Deklarata e fortë e gazetarit: Basha është pajisur me vizë për në SHBA familjarisht pas përjashtimit të Berishës

175

Sikur të mos mjaftonte vetëm Sali Berisha, në sulm të Lulzim Bashës tashmë i kanë dalë kundër të gjithë njerëzit besnik të ish-kryeministrit, që në këto ditë të vështira për të, nuk e kanë braktisur, duke nxjerrë “kokën” kundër kryedemokratit, për të cilin deri më tani kishin heshtur.

 

I tillë është edhe rasti i gazetarit të televizionit Berisha, Çim Peka, i cili ka “tjerrur” akuzën e bërë një ditë më parë nga Evi Kokalari. Në emisionin e tij, Peka tha se Basha është pajisur me vizë diplomatike pas përjashtimit të Berishës dhe tani mund të udhëtojë në SHBA, ndërkohë që më parë nuk ka mundur për shkak të dosjes së lobimit rus.

 

“Z.Basha ka thënë në këtë emision në 2019 se do të realizonte një vizitë të rëndësishme në SHBA, pas pak ditësh. Vizitë që nuk ndodhi kurrë. Nga ai moment dhe deri më sot, Basha nuk ka udhëtuar në SHBA. Por ka të dhëna se pas përjashtimit të Sali Berishës, z.Basha dhe familja e tij mund të udhëtojnë në SHBA, me vizë diplomatike dhe jo me vizë të thjeshtë. Arsyet i dinë ata.

 

Ajo dosje është aty, gjëja më e mirë është të lobohet për PD, por a është një problem penal për Bashën në SHBA, përderisa kemi thënë të njëjtën gjë për Edi Ramën, i cili absolutisht duhet të ishte i dënuar atje pavarësisht se dikush tjetër, ‘burri’ i tij, sipas ftesës, vetë Bilali, e ka marrë përgjegjësinë duke përjashtuar ‘gruan’, z.Rama? Çështja është e njëjtë, problemet janë të njëjta. Nëse Basha në atë kohë akuzonte Ramën se kishte shkelur ligjin amerikan, rasti është i ngjashëm”, u shpreh Çim Peka.

Lexo edhe:   Mona e Likes e bën Lali Erin të flasë me vete: Më duket se ti nuk je as çun, as …

 

Më herët ishte Evi Kokalari e cila lëshoi një akuzë të fortë nga “Foltorja” e Sali Berishës se Lulzim Basha ka “shitur” ish-kryeministrin në këmbim të mbylljes së dosjes së lobimit rus në SHBA. Për këtë akuzë, ajo që është e sigurt është se Kokalari ka marrë miratimin e Sali Berishës, që sot pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së, nuk i ka kursyer akuzat kundrejt Lulzim Bashës dhe këtë ka zgjedhur që ta bëjë jo vetëm personalisht, por edhe duke i “ndërsyer” edhe njerëzit e tij besnik.