“Gënjen dhe baltos kryetarin”, Lulzim Basha shkarkon Flamur Nokën, paralajmëron përjashtim nga grupi i Partisë Demokratike

90

Vetëm pak orë pas përplasjes me Lulzim Bashën, por edhe pas pozicionimit të tij prej disa ditësh në krah të ish-kryetarit Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike i është përgjigjur deklaratave të ashpra të Flamur Nokës.

 

Ai e ka shkarkuar nga pozicioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe madje ka shkuar më tej duke e paralajmëruar se do ta përjashtojë edhe nga Grupi Parlamentar.

 

Sipas Partisë Demokratike, arsyeja e këtij vendimi është pasi Noka akuzohet se po shndërron mbledhjen e Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike.

 

“Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”, thuhet në njoftimin e PD-së.

 

Kujtojmë se deputeti i PD-së Flamur Noka, sot në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar u shpreh se i kishte kërkuar kryetarit Lulzim Basha të mbajë përgjegjësi, pasi sipas tij, Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur “llum”.

 

Po ashtu, Noka tha se “Foltorja” e Sali Berishës është e vetmja alternativë për ta mbajtur këtë forcë të bashkuar dhe për ta shpëtuar nga “rrokullima ku Basha po e çon”.

Lexo edhe:   SHKODËR, PSD PREZANTON 11 KANDIDATET