Mrekulli në Bologna: Foshnja shqiptare që u operua në zemër në bark të nënës, sot është 1-muajsh

Itali – Një mrekulli mjekësore ka ndodhur në spitalin Sant’Orsola në Bologna, ku një foshnjë shqiptare i është nënshtruar ndërhyrjes në zemër duke qenë ende… brenda barkut të nënës.

Një agie e futur në barkun e gruas shtatzënë prej shtatë muajsh, për të arritur zemrën, e lidhur me një kateter e një tullumbace pak më të madhe se tre milimetra për të ndrequr valvulën aortite që vinte në rrezik mbijetesën e fetusit. Ndërhyrja me rrezik të lartë është ndër të parat në Itali me një bashkëpunim gjinekologësh e kardiologësh.

Gjithçka është kryer me sukses dhe fëmija erdhi në jetë më 23 shtator e sot feston një muaj jetë me nënën, babanë e dy motra, 6 e 2 vjeç. “Foshnja kishte pjesën e majtë të zemrës të zmadhuar për shkak të stenozës aortite, çka shkaktonte mosfunksionimin e barkushes së majtë”, shpjegon Andrea Donti, drejtor i kardiologjisë pediatrie dhe i moshës evolutive në poliklinikë.

“Në kushte të tilla, fetusi rrezikon të vdesë në uterus, ose mund t’i bllokohet rritja e barkushes së majtë dhe pas lindjes i porsalinduri duhet t’u nënshtrohet ndërhyrjeve edhe më të ndërlikuara. Prandaj e diskutuam me nënën hipotezën e ndërhyrjes në uterus”.

Vendimi për të hyrë në sallën e operacionit nuk ishte i lehtë. “Ka një rrezik të lartë vdekjeje, nga 10 në 30 përqind. Në rastin tonë, rreziku ishte shumë i madh, aorta në javën e 27-të ka një diametër vetëm pak milimetra”, saktëson Donti.

Nëna u sigurua që fëmija nuk do të ndiente dhimbje dhe do të vihej në gjumë. “Kur më telefonuan nga Sant’Orsola për të më thënë që ndërhyrja ishte lënë për të nesërmen, e kalova natën duke qarë”, tregon nëna e fëmijës, Emanuela Kapllani, 26 vjeç.

“Në konsultore e më pas në spitalin e Riminit kishin bërë diagnozë korrekte, duke më besuar pastaj në Sant’Orsola. Në mëngjes, në spital, mua dhe burrit na thanë që po të mos ndërhyrje rreziku do të ishte shumë i lartë. Iu kërkova ta lindja menjëherë, por më thanë që do të kishte qenë edhe më e rrezikshme sepse fëmija ishte shumë i vogël”.

Babai, Antion Nezha, 31 vjeç, shton se “në atë pikë nuk mund të ktheheshim më prapa, sepse do të na mbetej peng për gjithë jetën. Por pritja tri orë pas dere ishte tepër e vështirë. Kur mësova që gjithçka shkoi mirë, më rrodhën lotët”.

Për Chiara Gibertoni, drejtore e përgjithshme e spitalit, “e gjitha kjo mund të bëhet vetëm në Sant’Orsola, profesioni ynë është përballja çdo ditë me sfida përherë e më të vështira, duke e ditur që mund të mbështetemi në bashkëpunimin midis specialistëve të nivelit të lartë në çdo degë të mjekësisë”.

Prindërit e Nicolò, shqiptarë me banim në Romagna prej më tepër se njëzet vjetësh, përjetuan edhe ankthin e një valvule të dytë plastike të vendosur pas lindjes.

“Jemi kthyer në Bologna për një kontroll dhe jemi të lumtur sepse Nicolò është mirë dhe kujtimi i asaj kohe kur e shihja të intubuar përmes videothirrjeve të tim shoqi më duket e largët tashmë. Shpresojmë që historia jonë t’u japë kurajë atyre që gjenden në pozita si të tonat. Ne, falë një spitali brilant, patëm besim”./syri.net

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...