Të gjithë para ekranit: 5 emisionet e reja që nisin në shtator në televizionet shqiptare

173

Me ardhjen e shtatorit, nisin tanimë edhe emisionet e spektaklet e reja që prej kohësh përfliten e tashmë është radha t’i shohim të konkretizuara.

 

Një prej tyre është “Big Brother VIP”, formati që dikur ishte ndër më të ndjekurit ndërsa këtë sezon do të vijë në një version ndryshe. Brenda shtëpisë më të famshme do të shohim personazhe të njohur të ekranit. “Big Brother VIP” do të nisë nga tetori dhe do të transmetohet 2 herë në javë nën drejtimin e Arbana Osmanit.

 

Nga Top Channel, kalojmë tek Klani ku pritet të nisë së shpejti “Love Story 2”. Edhe ky spektakël do të vijë me shumë ndryshime. Do të kemi një princ modern dhe një princeshë modern e shumë djem e vajza në përpjekje për të fituar zemrat e tyre. “Love Story 2” do të transmetohet çdo ditë dhe do prezantohet edhe këtë vit nga Alketa Vejsiu.

 

Nga Klani kalojmë në Abc News, ku këtë sezon do të nisë “Kutia e fundit”. Emisioni është një risi pas kaq vitesh pauzë. “Kutia e fundit” dikur ka patur një shikueshmëri të lartë e pritet që edhe këtë vit të ndodhë kështu me rikthimin që erdhi i papritur, por që i lumturoi teleshikuesit pasi emisione me lojëra e fitime parash janë shumë të pakta. “Kutia e fundit” do të drejtohet nga Enkel Demi dhe Edi Oga.

 

Dhe rikthehemi në Top Channel, ku thuhet se së shpejti do të nisë edhe emisioni “VIP Dado” . Ky emision transmetohet në Kosovë dhe së shpejti pritet të nisë transmetimin edhe në Shqipëri. Produksioni ka nisur një bashkëpunim me ekranin “Top Channel”, ku do të transmetohet sezoni i ardhshëm. Edi Manushi do të jetë një ndër prezantuesit e programit, ndërsa krahas tij përflitet se do të jetë Anita Haradinaj si bashkëprezantuese.

 

Në Top Channel pritet të nisë edhe emisioni “Goca dhe Gra”. Emisioni do të bashkëmoderohet nga Tea Trifoni, Olesia Leço, Fatma Haxhialiu dhe Krista Merkoçi. Deri tani është publikuar vetëm video promo, ku thuhet se vajzat mund të bëjnë gjithçka që bëjnë burrat, madje mund ta bëjnë dhe mbi taka.