Dasmë në plazh! Bieta e ka planifikuar fundjavën më të bukur

130

Ata që mezi presin të premten t’ia mbathin apo ata që mezi presin të flenë deri në 10? Udhëtime laps e letër apo “të dalë ku të dalë?”… Plazhi më “in” i jugut apo një qoshkë e fshehur për qejf të shpirtit? Bileta që të çojnë larg apo salloni i shtëpisë para tv? Edhe kështu, edhe ashtu. Sepse fundjavat e verës kanë tjetër shije. Zbuloni sot fundjavën verore të Bieta Sulos…

 

Cili është mendimi i parë që të sjell e premtja verore?

 

Arratisje. Bëhen valixhet gati dhe ashtu me natë nisemi për në destinacionin e përcaktuar. Darka është orar i mirë edhe për Kroin se fle gjumë, kështu që rruga shkon për mrekulli me bisedat e ditës, muzikë në sfond dhe thuajse aspak trafik.

 

A të duket sikur fundjavave të verës gjithë Instagrami ikën në plazh kurse gjithë bota është në shtëpi?

 

Unë për vete jam në plazh.

 

A është opsion për fundjavën tënde: “Zgjohu në 10, rri në divan fli prapë e mos dil nga shtëpia”?

 

Shumë rrallë… E para sepse jam natyrë që zgjohem herët, pavarësisht se mund të jem shtrirë vonë. Se dyti, më pëlqen të dalim ditëve të pushimit, mjaftojnë mbylljet në studio dhe zyrë gjithë javën dhe e kam shumë të rëndësishme të jem në lëvizje dhe ajër të pastër në fundjavë.

 

Plazh larg syve të botës apo në rreshtin e parë të resortit më të famshëm?

 

As njëra e as tjetra. Fatmirësisht nuk jam ende aq e lodhur sa të mos dua njerëz vërdallë dhe nuk e kam as me merak rreshtin e parë… pooor, kërkojmë kryesisht rreshtin e parë si komoditet për ta patur Kroin para syve, ndërsa luan me rërë apo gurë dhe shijojmë shëtitjet me ndonjë varkë nga dëshira për të parë vende të reja dhë të pastra.

 

Fundjava më e bukur e jetës tënde që të del edhe në ëndërr?

 

Ajo që nuk e kam bërë akoma. Nga ato që kanë kaluar do të veçoja fundjavën në Romë, dhuratë e Albanit për 29 vjetorin tim. Dihet qe Roma është një dashuri dhe ne e kemi shijuar romancën të plotë: një dëshirë e shprehur, ndërsa hidhja monedhën në “Fontana di Trevi”, vizita në Vatikanin mahnitës, një akullore nga ajo më e mira në botë, ecje, ecje, ecje dhe aspak lodhje, veç të përqafuar, një pushim për të shijuar perëndimin në “Giardini d’arancie” dhe një darkë elegante dhe e shijshme në një nga restorantet më të mirë të Romës, drejtuar nga një shqiptar (atëherë ende jo shumë i njohur në Shqipëri, aktualisht një nga nga shefat më të famshëm edhe këtu).

 

Po fundjava apo udhëtimi që do doje ta harroje?

 

Fatmirësisht nuk kam asnjë fundjavë që do të doja ta fshija nga kujtesa.

 

Një fundjavë vere në plazh apo një dasmë të zhurmshme fisi?

 

Në plazh. Ta bëjmë edhe dasmën në plazh dhe jemi shumë në rregull.

 

Bën plane të gjata e të detajuara apo destinacioni vendoset të premten pasdite në çastin e fundit?

 

Të dyja ndodhin. Sigurisht qe fillon bëhesh më i organizuar kur je me fëmijë, nuk nisemi pa prenotuar dhomë, siç mund ta kemi bërë më herët teksa ishim vetëm të dy, por ka ndodhur shumë shpesh që, ndërsa pinim kapuçinon e mëngjesit të dy me Albanin e kemi vendosur të nisemi: janë lënë valixhet gati, kemi shkuar në punë, në kthim mbath atletet dhe nisu.

 

A nuk shijojnë më shumë të shtunat e të dielat pa plan?

 

Me plan, pa plan, te shtunat dhe të dielat shijojnë. Shoqëruar me një gotë verë, akoma edhe më tepër.

 

Përshkruaje me një fjalë të dielën në darkë…

 

Ëmbëlsirë….. /revistawho.com