SHKODËR, VAJZAT NGJYROSIN QYTETIN ME FUSTANE E BIÇIKLETA

325

Vajza të veshura me fustane shumëngjyrëshe e djem me kostume mbushën rrugët e qytetit të Shkodrës në një gjiro me biçikleta në këtë 22 shtator, ditën pa makina.

Nxënës të shkollave të mesme të Shkodrës “Oso Kuka”, “28 Nëntori” dhe “Jordan Misja” iu bashkuan kësaj nisme të Kudret Kadukut, një qytetare shkodrane. Mësuesja e shkollës “Oso Kuka”, Suela Durraj thotë se gjiroja me biçikleta është një mesazh sensibilizues për të gjithë shoqërinë për mbrojtjen e mjedisit.

Vajzat që ngjyrosën qytetin me fustanet e tyre shprehen se ata vijojnë traditën e bukur që Shkodra ka, i njohur si qyteti i biçikletave.

Gjatë lëvizjes në rrugët e qytetit, makinat nuk u ndalën edhe pse sot ishte dita pa makina ndërsa të rinjtë tregojnë se u hasën me vështirësi si parkimet dyshe apo edhe mungesa e korsive të biçikletave në disa rrugë të qytetit të Shkodrës.

Kësaj nisme iu bashkua edhe Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni e cila thotë se ky aktivitet duhet të shërbejë si një thirrje për institucionet lidhur me mungesën e infrastrukturës për lëvizjen e qytetarëve me biçikleta dhe kaosin në disa akse rrugore.

Në Shkodër ka një numër të lartë qytetarësh të cilët lëvizin gjatë gjithë ditës me biçikleta në çdo stinë të vitit kjo edhe për faktin se rrugët e këtij qyteti janë të mëdha dhe fushore.

Ajo që mbetet problem përveç infrastrukturës janë edhe aksidentet e shtuara të mjeteve që përplasin ata që lëvizin me biçikleta në rrugët e Shkodrës.

Lexo edhe:   Sali Berisha bën deklaratën urgjente: “Të anullohet menjëherë”