moshë mbi 50 vjeç, duke bërë që këto policë të kenë dyshime për vërtetësinë e testit apo përgjigjeve zyrtare që janë sjellë.

Në këtë mënyrë, mësohet se disa prej këtyre punonjësve të policisë pretendojnë se nuk kanë konsumuar kurrë lëndë narkotike në jetën e tyre, ndaj pritet që të bëjnë padi penale ndaj klinikës që ka bërë testet, si dhe nga ana tjetër pritet që të ritestohen vetë në disa klinika të tjera për të vërtetuar që ata nuk janë përdorues droge.

Këta efektivë policie, që e kundërshtojnë këtë test të drogës, thonë se janë thjesht duhanpirës, por jo përdorues droge, dhe kanë dyshime se kjo gjë mund të ndikojë te ky test, për të cilin nuk janë aspak dakord. Tashmë pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me 12 punonjësit e policisë vendore të Shkodrës, që kanë rezultuar si përdorues droge.

TE TJERA

spot_img