HYRJELAJMEKRONIKËDyshohet për asfiksi nga klori, ose helmim nga ushqimi/ Detaje nga tragjedia...

Dyshohet për asfiksi nga klori, ose helmim nga ushqimi/ Detaje nga tragjedia me 4 të vdekur, hetimet po ndiqen nga ambasada ruse

Zbardhen të tjera detaje nga tragjedia në Qerret të Kavajës, ku u gjetën të pajetë në hotel 4 turistë rusë.

 

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “News 24” se katër familjarët janë gjetur të pajetë në pishinën dimërore të hotelit, dhe jo në saunë, siç u raportua më herët.

 

“Policia dhe Prokuroria po kryejnë hetime të detajuara për vdekjen e katër familjarëve rusë. Për momentin, policia dhe prokuroria po hetojnë në disa pista, ku më e mundshmja është ajo e asfiksisë, për shkak të klorit. Rusët kanë gjetur vdekjen në pishinën dimërore dhe dyshohet se përqendrimi i klorit ka qenë shumë i lartë, duke bërë që ata të asfiksohen dhe të gjejnë vdekjen. Megjithatë, prokuroria po heton edhe mundësinë e helmimit të tyre, pasi ata kanë qenë një ditë më parë në Maqedoninë e Veriut, ku kanë ngrënë, dhe më pas kishin ndaluar edhe në Librazhd, ku kishin ngrënë sërish, për të ardhur më tej në Qerret, ku nuk kanë ngrënë në hotel”, tha gazetarja.

 

Mësohet se janë marrë kampionët e ujit dhe të klorit të përdorur në pishinë, si dhe është matur cilësia e ajrit nga ekspertët. Procedura e hetimit po ndiqet dhe nga punonjës të ambasadës ruse në Tiranë.

 

Mediat ruse publikojnë foto/ Kush janë nënë e bijë që u gjetën të pajeta në hotel, 31-vjeçarja do martohej pas pushimeve

 

Mediat ruse kanë publikuar fotot e dy viktimave, nënë e bijë, Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe. Sipas mediave ruse 58-vjeçarja nuk është futur në saunë pasi ishte me kancër. Sjellim në vëmendje që 4 turistët u gjetën të pajetë me veshje që përdoret për saunën, megjithatë nuk dihet nëse janë futur aty apo jo.

 

Mësohet se 31-vjeçarja dhe i fejuari i saj, të cilët u gjetën të pajetë, pas pushimeve kishin planifikuar dasmën, por duket se jeta u kishte paracaktuar një fat tragjik.

 

Më herët recepsionisti i hotelit ka thënë para hetuesve se ka qenë ora rreth 22:30 kur ai ka shkuar në zonën e saunës, ku ishin 2 çiftet, ndërsa i ka thirrur disa herë për t’i njoftuar se pijet dhe frutat iu kishin shkuar në dhomë. “Iu thirra disa herë se pijet dhe frutat ishin gati. Pasi nuk mu përgjigj njeri hyra brenda në sauna dhe i pash të katërt, nuk mu përgjigjën. Njëri ishte i shtrirë në shezlong, dy në stol dhe një tjetër ulur me këmbët në pishinë. Ishin të asfiksuar”, mësohet të jetë shprehur punonjësi i hotelit.

 

Viktimat janë çifti i bashkëshorteve, Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç si dhe vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe bashkeshorti i saj, Nikita Belousov, 37 vjeç. Fjalën e fundit pritet ta thotë autopsia, e cila do të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes së turistëve./Panorama

TE TJERA

spot_img