HYRJELAJMEHISTORIA IMEHistoria e trishtë e Vitorjas: Doja t’i gjeja burrit nuse dhe ta...

Historia e trishtë e Vitorjas: Doja t’i gjeja burrit nuse dhe ta martoja që ta shihja të lumtur

Në “Ka Një Mesazh Për Ty” ishte e ftuar Vitoria, e cila rrëfeu historinë e saj të dhimbshme.

Shtatzëni të dështuara dhe një fëmijë i shumëpritur që nuk mundi të jetonte, ishin tragjeditë që goditën rëndë atë dhe Aleksandrin, bashkëshortin e saj. Gjatë këtyre momenteve të errëta, ajo i dorëzohet fjalëve të njerëzve dhe ia ripërsërit ato bashkëshortit të saj duke i thënë të martohej me dikë tjetër sepse ajo nuk mundej t’i jepte fëmijë.

Vitore: U dorëzova fare në atë moment dhe thoja vetëm ta shoh të lumtur, t’i gjej një nuse ta martoj dhe më pas të vras veten. Nuk më mbushte asgjë, isha shumë e dobët.

Ardit Gjebrea: Po pse? Pse? Vitore, mund të adoptonit një fëmijë, Zoti i di gjërat, një çift që në fund të ditës e duan njëri-tjetrin, bëjnë sakrifica, fëmija është gjithçka në këtë jetë, por në një rast nuk është gjithçka, ka gjëra të tjera, mund të kujdeseshit për një fëmijë tjetër. Përse duhet t’i thoshe Aleksandrit që kaq vite çfarë nuk keni kaluar bashkë, “martohu me një tjetër”? Çfarë tha Aleksandri kur ti ia thoje vazhdimisht?

Vitore: Ai në fillim e mori si një shaka, qeshte dhe një ditë më tha “Po mirë, vërtet për mua s’mendon fare?” dhe qau. Aty e ndjeva se e kam rënduar dhe atë jashtë mase, por më dukej sikur vetëm unë vuaja, por ai mbase ka vuajtur edhe më tepër se unë.

Ardit Gjebrea: Dhe nuk ta ka thënë?

Vitore: Jo, kurrë. Si nuk më tha gjysmë fjale. Nuk e di, ndoshta ka dëgjuar fjalë shumë më të rënda për mua dhe nuk më foli kurrë.

Më pas erdhi një moment reflektimi dhe Vitoria vendosi ta provonte sërish. Rinisi vizitat te mjeku dhe gjithçka që nevojitej.

Vitore: Fillova vizitat po te ai doktor, mbi 10 herë mund të them, ky rast i fundit ka qenë i njëmbëdhjeti. Po, e dy të parët, i thonë 13 raste, Ardit.

Ardit Gjebrea: Dhe tek rasti i fundit çfarë ndodhi?

Vitore: Ndodhi mrekullia.

Ardit Gjebrea: Mbete shtatzënë, me binjakë madje, por…

Vitore: Por po hipja në një autobus për të shkuar në Athinë, ai e nisi pa mbyllur dyert dhe unë u përplasa nga dera, nga krahu i djathtë dhe u shkëput fëmija. U trondita jashtë mase, dëgjoja që nëse ke binjakë, nëse vdes njëri, ikin të dy, përnjëherë.

Ardit Gjebrea: Nuk e besoje që fëmija tjetër ishte gjallë?

Vitore: Nuk e besoja. Megjithëse i dëgjoja rrahjet e zemrës, prapë isha shumë e dobët.

Ardit Gjebrea: Më në fund, erdhi fëmija në jetë?

Vitore: Erdhi.

Ardit Gjebrea: Para sa vitesh?

Vitore: Ka lindur në 2011.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin?

Vitore: Saviola.

Ardit Gjebrea: Pas 21 vitesh martesë vjen në jetë Saviola dhe sot e kemi 10 vjeç?

Vitore: Po, për 11.

Vitoria e ka thirrur Aleksandrin në studion “E Diela Shqiptare” për t’i thënë faleminderit shokut të saj të jetës.

Vitore: Aleksandër, të dua. Ç’të të them, ti gjithmonë je përkrahja, kemi kaluar shumë vështirësi bashkë, sidomos në Greqi dhe të jam shumë mirënjohëse. Më ke dhënë kurajo, unë ndoshta nuk kisha forcë të të jepja kurajo ty.

Aleksandër: Unë të falenderoj që më solle këtu dhe të falenderoj edhe për diçka tjetër se e kam pasur ëndërr që ta takoja zotin Ardit. Ti e di shumë mirë se në makinën tonë ishim vetëm kasetat dhe disqet e zotit Ardit dhe dëgjonim gjithnjë bashkë muzikën e këngët e tij.

Vitore: Ti gjithmonë bëje surpriza dhe unë jo se nuk gëzohesha, por thjesht duke menduar që do të kursenim ndonjë lek për çupën, është koha më e vështirë për ne tani, ndoshta nuk ishte moment të vinim këtu se jemi nën qiell të hapur, por të paktën t’i lëmë një kujtim të bukur gocës, që nuk mbaron kurrë.

Aleksandër: E ke menduar shumë mirë dhe ne e kemi diskutuar, por thoshim është e pamundur për ne.

Ardit Gjebrea: Por ja që u bë realitet vajza juaj pas 21 vjetësh, nuk u dorëzuat në asnjë moment.

Aleksandër: Unë nga periudha aty afër, fillova u dorëzova, por më dha kjo forcë.

Ardit Gjebrea: Po kur të thoshte Vitoria gjej një grua tjetër, çfarë mendoje në ato momente?

Aleksandër: Nuk po e them atë përgjigje.

Ardit Gjebrea: Njerëzit ju bezdisnin duke ju thënë “pse s’po bëni një fëmijë”?

Aleksandër: Atë e ka vuajtur shumë ajo.

Ardit Gjebrea: Po ju?

Aleksandër: Unë e kam vuajtur, por jo në atë masë sa ajo.

Ardit Gjebrea: Si i përgjigjeshe ti njerëzve?

Aleksandër: Ajo është punë e imja dhe punë e atij atje lart.

TE TJERA

spot_img