Njeriu që ishte kundër Bllokut dhe guxoi t’i thoshte E.Hoxhës në sy: Po flas unë, mos më ndërpre

Dashnor Kaloçi

Faqja Memorie al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës,

i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944,

ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu,

që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major,

zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit nga fshati Lin dhe të dilte në Jugosllavi,

ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha aktet e renda te E.Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër,

dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate, libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.

Në Kongresin XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ishte prezent edhe delegacioni i Partisë së Punës të Shqipërisë. Në krye të delegacionit ishte E. Hoxha, e në delegacion ishte, përveç të tjerëve edhe Mehmet Shehu.

Pas kthimit të delegacionit në Shqipëri, u mbajt pleniumi i Komitetit Qendror të PPSh-së, në të cilin E. Hoxha, në emër të Byrosë Politike dhe të delegacionit e informoi Komitetin Qendror për punën e Kongresit dhe për mbledhjen e mbyllur në të cilën Nikita Hrushovi, paraqiti një referat për veprat e dëmshme të Stalinit.

Mirëpo, duhet theksuar menjëherë se E.Hoxha nuk e lexoi në këtë plenumi referatin e Hrushovit, por në interpretim të vet prezantoi vetëm disa fragmente të zbutura të referatit të përmendur. Plenumi u mbajt në sallën e Pallatit të ‘Brigadave’. Isha ulur m’u karshi E.Hoxhës dhe e ndiqja me vëmendje leximin e referatit.

Vërejta mirë se gjatë leximit disa herë kapërceu nga disa fletë. Por jo vetëm kaq. Kur lexoi nja dy të tretat e referatit, papritmas e ndërpreu leximin. Si për nga fakti se para tij kishin mjaft faqe të palexuara, ashtu edhe për nga përmbajtja, kuptohet se referati u ndërpre.

Unë supozoj se E.Hoxha do të ketë hequr dorë nga leximi i mëtejshëm i referatit, duke vendosur të mos flasë për ato probleme, për të cilat do t’i duhej të thotë diçka më shumë për ndikimin e stalinizmit në Partinë e Punës të Shqipërisë dhe për pasojat e rënda të këtij ndikimi për popullin shqiptar.

Leximi ndoshta do të jetë ndërprerë edhe për shkak se edhe deri atëherë shihej se çfarë atmosfere të rëndë kishte krijuar në radhët e anëtarëve të Komitetit Qendror edhe ajo pjesë e parë e referatit.

Pas një pauze të shkurtër, Mehmet Shehu tha se në radhët e PPSH-së nuk ka kult të individit dhe vuri në dukje se në një mbledhje të Byrosë Politike vetë E.Hoxha kishte deklaruar se mjaft më me ngritjen e busteve dhe me glorifikimin e emrit të tij, të cilin e kanë marrë si emër të tyre një varg fabrikash dhe objektesh. Mehmeti tha më tutje se:

asnjë vendim i rëndësishëm, qoftë shtetëror, nuk është aprovuar pa dijeni të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH ose të qeverisë, se mbledhjet e Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, kongreset dhe konferencat e Partisë janë mbajtur rregullisht dhe se anëtarët e Partisë janë informuar çdo herë për vendimet dhe për detyrat më të rëndësishme.

“Mirëpo’ vazhdoi Mehmet Shehu, ‘në Partinë tonë janë bërë disa gabime në lidhje me qëndrimet e Stalinit se paralelisht me forcimin e shtetit socialist forcohet në masë të njëjtën edhe reaksioni në vend”. “Në kushtet e vendit tonë’,

theksoi Mehmet Shehu, ‘ky nuk duhet të konsiderohet si ndonjë gabim kush e di sa i madh”. Mirëpo organizatat e Partisë u informuan vetëm kalimthi për plenumin dhe për punën e tij, në kontekst të materialeve të tjera në lidhje me Kongresin XX-të të P.K. të BRSS-së.

Vetëm u tha se KQ i PPSH mbajti plenumi, në të cilin u kritikua “kulti i personit të Stalinit” dhe asgjë tjetër. Në lidhje me hollësitë, me atë se ku qëndronte kjo kritikë dhe çka duhej të kritikohej, nuk u dhanë kurrë farë shpjegimesh më të hollësishme.

Megjithëkëtë edhe komunistët edhe populli i Shqipërisë, dikush më pak e dikush më shumë, ishin të informuar për rrymat e reja në BRSS dhe në vendet e tjera socialiste. Ndonëse Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu ishin likuiduar mu në prag të Kongresit XX të PK të BRSS, të gjithë shpresonin se do të bëhen ndryshimet pozitive në Shqipëri.

Rezistenca në Konferencën e Tiranës!

Në mars 1956, pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u mbajt Konferenca partiake e Tiranës, në të cilën duheshin zgjedhur delegatët për Kongresin e Tretë të Partisë së Punës të Shqipërisë. Konferenca filloi sipas procedurës së zakonshme.

Referatin kryesor e paraqiti sekretarja e parë e atëhershme e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqrete Shehu. Si përfaqësues i Komitetit Qendror, në Konferencë mori pjesë anëtari i Byrosë Politike, nënkryetari i parë i qeverisë, ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku.

Në referat nuk kishte asgjë posaçërisht interesante e as nuk i fol për çfarëdo çështjeje delikate, e cila do të mund të sillte diskutime të ashpra.

