HYRJELAJMEHISTORIKatedralja e Shën Shtjefnit

Katedralja e Shën Shtjefnit

Kisha e Madhe u themelua në oborrin e të quajturit Palok Krandja te Ura e Martin Gjonejt. Pas disa rrethanave politike të brendshme dhe paraqitjes së kërkesës dy-tri herë për ta ndërtuar, më 7 prill 1858, me një ceremoni fetare, u vu kryqi aty ku sot është altari i madh dhe u ngulën piketat.

Në ceremoninë e themelmit morën pjesë personalitetet vendore të autoriteteve: valiu Abdi pashë Çekrezi, lexoi fermanin e Sulltanit. U bekua guri i parë prej arqipeshkvit Topiç dhe u çelën themelet dhe Daut efendi Boriçi, si drejtor i arsimit i asaj kohe dhe në emër të qeverisë e valillëkut, mbajti fjalimin e rastit. Pjesëmarrës ishin edhe trupi konsullor i atashuar në qytet, konsulli i Britanisë së Madhe Spiridon Bonatti, i Francës Hiasint Hekard (Hyancithe Hecquard), i Greqisë Apostolaqi dhe i Perandorisë Austriake, Ballarini.

 

Gjatë punimeve dy herë rresht u shemb gunga e kishës. Më së fundi u soll një inxhinier nga jashtë dhe godina u lartua më 1867. Në ndërtimin e saj kontribuoi pothuajse i gjithë elementi katolik i qytetit dhe krahinës. Kupola e drunjtë pas 35 vjetësh u pa me rrezik të binte, u morën masat dhe u riparua.

 

Kolë Idromeno u pajtua që të bënte zbukurimet dhe figurat e apostujve mes harqeve. Vetëm më 1890 përfundoi kumbonarja dhe u pajis me tri kumbonë, të blera në Venedik nga bamirësit Filip Parruca dhe vëllezërit Mark e Pjetër Pema.

 

Me tërmetin e madh të 1905, kishës iu shkaktuan disa dëme të cilat iu ndreqën. Idromeno u kujdes sërishmi për dekorimet e pikturat; në gungën e kishës pikturoi të ikunit të Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra, e ndjekur nga dy qytetarë të veshur me tesha shkodrane katolike dhe në sfond qytetin e vjetër të Shkodrës, me kështjellën në krye.

 

TE TJERA

spot_img