Nis numërimi i popullsisë, pyetjet nga elektroshtëpiaket te tualeti që keni në shtëpi. Gjobë 100 mijë lekë për qytetarët që refuzojnë të përgjigjen

125

BESARTA BASHA

 

Thuajse dy vjet pas miratimit të ligjit për Censusin e popullsisë dhe banesave në Shqipëri, Instituti i Statistikave është gati të pilotojë projektin, fillimisht në 9 bashki, për ta shtrirë në 2022-shin në të gjithë Shqipërinë.

 

Nga kjo e hënë deri në 15 nëntor, do të zhvillohet faza pilot, pikënisja për përcaktimin e strategjive socioekonomike dhe planeve për të dhëna të qëndrueshme në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.

 

Provat për regjistrimin e popullsisë do të zhvillohen në 50 zona të përzgjedhura, me kushte të ndryshme socio-ekonomike, me përbërje popullsie minoritare dhe zona të ndryshme gjeografike: Fushë-Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamzë, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull.

 

Risi e kësaj matjeje do të jenë pajisjet dixhitale që do të zëvendësojnë letrat për mbledhjen e të dhënave në terren, modernizimi i sistemit të informacionit dhe fakti që këto të dhëna do të shërbejnë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë dhe ndërtesave për vitet në vazhdim.

 

PYETËSORI

Projektligji për regjistrimin e popullsisë dhe banesave ka shkuar për konsultim në ministritë e linjës dhe komisionet parlamentare bashkë me një pyetësor zyrtar, në përbërje të të cilit janë 44 pyetje të ndarë në katër kategori të dhënave: individuale, ekonomike, të ndërtesës dhe banesës.

 

Përveç gjeneraliteteve dhe të dhënave për para, prona apo edhe përkatësia fetare, në pyetësor, secilit do t’i kërkohet çdo detaj i jetës, që nga data e saktë e bashkëjetesës, martesës apo divorcit (në rastet e ngjashme). Por jo vetëm kaq.

 

Censusi i 2022-shit rreket të depërtojë më thellë në shtëpitë e shqiptarëve duke mos u mjaftuar me çatinë ku jetojnë, nëse është e blerë apo me qira, por deri te pajisjet elektroshtëpiake. Në pyetësorin mbi njësitë ekonomike familjare listohen 17 të tilla, përbri së cilës çdokush do të duhet të checkojë nëse i posedon në banesë.

Lexo edhe:   Përmbytjet/ Rama: Dëmet janë të vogla, me këtë intensitet as Parisi s’ka çfarë bën

 

Këto i përkasin grupit të të dhënave të njësisë ekonomike familjare. Të tjera kërkohen në pyetësorin e banesës, që interesohet nga statusi i banimit, sistemi i furnizimit me ujë e deri te tualetet dhe dushi.

 

Të ardhurat familjare janë gjithashtu të rëndësishme e mbi të gjitha burimet se nga vijnë: punë në shtet a privat, vetëpunësim, prona, investime nga qiraja, llogari kursimi, pension a ndihmë sociale apo remitancat. Vlen të theksohet se në morinë e pyetjeve, vetëm tri prej tyre janë lënë fakultative apo në dorën e qytetarëve, të cilët zgjedhin t’u përgjigjen ose jo: feja, etnia dhe gjuha e folur.

 

Të tjerat janë të gjitha me detyrim. Një refuzim i saj e penalizon qytetarin me 100 mijë lekë gjobë, sipas ligjit. E po ashtu, edhe organizata që tentojnë të imitojnë në të njëjtën kohë këtë pyetësor do të hasen me gjoba të majme.