Mirëpo pas referatit kur e mori fjalën Fadil Paçrami, anëtar i Komitetit Qendror, i cili u dha përkrahje të plotë qëndrimeve të referatit, në sallë jehuan protesta masive.

Kjo ishte shenjë se delegatët nuk donin, as nuk mundnin të dëgjonin më diskutime të tilla apologjike. Menjëherë pas Fadil Paçramit, fjala e të cilit në të vërtetë ishte ndërprerë, kërkoi fjalë zv/ministri i Industrisë, Pajo Islami. Ky ishte anëtar i Partisë prej vitit 1942.

Kishte marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare prej formimit të saj. Ishte një nga luftëtarët më të vendosur për likuidimin e fraksionit në organizatën 1943.

Gjatë luftës ishte komisar i çetës, pastaj i batalionit, e më vonë zv/komisar i brigadës. Pas luftës ishte në detyra të ndryshme me përgjegjësi.

Delegatët e dëgjuan me vëmendje diskutimin e Pajo Islamit.

Ai foli për sulmet brutale të udhëheqjes së Shqipërisë kundër Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe kundër udhëheqjes së saj.

Pastaj i përkujtoi marrëdhëniet jashtëzakonisht të përzemërta e vëllazërore, që ekzistonin ndërmjet dy vendeve dhe partive para Rezolutës së Informbyrosë. “Me gabim të udhëheqjes së tashme’, tha Pajo Islami, ‘marrëdhëniet e bazuara në gjakun e bijve më të mirë të Shqipërisë, tash nuk janë madje as në nivel të tolerimit”!

E përmendi likuidimin e paarsyeshëm të tërë udhëheqsisë së revolucionit popullor të Shqipërisë dhe shprehu mendim se këta njerëz duhet të rehabilitohen.

Ai foli edhe për të metat dhe gabimet e mëdha në punën e Ministrisë së Industrisë dhe për marrëdhëniet e këqija ndërmjet komunistëve në Ministri.

Pajo Islamin u orvatën disa herë ta ndërpriste sekretarja e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqrete Shehu, me motivacionin se është duke e fyer udhëheqjen dhe se sulmet e tilla nuk janë luajale.

Të gjithë delegatët u ngritën unanimisht kundër këtyre ndërhyrjeve, kështu që udhëheqësia e Konferencës u detyrua të heshtë.

Ardhja e E.Hoxhes në Konferencë!

Kështu ishte edhe ditën e dytë dhe të tretë të mbledhjes së Konferencës, ndonëse ishin ftuar urgjentisht që të vinin në Konferencë, E.Hoxha dhe M. Shehu. Dy ditët e para të Konferencës së Tiranës, ishin në të vërtetë, manifestim i protestës masive kundër politikës së udhëheqjes së Partisë. Është karakteristike për shembull,

se gjatë këtyre dy ditëve, anëtarët e Komitetit Qendror të PPSh-së, Kiço Ngjela, ministër i Tregtisë dhe Avdyl Këllezi zëvendëskryetar i Qeverisë, deshën të flasin. Por, as i pari dhe as i dyti, nuk mundën të marrin fjalën, sepse delegatët nuk dëshironin justifikim të gabimeve që ishin bërë.

Ditën e tretë të Konferencës, pasi u ftuan urgjentisht, morën pjesë në mbledhje E.Hoxha dhe M.Shehu. I pari e mori fjalën E.Hoxha me qëllim që të qetësonte pakënaqësitë dhe rezistencën e delegatëve.

Duke kritikuar diskutimet e disa delegatëve, ai apeloi për një qasje “më konstruktive”, ndaj problemeve të ndryshme dhe kërkoi që në analizimin e dobësive,

të mos flitej me një ashpërsi aq të madhe. Apeloi për pjekuri të organizatës së Partisë së Tiranës dhe të traditave të saj, duke theksuar se diskutimet gjatë dy ditëve të mëparshme, nuk ishin në nderin, të cilën e gëzonte ajo. Po atë ditë, përsëri foli kolonel Ilajaz Ahmeti.

Në praninë e E.Hoxhës, i argumentoj qëndrimet e veta dhe i sulmoi ashpër përfaqësuesit e Komitetit Qendror të PPSH-së, Kiço Ngjelën dhe Abdyl Këllezin, të cilët u orvatën ditën e parë të konferencës, ta pengojnë manifestimin e revoltës të komunistëve të Tiranës.

Iljaz Ahmet i demaskoi energjikisht përfaqësuesit e Komitetit Qendror të PPSh-së dhe faktoi të gjitha ato gjëra, që i kishte thënë ditën e parë. Deri sa ishte duke folur, Iljaz Ahmeti, E.Hoxha e ndërpreu disa herë, kështu që në fund, folësi,

i’u lut sekretarit të parë të Partisë, që të mos e ndërpriste më, sepse ishte duke folur pikërisht, për faktin se nuk kishte barazi në Parti. “Përndryshe’ tha Iljazi’ kur foli E. Hoxha, tha shumë gjëra me të cilat, unë nuk pajtohem, por, nuk ja ndërpreva fjalën.

Pas kësaj, kolonel Iljaz Ahmeti pati mundësinë që t’i shprehte deri në fund, pikëpamjet e veta. Memorie Al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...