Shkaktoi “furtunë”/ Pasi deklarata e sekretares së PD për Berishën trazoi ujërat, Basha merr vendimin drastik

337

Sekretarja e re e Partisë Demokratike për të Përndjekurit Politikë Jonila Godole shkaktoi dje një furtunë të vërtetë pasi dha një intervistë televizive.

Ajo bëri thirrje për distancim të PD nga lideri historik Sali Berisha, i shpallur tashmë “non-grata” në SHBA.

Ndërkohë pas deklaratës së Godoles, ende pa nisur punë, strukturat e reja drejtuese të forcës më të madhe opozitare në vend kanë marrë urdhër që të shmangen qendrimet personale në media dhe të mos japin intervista për tema që nuk janë rakorduar me partinë.

Nënkryetari i ri Alfred Rushaj, i zgjedhur kryetar i grupit parlamentar, ndalon kolegët të dalin në media pa marrë më parë miratimin e zyrës së shtypit të partisë.

Intervista e saj me titullin ku bëhej thirrje për distancim nga Berisha, u publikua nga organi zyrtar i partisë, por u zhduk nga faqja më pas si pasojë e reagimeve që krijoi. Çfarë mbeti është një sqarim i kryeredaktorit Bledi Kasmi ku nënvizon se Sali Berisha vijon të gëzojë mbështetjen e partisë.

“Asgjë nuk na lëkund nga besimi se Berisha në funksionet e tij të të bërit shtet dhe opozitar, në të gjithë dimensionin e tij politik mbetet burrë shteti, por fjala e lirë është tjetër, pasqyrimet e saj janë tjetër dhe qëndrimet mbi to krejt tjetër. Mirënjohje të gjithë lexuesve për sugjerimet e tyre.

Bledi Kasmi, kryeredaktor i “RD”