HYRJELAJMEKRONIKËGrabitja më e madhe në historinë e Britanisë, shqiptari del me 1...

Grabitja më e madhe në historinë e Britanisë, shqiptari del me 1 Paund nga burgu dhe shijon martesën në Tropojë

Një prej anëtarëve të bandës që fshihet pas grabitjes më të madhe në Britani është martuar disa muaj pasi është liruar nga burgu para kohe, shkruajnë mediat.

Jetmir Bucpapa, u burgos në vitin 2008 së bashku me 6 persona të tjerë për grabitjen e 53 milionë Paundëve nga depo e Securitas në Tonbridge të Kentit. Autoritetet nuk kanë gjetur ende 30 milionë Paund nga kjo grabitje dhe Bucpapa ka bindur gjykatësin se nuk ka asnjë pjesë të kësaj sasie parash të humbura. Për këtë arsye ai u urdhërua që të ripaguajë vetëm 1 Paund dhe la qelinë.

The Mirror shkruan se shqiptari u dënua me 15 vjet burg për grabitje, rrëmbim etj. Vitin e kaluar ai u lirua nga burgu dhe u deportua. Shqiptari ka qenë i martuar me një shtetase britanike, Rebecca, e cila kishte premtuar se do të qëndronte pranë tij, pavarësisht se ai ishte në burg. Megjithatë, ata u ndanë.

The Mirror shkruan se, i riu nga Tropoja vendosi të martohet me një shtetase shqiptare me iniciale B.D. në vendlindjen e tyre në Tropojë. Më pas ata kanë udhëtuar me avion për muajin e mjaltit. E kontaktuar nga The Mirror, gruaja 34-vjeçare e Bucpapës mohoi që të tregojë se ku i kaluan pushimet, por tha se gjithçka “ka qenë shumë e veçantë”.

Burime të tjera nga Shqipëria për mediat britanike thonë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga Mbretëria e Bashkuar për të hetuar, pronat apo investimet e Jetmir Bucpapës, apo ato që lidhen me të afërmit e tij.

Grabitja, që u krye nga grupi e që ishte pjesë edhe shqiptari, është më e madhja në historinë e Britanisë. Të veshur si policë, anëtarët e bandës rrëmbyen menaxherin e depos, Colin Dixon, gruan e tij dhe djalin 8- vjeçar. Për 66 minuta ata mundën që të merrnin 53 milionë Paund dhe lanë pas 154 milionë të tjera sepse nuk kishin hapësirë ku t’i vendosnin.

4 ditë më vonë, 2 anëtarë, Lee Murray dhe Paul Allen arritën të arratiseshin në Marok, por anëtarët e tjerë të bandës u kapën. Kickbokseri, Lea Rusha, shqiptari, Jetmir Bucpapa, shitësi i makinave Stuart Royle dhe pronari i garazhit Roger Coutts u burgosën me nga 15 vjet burg.

Autoritetet mundën që të zbulonin edhe një shqiptar të infiltruar brenda kompanisë, Emir Hysenaj, i cili u dënua me 20 vjet burg. Policia mundi që të gjente 21 milionë Paund nga grabitja, dhe 32 milionë të tjera janë ende të zhdukura./tvklan.al

TE TJERA

spot_img