Apo mbrojnë të katërt njëri-tjetrin!?

142

SPAK-u si rregull duhet të godas lart në hierarkinë e politikës dhe qeverisjes. Katër më të lartët e këtij shteti janë sipas kronologjisë së 30 viteve: Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama.

SPAK-u po i sillet njërit prej këtyre të katërtëve, por nuk guxon dot ta marrë me vete, pasi duket se të katër kanë interesa që asnjëri të mos merret nga prokurorët. Po u mor njëri, rrethi prishet dhe lëmshi fillon e tjerret! Po iku njëri mund të hap oreksin e SPAK-ut edhe për të tjerë.

Ndaj Amerikanët kanë futur në shënjestër njërin në mënyrë që më pas SPAK-u të mos frikësohet për të tjerët.

Por duket se asnjëri nuk rrezikon nga SPAK-u. Secili mbron veten duke mbrojtur tjetrin!

Ndaj do fusin këtë vjeshtë ish-ministra, zyrtarë të lartë, ish-deputetë, ish apo që janë sot kryetarë bashkie,etj. Deri këtu duket se janë të katërt dakort!

Ndërsa Lulzim Basha nuk shqetësohet se është lider opozite. E bënë njëherë gabim Amerikanet në vitin 1993 që lejuan Berishën të fuste në burg liderin e opozitës se kohës. Dhe dihet si përfundoi Shqipëria në vitin 1997, kryesisht nga fajdet, por burgosja e liderit të opozitës i vuri shkrepsen turmave.

Këta të katërt kanë qenë ose janë kryeministra. President apo kryetar parlamenti nuk ke gjë në dorë se nuk firmos tenderime, koncensione, leje ndertimi, etj. Por të katërt tani janë solidarë. Mbrohen përbukuri me një unazë të zjarrtë rreth katërshes së tyre.

As ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila mbetet stoike në luftën ndaj korrupsionit, duket se e ka të vështirë të çajë këtë rreth njerëzish që duan të hanë njëri-tjetrin, por që ruajnë kokën e armikut të tyre sepse pas tij e nuhasin se vijnë prangat kërcasin për duart e tyre.

A çahet ky rreth katërsh!?

Jo!

Ndaj janë të qetë të katërt!

/marre nga Koha Jone/