HYRJELAJMEAKTUALITETIRONIKE.../ Festat e Nëntorit, kosovarët në Shqipëri, shqiptarët në Turqi e Mal...

IRONIKE…/ Festat e Nëntorit, kosovarët në Shqipëri, shqiptarët në Turqi e Mal të Zi

Nga Megi Iskurti-

Shqiptarët në të dyja anët e kufirit ka do kohë që i këmbejnë rolet kur vjen koha për të festuar festat e Nëntorit. Nga Kosova vërshojnë drejt Shqipërisë për të gjetur aty një vend bosh, të lënë nga shqiptarët kësaj ane të kufirit të cilët zgjedhin jo pak herë të festojnë jashtë trojeve shqiptare.

Në vendet e rajonit, e sidomos në Mal të Zi, hasesh tejpërtej me banderola të mëdha, të shkruara në shqip ku u bëhet thirrje shqiptarëve të festojnë atje, shoqëruar me paketa joshëse dhe çmime ekonomike.

E në fakt duket se nuk u ka dalë keq, për aq kohë sa përfaqësues të agjensive shqiptare pohojnë se rezervimet për të kaluar festat e Nëntorit në Mal të Zi janë mbyllur që në fillim të muajit e për aq kohë sa në Shqipëri nuk duket se ofrohet ndonjë paketë më konkurruese.

Edhe pse në kushtet e një pandemie botërore që po zgjat, në zgjedhjet që kanë bërë, shqiptarët duket se i kanë marrë në konsideratë rregullat strikte anti-Covid që janë vendosur në shtetet e Europës dhe janë fokusuar drejt vendeve të rajonit, kryesisht Turqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, e ca më pak Greqisë.

Ndonëse ka patur oferta të brendshme për vendet brenda Shqipërisë,duke përfshirë këtu Dardhën,Vlorën, Voskopojën e Korçën, në sytë e qytetarëve shqiptarë vendet e rajonit janë më joshëse dhe paketat drejt tyre duken më konkurruese.

Por ashtu si çdo vit, në Vlorë vetëm kosovarët kanë rezervuar hotelet për festat e Nëntorit pasi ata qytetarë shqiptarë që kanë zgjedhur të pushojnë brenda Shqipërisë, kanë rezervuar drejt Korçës, e cila ngahera është në pararojë me Vlorën, edhe pse kjo e fundit është qyteti simbol i këtyre festave.

E teksa fqinjët na kanë mbushur me oferta, në tregun shqiptar ka mungesa në ofertë-produktin turistik që u ofrohet klientëve.

Përfaqësues të agjensisë “Travel Club Albania” në Vlorë, tregojnë për Gazetasi.al se ofertat për festat e Nëntorit zakonisht bëhen nga vetë hotelet dhe jo nga paketat e mirëfillta turistike.

Pra, përveç se patriotizmi te shqiptarët duket se mungon, fakti që hotelet nuk bashkëpunojnë me operatorët turistikë dhe fakti që nuk ofrohet një produkt i kompletuar, i shtyn shqiptarët të rendin drejt Rajonit.

Kosovarët janë të vetmit që edhe në këto rrethana zgjedhin të mos e braktisin Vlorën dhe qëndrojnë aty duke sakrifikuar edhe çmime disi më të shtrenjta për t’i dhënë kuptimin që meriton kësaj feste.

“Një ndër arsyet kryesore nxitëse të tendencës për vendet jashtë Shqipërisë janë dhe çmimet e lira e të arsyeshme të paketave që ofrohen me vendet e rajonit, sidomos për qytetarët që i kanë kapur në kohë.

Rezervimet janë kryer që nga tetori, një muaj më parë, ku në fakt mund të përmendim rastin e Malit të Zi, rezervimet për të cilin janë mbyllur që në fillim të nëntorit.

Mali i Zi po preferohet gjithnjë e më shumë dhe për shkak se ai është konsoliduar tashmë si një destinacion dimëror ku qytetarët zgjedhin edhe të bëjnë ski në Kolashin apo të kalojnë kohë në Budva që është një ndër destinacionet e preferuara të qytetarëve shqiptarë.”-thanë për Gazetasi.al përfaqësues të Zenith Travel.

“Krahasuar me vitet e tjera, shërbimi turistik ka pësuar një rritje në çmim për shkak të tamponit që kërkohet në kufi në hyrje ose në dalje të një shteti prandaj vihet re një diferencë në rritje mes çmimit sezonal tani dhe periudhave të mëparshme dy vite më parë.”-tregon për Gazetasi.al Neritan Ibi, drejtues i “My Albania nature” dhe udhërrëfyes turistik.

E ndërsa ofertat për qytetet shqiptare nuk janë aq të kompletuara, paketat për në Turqi janë gjithmonë e më joshëse pasi operatorët e dinë tipologjinë e tij dhe e dinë që ai mbetet gjithmonë i preferuar për shqiptarët.

Udhëtimi me avion për në Stamboll për katër ditë sipas paketave, kryesisht kushton diku tek 250 euro, duke përfshirë këtu biletat, akomodimin,mëngjesin e darkën të përfshirë në hotel si dhe udhërrëfyesin turistik.

“Shërbimet atje janë të larta dhe nëse duan të marrin shërbime ekstra, çmimet janë të përballueshme. Edhe nga kushtet sociale e klimatike apo dhe nga kulinaria, Turqia është vendi më i përshtatshëm jo vetëm për shqiptarët por mbase për të gjithë ballkanasit.”-thonë për Gazetasi.al përfaqësues të Union Travel.

Përfaqësuesit e agjensive shqiptare tregojnë që para ca kohësh pati rezervime të mëdha edhe për në Itali, Pragë e Vjenë por me rregullat e reja anti-Covid që vendosën këto vende, ata u detyruan që të eliminonin këto destinacione kryesore, dhe shqiptarët, në pamundësi, u fokusuan mandej brenda rajonit.

Një tjetër destinacion shumë i preferuar duket se mbetet edhe Mavrova në Maqedoni pasi as rezervimet drejt saj nuk kanë munguar nga qytetarët shqiptarë.

Mesa duket Shqipëria mbetet preferencë e parë vetëm nga kosovarët, ndërsa qytetarët shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë “të arratisen” nga ajo pikërisht gjatë festave kombëtare.

TE TJERA

spot_img